Vaksinimi i popullatës në Shqipëri ka nisur që më 11 janar rreth 1 vit pas daljes së rasteve të para në vendin tonë. Ashtu si në të gjithë botën, vaksina është cilësuar si e vetmja mundësi për të shpëtuar nga virusi Sars-Cov-2. Në një kohë kur shumë vende në Ballkan po imunizohen, Kosova është i vetmi vend që nuk ka marrë asnjë dozë vaksine.

Siç është paraqitur edhe më herët hierarkia e vaksinimit në vendin tonë, do të niste me mjekët në spitalet Covid- e më pas do të shtrihej në të gjithë sistemin shëndetësor. Por papritur të Martën u raportua nga mediat se qytetin e Kukësit ishte vaksinuar një mjek kosovar. Blerim Feka gjinekolog në spitalin e Prishtinës ka deklaruar për mediet kosovare se kishte shkuar vullnetarisht dhe ishte vaksinuar. Edhe pse mjeku nuk kishte një autorizim nga autoritetet shëndetësore të të dy vendeve, në media i bëri thirrje të gjithë kolegëve të tij që të vaksinohen. Mjeku kosovar deklaroi për mediet në Prishtinë se iniciativën për t’u vaksinuar e kishte marrë pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama, kur tha se mjekët e Kosovës do të vaksinohen në Kukës. Por Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla ka deklaruar për mediat më pas se dy mjekë të tjerë nuk patën fatin e kolegut të tyre sepse kur arritën në Kukës nuk mundën të vaksinohen.
“Ata janë kthyer mbrapsht, pasi atje u kanë thënë se po presin listën e mjekëve që janë në vijën e parë të frontit në luftën me Covid-19, e cila do t’i dërgohej nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës,” ka deklaruar Syla.
Gazetasi.al u interesua pranë autoriteteve për të mësuar se kush e pranoi mjekun kosovar të bënte vaksinën pa asnjë autorizim, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje!
Ndërkaq duke anashkaluar këto keqkuptime është raportuar se në Kukës janë vaksinuar rreth 350 mjekë dhe të martën nisi imunizimi i 40 mësuesve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




