Nga Gazeta ‘Si’- Ndryshe nga Samiti për Ukrainën ku Prishtina zyrtare u përfaqësua me presidenten Vjosa Osmani, Kosova nuk u përfaqësua sot në nivel politik në samitin BE-Ballkani Perëndimor. Të paktën fizikisht.
Ditën e sotme kryeministri Albin Kurti nuk udhëtoi drejt Tiranës dhe zgjodhi të marrë pjesë përmes një video-mesazhi, edhe pse ishte përfolur pjesëmarrja e tij në samit. Madje, në shumë tryeza emisionesh u diskutua jo pak një takim i mundshëm me presidentin serb Aleksandër Vuçiç nën ndërmjetësimin e kryeministrit Edi Rama.
Por ndërsa Tirana ziente që ditën e djeshme nga pikëpyetjet për arsyen e mungesës së tij, Kurti vijoi agjendën e tij në Irlandë të Veriut dhe kreu qetësisht një sërë takimesh protokollare.
Angazhimet e mëparshme, ishin arsyeja e mungesës së tij edhe sipas zëdhënësit të qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu kur u pyet lidhur me mungesën e Kurtit.
Në Irlandë Kurti u prit fillimisht nga ministrja e parë Michelle O’Neill dhe zëvendësministrja e parë Emma Little-Pengelly në Kështjellën Stormont ku sipas deklaratave të qeverisë së Kosovës, diskutimet mbuluan çështje të shumta që përfshinin paqen edhe pajtimin.
Më tej Kurti vijoi agjendën e tij me kryetarin e Parlamentit të Irlandës Veriore, Edwin Poots ku foli për themelimin e Muzeut të Luftës në Kosovë që në qendër do të ketë dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve.
Pjesa tjetër e ditës së Kurtit ishte e dedikuar për fëmijët e shkollës fillore Nettlefield dhe më pas ligjëroi në “Queens University” në Belfast në diskutimin e zhvilluar me temë “Shtetndërtimi në Kosovë: Sfidat dhe Mundësitë”.
Megjithatë, alibitë për ndonjë hatërmbetje të mundshme mes tij dhe Ramës i hodhi poshtë ky i fundit gjatë fjalës së tij në samit i cili e ‘justifikoi’ mungesën e Kurtit.
“Kurti mungon për arsye objektive”, deklaroi Rama në mbyllje të pjesës së parë të samitit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.