Histori

Kush ishte Bartolomeo Pareto dhe harta e vitit 1455 që u bë pjesë e përhershme e Muzeut ‘Gjergj Kastrioti’ në Krujë?

Gazeta “SI” – Në një njoftim zyrtar në rrjetin social Facebook, ministri i kulturës Blendi Gonxhja vuri në dukje rëndësinë e një artefakti të jashtëzakonshëm me vlerë kombëtare dhe europiane, i cili u shtua në koleksionin e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.

Bëhet fjalë për hartën origjinale të Bartolomeo Paretos të vitit 1455, një nga dëshmitë më të rralla të hartografisë evropiane të shekullit XV, e cila ka vlerë të madhe jo vetëm për saktësinë e saj gjeografike, por edhe për rëndësinë historike dhe kulturore që mbart.

Kush ishte Bartolomeo Pareto dhe çfarë përmban kjo hartë e vitit 1455?

Harta e vitit 1455, e njohur si portolano, është një dokument i dekoruar me detaje të hollësishme, që përfshin pjesën më të madhe të Evropës, Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme. Ajo është krijuar me kujdes të madh dhe tregon ndikimet e modeleve kartografike të Battista Beccario-s nga Gjenova dhe të Angelino Dulcert-it nga Spanja.

Përveç detajeve të bregdetit dhe porteve, harta përmban edhe elemente artistike dhe simbolike që i japin asaj një vlerë të dyfishtë: si mjet navigimi dhe si vepër arti. Një nga detajet më të veçanta është paraqitja e ishullit fantazmë Antilia në Oqeanin Atlantik, një element i njohur nga mitet dhe hartat e kohës, i cili u zhduk nga hartat e shekullit XVI.

Portolani përmban gjithashtu të dhëna të rëndësishme historike dhe kulturore për Ballkanin dhe Evropën e Mesme. Shënimet e tij vendosin në hartë jo vetëm qytete dhe porte, por edhe emra të figurave të shquara. Një nga veçantitë e  kësaj harte është se vendos emrin e Skënderbeut si toponim në qendër të Ballkanit, duke dëshmuar se figura e heroit shqiptar ishte e njohur dhe e respektuar nga oborret mbretërore të Europës dhe të botës së krishterë. Kjo e bën hartën një burim unik për historianët dhe studiuesit e marrëdhënieve politike dhe kulturore në Europën e shekullit XV.

Pas vdekjes së jezuitit valencian Juan Andrés në vitin 1817, gjurmët e hartës humbën përkohësisht, por ajo u rizbulua në vitin 1877 në një depo të asaj që atëherë quhej Biblioteka Vittorio Emanuele, pranë Kolegjit Romak, nga gjeografi italian Pietro Amat di San Filippo. Ky zbulim u dokumentua në revistën shkencore “Memorie della Società Geografica Italiana” në vitin 1878, duke rikthyer kështu në vëmendje një nga hartat më të rëndësishme të shekullit XV dhe duke e bërë të aksesueshme për studiuesit dhe koleksionistët. Sot, kjo hartë jo vetëm që është një pjesë e vyer e koleksioneve europiane, por përbën edhe një urë lidhjeje midis historisë shqiptare dhe asaj evropiane, duke treguar se Shqipëria dhe heronjtë e saj ishin pjesë e kulturës dhe politikës ndërkombëtare shumë shekuj më parë.

Kush ishte Bartolomeu Pareto?

Krijuesi i kësaj harte, Bartolomeo Pareto, ishte një prift dhe kartograf gjenovez, i njohur për mjeshtërinë e tij në hartografinë nautike. Nuk dihet shumë për jetën e tij të hershme, por është e dokumentuar se ai jetoi dhe punoi në Gjenova, ku u shugurua prift në vitin 1455, pas shërbimit si akolit papnor. Ky funksion sugjeron kontakte me oborrin papnor në Romë, megjithëse titulli ishte më shumë një nder sesa një detyrë aktive. Në vitin 1453, një mbledhje e Këshillit të Shën Gjergjit e përshkroi si “i vetmi gjenovez ekspert në artin e hartimit të hartave nautike” dhe i dha një përjashtim fiskal deri në 12 libra, duke njohur rëndësinë e veçantë të punës së tij për navigatorët gjenovezë. Para vitit 1455, Pareto ndërmori një udhëtim të gjatë detar, gjatë të cilit kaloi Detin e Alboranit, dhe që nga viti 1460 shërbeu si famullitar i kishës së Shën Gjergjit në Gjenova.

Përveç hartës së vitit 1455, nga Pareto kanë mbijetuar disa fragmente të një harte të Gadishullit Italian të vitit 1457 dhe një fragment i një mappamundi, i ruajtur në Muzeun e Pallatit Topkapı. Ai vdiq para datës 9 nëntor 1464, kur drejtimi i kishës së Shën Gjergjit iu caktua kanonikut Pietro de’ Carderini. Përmes veprës së tij, dhe veçanërisht hartës së vitit 1455, Bartolomeo Pareto la një trashëgimi të paharrueshme në hartografinë evropiane dhe një dëshmi të rëndësishme të lidhjeve kulturore dhe politike midis Gjenovës, Vatikanit dhe Europës së shekullit XV, duke bërë që emri i tij të mbetet një pikë referimi për studiuesit e historisë së hartografisë dhe kulturës evropiane.

Një kopje hartës e certifikuar sipas standardeve shkencore u soll për herë të parë në Shqipëri nga kartografi  shqiptar Artan Shkreli në vitin 2017 dhe sot ruhet në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë, ku është ekspozuar dhe e aksesueshme për publikun, studiuesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë