Tom Doshi nuk është kryetar i Partisë Socialdemokrate, ashtu sikundër thuhej në kërkesën fillestare të dorëzuar nga kjo parti për regjistrim në zgjedhjet e 25 prillit.
Në kërkesën e dorëzuar më 9 shkurt thuhet se plotësohen të gjith kriteret që përcakton neni 64 i Kodit Zgjedhor, përfshirë këtu emrin, siglën dhe kryetarin e partisë.
Në fund, kërkesa mban vulën e PSD-së me nënshkrimin e Tom Doshit si kryetar.
Përballë kësaj kërkese, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar informacion shtesë për plotësimin e dokumentacionit.
Çudia është se plotësimi i dokumentacionit është dorëzuar më 12 shkurt, por këtë herë jo me Tom Doshin kryetar të partisë, por me Engjëll Bejtjan.
Bejtja ka dorëzuar vërtetimin e Gjykatës së Rrethit të Tiranës, që mban numrin 278 dhe marrë më 27 janar të këtij viti, sipas të cilit ai është kryetari i PSD-së.
“Pas depozitimit të kërkesës për regjistrim, KQZ i ka kërkuar partisë PSD plotësim dokumentacioni. Sipas dokumentacionit të plotësuar, kryetari i PSD rezulton Engjell Bejtaj”, thotë KQZ.
Por, Tom Doshi thotë se është ai kryetari i ri i Partisë Socialdemokrate. Ai thotë për Balkanweb se më 25 prill do të garojë në katër qarqe, siç parashikon Kodi Zgjedhor për kryetarët e partive, ndërsa shprehet se në krye të PSD-së është zgjedhur nga strukturat e partisë dhe më 19 shkurt zyrtarizohet edhe nga gjykatat. Doshi thotë se për të mos shkelur afatin e regjistrimit në zgjedhje, PSD vendosi t’i drejtohej KQZ-së me emrin e kryetarit Engjëll Bejtja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.