Njerez

Kush është Justina Pula, gruaja e parë që do të udhëheqë Akademinë e Shkencave të Kosovës?

Nga Gazeta “SI”- Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (AShAK) ka shënuar një moment historik duke zgjedhur për herë të parë një grua në krye të saj. Justina Pula mori detyrën e kryetares së AShAK, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit gjinor në institucionet më të larta të dijes dhe duke dhënë shpresë për një rol gjithnjë e më aktiv të grave në udhëheqjen e institucioneve shkencore dhe kulturore.

Justina Pula, e lindur në Prishtinë në vitin 1953, ka ndjekur një karrierë të shkëlqyer akademike dhe profesionale. Ajo diplomoi në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës (1976). Kreu studime pasuniversitare në Zagreb (1984) dhe u doktorua në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës” (1977).

Justina Pula

Karriera e saj në Fakultetin Ekonomik filloi në vitin 1978 si asistente e më pas avancoi në docent dhe profesor ordinar në vitin 2004. Pula ka qenë një pioniere në zhvillimin e kërkimeve operacionale në Kosovë, duke aplikuar metoda matematike dhe statistike në planifikimin dhe optimizimin e proceseve të biznesit , menaxhment dhe vendimmarrje. Ajo ka udhëhequr studentë në punime diplome, teza masteri dhe doktorature, duke kontribuar thelbësisht në avancimin e arsimit dhe kërkimit shkencor në vend.

Përveç angazhimit akademik, Justina Pula ka kontribuar edhe në fushën publike dhe të shoqërisë civile. Ajo ka shërbyer si Ministre e Energjisë dhe Minierave (2008–2011), deputete në Kuvendin e Kosovës (2011–2014) dhe ka qenë aktive në promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave përmes organizatave të ndryshme.

Pula është zgjedhur anëtare korrespondente e AShAK në vitin 2016, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore në vitin 2018 dhe anëtare e rregullt-akademike në vitin 2020. Zgjedhja e saj si kryetare e Akademisë shënon një hap të rëndësishëm drejt barazisë gjinore dhe promovimit të dijes në Kosovë.

Justina Pula pason në detyrë shkrimtarin dhe studiuesin e letërsisë Mehmet Kraja, i cili drejtoi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për periudhën 2019–2025.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë