Ngjarje

Kush do t’i menaxhojë fondet e ndihmat e shumta për tërmetet?

Pas tërmetit të fortë të 26 nëntorit, që solli humbjen e 41 jetëve, si dhe dëmtimet në masë të disa banesave, pas kësaj fatkeqësie natyrore, shqiptarët janë solidarizuar për të dhënë ndihma materiale, ushqime, por edhe monetare. Të shumta janë shoqatat e ndryshme që janë solidarizuar dhe po japin kontributet e tyre monetare. Mbledhja e këtyre fondeve ka nxjerrë në pah mungesën e koordinimit në momentin se ku do të grupohen ndihmat apo fondet. Për këtë situatë të moskoordinimit, qeveria ka paralajmëruar që të gjitha ndihmat të grupohen në disa pika të vetme që të shpërndahen edhe të mos këtë një rrëmujë apo përplasje. Për këtë zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Albana Qehajaj shprehet për Gazetës “Si” se “qytetarët, kompanitë, bizneset që duan të kontribuojnë për të ndihmuar familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, duhet të kontaktojnë në numrat përkatës (në fund të këtij shkrimi), në mënyrë që të dihet se ku duhet t’i dërgojnë ndihmat në qendrat e ngritura.

Elvis Naçi dhe kryeministri Edi Rama dje në Thumanë

Pikërisht janë tre numra që janë vënë në dispozicion 24 orë për këdo që kërkon informacion mbi pikën e grumbullimit të ndihmave në rezervat e shtetit dhe në komandën mbështetëse të Forcave të Armatosura me qendër në Vaqarr por edhe pika të tjera që po ngrihen në Tiranë, Durrës e qytete të tjera. Qeveria kërkon që këto fonde apo kontribute materiale t’i shpërndajë me anë të Komitetit të posaçëm të ngritur me vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Vetë kryeministri Rama u shfaq mbrëmë me Elvis Naçi, i cili ka ndërmarrë nismën për të mbledhur fondet dhe ndihmat. Kreu i qeverisë bëri të ditur se ka caktuar Naçin si koordinator për ndihmat në zonën e Thumanës. “Ne kemi vendosur të krijojnë një ekip, që do të ndërtohet nga Arben Ahmetaj. Isha sot me Elvis Naçin, nesër do jem me Arbër Hajdarin, ku kemi prej disa muajsh që po bëjmë së bashku një PPP për njerëzit në nevojë. Është ndërtuar një qendër fantastike për mbledhjen e ndihmave. Fondet e mbledhura nga kontributet dhe fondet e buxhetit duhen administruar së bashku, të jenë të garantuar nga gjithë njerëzit. Do harmonizohen të gjitha veprimet, Elvisi ka vendosur të përqendrohet në një pikë të nxehtë në Thumanë, Arbri në një pikë tjetër, ne po ashtu”, deklaroi Rama.

https://www.facebook.com/ElvisNaci/posts/2562927803791219

https://www.facebook.com/FundjaveNdryshe/posts/2686008088132330

Naçi në faqen zyrtare të hapur mbledhjen e fondeve shprehet se deri tani ishin 558 mijë dollarë amerikanë. Ndërsa fondacioni “Fundjavë Ndryshe” e Arbër Hajdarit ka mbledhur deri më tani, 1,423,870 USD.
Një tjetër nismë është edhe ajo e gazetarit të Marin Mema së bashku me “Rrënjët Shqiptare” që ka mbledhur në 2,1 milionë USD. I pyetur nga Gazeta “Si”, Mema shprehet se do të mbledhin vetëm kontribute në vlera monetare. “Ne do të kërkojmë koordinim, por nuk dorëzojmë në terren fonde që janë dhënë nga shqiptarët në çdo cep të botes. Nuk mund të lejojmë keqmanaxhim në asnjë mënyrë. Deri në qindarkën e fundit ato fonde do të shkojnë për të prekurit. Pa transparence kjo nuk mund të funksionoje”, shprehet Mema.

https://www.facebook.com/398978473473902/photos/a.399006910137725/3368165483221838/?type=3&theater


Për çështjen e ndihmave dhe të kontributeve, kryeministri Edi Rama reagoi sërish duke kërkuar që shqiptarët të mos japin ndihma në ushqime, pasi skadojnë. Gjithashtu ai kërkon që të mos dhurojnë rroba. “Kanë ardhur pafund dhe hapësirat e magazinimit po shterren. Në Portin e Durrësit s’ka më kapacitet për depozitimin e tyre dhe nevoja është përmbushur e tejkaluar, falë shumë njerëzve, sipërmarrjeve, organizatave, institucioneve brenda e jashtë! Gjynah nga Zoti të skadojnë a të kalben nga mospërdorimi. Ju lutem kuptoni se problemi i emergjencës fillestare të ushqimit dhe veshmbathjes se fatkeqëve, është tanimë i zgjidhur dhe i tejkaluar falë jush”, shkruan Rama.
Për këtë ai bën thirrje që të dhurohen vetëm në vlera monetare dhe vetëm në vlera monetar, nëpërmjet portalit e-albania, si një adresë e vetme.
“Nuk ka vjedhje ndihmash e as shitje ndihmash, në asnjë lloj niveli shqetësues, por bëhet fjalë për episode krejt të parëndësishme për nga përmasa apo për shfaqje e postime provokatorësh të pashpirt, në lumin e ndihmave të solidaritetit fantastik”, thekson Rama në postimin e tij.

Numrat për ndihma

Qytetarët, kompanitë, bizneset që duan të kontribuojnë për të ndihmuar familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, ju lutem të kontaktojnë numrat e mëposhtëm:

04 22 22 223

04 22 28 250

0688046664


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë