Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën në Shkup se mbështetja e Bashkimit Evropian, duhet të jetë edhe financiare.
“Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim, do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa u përket reformave, aty në qendër e kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërkaq të projekteve i kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor”, ka thënë shkurt Kurti.
Kurti ka përmendur se ky plan përshpejton rrugën e Ballkanit drejt BE-së.
Sipas tij ky është një takim shumë i rëndësishëm i cili do të mundësojë të ketë sa më shumë bashkëpunim rajonal dhe ecje më të përshpejtuar drejt bashkimit Evropian.
“Në këtë mbledhje 6 shtete të Ballkanit Perëndimorë e takojnë Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes. Brukseli dhe Uashingtoni bashkë me Ballkanin Perëndimorë në Shkup për rritjen ekonomike dhe jo vetëm të rajonit tonë. Vlerat e Bashkimit Evropian duhet të bëhen reforma tek ne, ndërkaq mbështetja e Bashkimit Evropian duhet të jetë edhe financiare”, tha Kurti.
Ndërsa gjatë fjalës së mbajtur, Kurti tha se për t’u integruar rajoni ekonomikisht dhe të përafrohen qytetarët, duhet të ndërpriten kërcënimet e sigurisë.
“Integrimi më i thellë dhe rritja e qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve, kërkon besim të ndërsjellë e marrëdhënie normale mes shteteve tona, institucioneve e njerëzve tanë. Kjo s’mund të ndodhë nëse liritë për qarkullimin e mallrave shfrytëzohen për t’i lëvizur armët e municionin ose për t’i sponsorizuar sulmet terroriste”, tha Kurti.
Ai ka thënë se është kyçe normalizimi i marrëdhënieve bazuar në njohje të ndërsjellë.
“BE-ja paraqet zgjedhje strategjike të lidershipit të një shteti. Është detyra jonë të reformohemi e plotësojmë kushtet, e BE-ja të gjykojë më pas bazuar në merita”, ka thënë Kurti.
Gjithashtu, kryeministri theksoi edhe një herë së është koha që kërcënimet të ndërpriten.
Kurti po ashtu ka falënderuar BE-në, SHBA-në dhe Maqedoninë e Veriut për këtë takim të rëndësishëm, që sipas tij do të mundësojnë sa më shumë bashkëpunim rajonal, por edhe ecje më të përshpejtuar drejt BE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




