Forum

“Kurthi” i të ardhurave të mesme për frymë


Nga Irena Beqiraj-Në fillim të viteve ’90, Shqipëria ishte kombi më i varfër në Europë. Nga viti 2000 deri në vitin 2008 ritmet e rritjes ishin të shpejta,(mesatarisht mbi 6% në vit) dhe pro të varfërve. Konsumi shfaqi tendencën e një rritjeje më shpejt për 40% të familjeve në decilet e ulëta. Niveli kombëtar i varfërisë ra nga 25.4% në 2002 në 12.5% në 2008.


Që prej vitit 2008, Shqipëria përjeton një ngadalësim në ritmet e rritjes. Kjo ulje u shpjegua me krizën financiare botërore me uljen e nivelit të remitancave (të cilat ishin mesatarisht 15.2 për qind të PBB-së midis 2000 dhe 2008), si dhe 2) me dobësimin ekonomik të dy partnerëve tanë kryesor tregtar, Italisë dhe Greqisë.
Por viti 2008 përkoi me kalimin e Shqipërisë nga një vend me të ardhura të ulëta për frymë në një fazë tjetër zhvillimi, atë të vendit me të ardhura të mesme. E theksoj këtë, pasi sot në botë janë 88 vende, të cilat prej 60 vitesh, që prej vitit 1960, “notojnë në ujërat” e vendeve me të ardhura të mesme duke mos e tejkaluar dot hendekun e tranzicionit për t’u klasifikuar vende me të ardhura të larta. Pikërisht ky stanjacion ku ekonomia ka tendencë të përballet me një rritje të ngadalësuar është cilësuar kurthi i vendit me të ardhura të mesme. Ekzistenca e një kurthi të tillë, megjithëse nuk pranohet nga disa ekonomistë, ka shtyrë shumë të tjerë të dyshojnë se mekanizmat e rritjes ekonomike ndryshojnë kur një vend kalon nga një fazë zhvillimi në një tjetër.
Natyrshëm lind pyetja cili nga variablat bazë të rritjes ekonomike (kushtet demografike, institucionet, liberalizimi i tregtisë dhe tregjeve financiare, eksportet, infrastruktura fizike dhe zhvillimet makro-financiare) është variabli kryesor i nevojshëm, i cili i ka penguar 88 vendet me të ardhura të mesme për të realizuar në 60 vite një tranzicion të suksesshëm? Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) studioi këta faktorë dhe ka arritur në disa konkluzione të rëndësishme.
Së pari edhe pse jemi mësuar t’i konsiderojmë institucionet një faktor të rëndësishëm për rritjen ekonomike, ky variabël është kritikuar për qëndrueshmërinë dhe endogjenitetin e tij. Studime si ai i Glaeser (2004) ka përcaktuar që elementi më i rëndësishëm për rritjen ekonomike është qëndrueshmëria dhe cilësia e kapitalit njerëzor, i cili është faktor përcaktues edhe qëndrueshmërinë e institucioneve. Për më tepër, studimi i FMN-së, por jo vetëm ai, konkludojnë se për vendet me të ardhura të mesme, demokracia nuk është përcaktues i detyrueshëm për rritjen ekonomike, ndërsa stabiliteti politik dhe shteti ligjor ka rëndësi për të gjitha vendet.
Dy faktorë të tjerë të konsideruar të rëndësishëm përfshijnë liberalizimin ose privatizimin e tregjeve financiare si dhe liberalizimin e tregtisë. Privatizimi i tregjeve financiare, i cili është konsideruar si parakusht për rritjen ekonomike nuk rezulton i tillë as në studime e as në praktikë. P.sh. nga mesi i viteve 1990 Koreja iu bashkua klubit të vendeve me të ardhura të larta (OECD), edhe pse sistemi i saj financiar mbeti shtetëror dhe i paprivatizuar. Dani Rodrik, në një studim që daton në 1996, konkludoi se ekonomitë e Azisë Lindore, Koreja dhe Tajvani, e arritën statusin e vendeve me të ardhura të larta pa një liberalizim të tillë, ndërsa vendet e Amerikës Latine, të cilat përqafuan liberalizimin e tregut financiar nuk kanë dalë akoma nga ”kurthi i të ardhurave të mesme”. Kështu që edhe ky variabël i konsideruar i fuqishëm, nuk është i tillë në përcaktimin e rritjes ekonomike për vendet me të ardhura të mesme.
Tregtia e lirë edhe pse është një tipar i rëndësishëm i ekonomive të zhvilluara dhe një kusht i domosdoshëm për të arritur këtë status, pamjaftueshmëria e saj për vendet në zhvillim është e dukshme. Pamjaftueshmëri që lidhet së pari me rregullat e marrëveshjeve të tregtisë midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim. Joseph Stiglitz në librin e tij “Njerëzit, pushteti dhe fitimi” shprehet: “Nga përshtypja ime si kryekonomist i Bankës Botërore, ishte e qartë se rregullat globale të lojës anonin në favor të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të zhvilluara në kurriz të vendeve në zhvillim. Marrëveshjet tregtare ishin të padrejta - në të mirë të SH.B.A.-së dhe Evropës dhe në dëm të vendeve në zhvillim”. Kjo anësi në favor të vendeve të zhvilluara pengon rritjen e vendeve në zhvillim duke ulur mundësinë e tyre për të rritur eksportet.
Marrëveshjet e tregtisë së lirë midis vetë vendeve në zhvillim kanë rezultuar po ashtu të pamjaftueshme për rritjen e eksporteve. P.sh. CEFTA, që daton që prej 1992 nuk i rriti në mënyrë të qenësishme volumet e shkëmbimit tregtar të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. 2/3 e eksporteve të Ballkanit Perëndimor shkojnë drejt Europës dhe vetëm 20% e eksporteve shkëmbehen brenda 6 vendeve.
Vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme si Shqipëria, kanë tendencë të konkurrojnë me njëri-tjetrin, edhe kjo konkurrencë bazohet tek çmimet. Prandaj rritja e pagës minimale në Shqipëri qoftë edhe me 1,000 lek është “patate e nxehtë” edhe vendim i vështirë në tavolinën e çdo qeverie. Po ashtu vlerësimi i lekut është ”gjëmë më vete” për eksportet. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të bazojë rritjen e eksporteve në konkurrencën e çmimeve (nënvlerësimin e monedhës vendëse apo pagat e ulëta), por në diferencimin e produktit, duke kaluar nga Imitimi tek Inovacioni.
Që prej viteve ‘90 deri në vitin 2008 u rritëm shpejt pasi disavantazhi ynë, varfëria (pagat e ulëta) ishte avantazhi ynë konkurrues. Që prej vitit 2008 ky avantazh po zbehet. Që tranzicioni për të kaluar në një vend me të ardhura të larta të mos zgjasë 60 vjet, Shqipëria duhet të ndryshojë qasjen e saj ndaj mekanizmave të rritjes. Çështja që pret përgjigje dhe zgjidhje është si do të rrisim njohuritë tona produktive? Çështje e vështirë për t’u trajtuar në pallavrat e programeve ekonomike afatshkurtra partiake, por aspak e vështirë për t’iu imponuar nga një shoqëri mendjehapur një klase politike mendjembyllur.


Copyright © Gazeta “Si”


Komente