Të paktën njëra prej palëve të përfshirë në konfliktin me katër viktima për shfrytëzimin e hapësirave publike në plazhin e Velipojës ka operuar pa leje për shkak të vonesave dhe burokracive ligjore të institucioneve vendore e qendrore të shtetit.
Pjetër Gocaj, babai i dy vëllezërve Edmond dhe Xhovani, që mbetën të vrarë në ngjarjen e rëndë të ndodhur pak pas mesnatës së të shtunës akuzoi shtetin se ishte vonuar në ndarjen e hartave të shfrytëzimit të hapësirave publike në këtë plazh.
Gjatë deklaratës për mediat, ai lë të kuptohet se Kujtim Ferracaku, një tjetër i vrarë nga përplasja me armë kishte marrë lejen për shfrytëzimin e plazhit në hapësirën ku siç pretendon, një vit më parë shteti ja kishte dhënë atij.
Por si funksionon ndarja e këtyre hapësirave? E thënë në vija të trasha, bashkitë bregdetare identifikojnë plazhet publike dhe me topografët në terren ndërtojnë hartat për shfrytëzimin e tyre nga subjektet private dhe më pas i dorëzojnë të Agjencia Kombëtare e Bregdetit, në varësi të Ministrisë së Turizmit.
Më pas, subjektet e interesuara për shfrytëzimin e këtyre hapësirave aplikojnë përmes sistemin online e-Albania për leje shfrytëzimi. Pas marrjes së lejes së miratuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit subjektet dorëzojnë te bashkitë një kopje të saj, që i bashkëngjitet dosjes së plotë, ku përcaktohen përmasat e hapësirës që jepet për shfrytëzim dhe taksat që rrjedhin nga ky shfrytëzim, të cilat mblidhen nga bashkitë.
Në rastin në fjalë, dyshimet janë se për familjen Gocaj procesi ka mbetur i bllokuar te leja e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Arsyet mbeten të paqarta, por shqetësim mbi vonesat në këto procedura, kur sezoni turistik pothuajse po hyn në kulmin e tij kanë shprehur edhe biznesmenë të tjerë, ndërsa ka nga ata që pretendojnë edhe për mbivendosje hartash.
Hilmi Kapllani, pronar i një hoteli në Velipojë tregoi për Euroneës Albania problemin e tij. Ai thotë se për të njëjtën hapësirë publike kishin hartë shfrytëzimi dy palë.
“Në momentin që ka ardhur zotëria tjetër, unë jam tërhequr për mos bërë ndonjë konflikt njëri me tjetrin. Ai ka ardhur me hartë, unë me hartë, por ai më ka thënë që vendi është i imi. Unë jam tërhequr. Kam mbledhur shezlonët për t’ju larguar debateve”, deklaroi ai.
Kapllani thotë se këtë problem e kanë edhe pronarë të tjerë, prandaj shteti duhet të ndërhyjë sa më parë.
“Për mua fajtor kryesor është shteti. Përderisa ne shtetit i kemi paguar paratë dhe na ka dhënë hartën që më datën 21, i kemi paguar vendin e shezlonëve dhe ne jemi pa shezlonë”, thekson ai, duke akuzuar shtetin se po e grabit.
Në lidhje me këto akuza, nga Ministria e Turizmit për momentin heshtin, duke deklaruar se do të flasin pasi të jetë zbardhur e plotë e gjithë ngjarja e Velipojës nga ana e autoriteteve hetimore.
Edhe nga Bashkia e Shkodrës përgjegjësia drejtohet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit.
“Ngjarja shumë e rëndë e mesnatës së shkuar në Velipojë, duhet të jetë një alarm i fortë për strukturat e shtetit. Humbja e 4 jetëve njerëzore mund dhe do ishte evituar nëse Ministria e Turizmit, Agjencia Kombëtare e Bregdetit që administron edhe hapësirën e plazhit në Velipojë, do të kishte vepruar sipas afateve dhe përcaktimeve ligjore për stacionet e plazhit”, tha kryebashkiakja, Voltana Ademi.
Nga Qeveria ka reaguar zv.Kryeministri Erjon Braçe. Ai propozon një zgjidhje më “radikale”.
“Tani është koha që shteti të marrë atë që kudo në botë është e shtetit, atë që është publike. Ta menaxhojë në një mënyrë, e vetmja që të shërbejë për qytetarët vendas e të huaj, si kudo. Beteja me armët dhe të zotët është çështje vullneti e institucioneve, nga policia te prokuroria e gjykata. Ligji është i ashpër”, thotë Braçe.
Përveç debatit mbi mënyrën se si jepen, apo se si shfrytëzohen hapësirat publike në plazhe ngjarja e Velipojës ndez edhe një debat tjetër, që ka të bëjë me atë se sa realisht zbatohet në terren vendimi i qeverisë për mbylljen e çdo aktiviteti në orën 23:00 deri në orën 06:00.
Velipoja tregoi që jo vetëm aktivitetet vazhdojnë edhe pas orës 23:00, por qytetarët po lëvizin “të pashqetësuar” edhe me armë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.