Forum

Investimet e huaja – mbështetje pasive e rritjes ekonomike


Nga Irena Beqiraj-Nëse do të pyesni një qytetar të thjeshtë a ndikojnë investimet e huaja direkte në rritjen ekonomike, përgjigjja do të jetë “aq shumë sa flitet për to, ‘Po’ duhet të jenë shumë të rëndësishme”. Nëse do të pyesni një anëtar qeverie jo vetëm që do të thotë Po, por do ta mbështesë atë me të dhënat e suksesit të qeverisë së tij në tërheqjen e investimeve të huaja. Nëse do të pyesni një opozitar, ulja e investimeve të huaja është një nga arsyet e dështimit të qeverisë në zhvillimin ekonomik të vendit. Por, nëse do të pyesni një ekonomist, përgjigjja do të jetë disi ndryshe: Janë mbështetje pasive e rritjes ekonomike.
Edhe pse duhet thënë se në këto 3 dekada, investimet e huaja kanë mbështetur rritjen ekonomike, punësimin dhe stabilitetin fiskal në Shqipëri, pasiviteti i tyre materializohet dukshëm te mundësitë e tyre të kufizuara për të rritur eksportet në mënyrë të qëndrueshme në të ardhmen.
Së pari, kjo pamundësi në Shqipëri vjen si rezultat i mungesës së diversifikimit të investimeve të huaja. Kompanitë e huaja në Shqipëri kanë investuar më së shumti në shfrytëzimin e burimeve natyrore (naftë, metale dhe ujë), sektorin e shërbimeve financiare, si dhe në aktivitetet fundorë të cikleve të prodhimit siç (është montimi) duke shfrytëzuar krahun e të lirë të punës. Vlera e shtuar e aktivitetit të tyre në Shqipëri ka qenë përgjithësisht e ulët. Kjo shpërndarje sektoriale nuk ofron qëndrueshmëri në planin afatgjatë, pasi jo vetëm burimet natyrore janë të kufizuara, por çdo ditë e më shumë rritet presioni i nivelit të pagave, duke detyruar një pjesë të investitorëve të lëvizin drejt vendeve me paga më të ulëta. Edhe pse qeveritë shqiptare të të gjitha kohërave kanë hartuar strategji për thithjen e investimeve të huaja direkte, kanë ngritur infrastrukturë administrative dhe ligjore për tërheqjen e tyre (agjenci, ligje të posaçme), aftësia e tërheqjes së investimeve të reja duket se po kufizohet. P.sh në vitin 2013 fluksi i investimeve të huaja ishte 9.8% e PBB-së, në 2018 flukset e investimeve të huaja ranë në 8% të PBB-së. Ne jemi treg i vogël dhe fatkeqësisht i rrethuar nga tregje po ashtu të vegjël dhe jo shumë të integruar. Ky fakt nuk na bën tërheqës për kompanitë e huaja, të cilat janë duke kërkuar tregje të reja. Sipas një studimi të Bankës Botërore 9 në 10 kompani shumëkombëshe do të ishin të gatshme të zgjeronin aktivitetin e tyre në vende të tjera kryesisht për të siguruar tregje të reja.
Një fakt shumë i rëndësishëm, që nënvizon mbështetjen pasive dhe jo afatgjatë që kanë dhënë investimet e huaja të deritanishme, është transferimi i njohurive. Edhe pse sot llogarisim 57.5% të PBB-së investime të huaja, sipas Indeksit të Kompleksitetit Ekonomik, i cili ofron një matje sasiore të njohurive prodhuese të një vendi, Shqipëria ka nivel të ulët të njohurive prodhuese krahasuar me nivelin e saj të ardhurave. Edhe pse krenohemi që jemi vendi i dytë në rajon për nga niveli i investimeve të huaja, duket se ato kanë ndikuar pak në rritjen e njohurive në vend. Kjo për arsye se Shqipëria ka arritur të tërheqë investime nga vende që po ashtu si ne, kanë njohuri të ulëta prodhuese. Vendin e parë në investimet e huaja me 27% e zënë investimet greke. Sipas Indeksit të Kompleksitetit Ekonomik, Greqia është vendi tjetër në rajon (pas Shqipërisë) ku njohuritë produktive janë nën parashikim.
Sipas Universitetit të Harvardit, struktura jonë aktuale e prodhimit nuk mund të mbështesë rritjen ekonomike të qëndrueshme. Bazuar në këtë strukturë rritja ekonomike për dekadën e ardhshme parashikohet mesatarisht 1.83%.
A duhet qeveritë të vazhdojnë të gjejnë “qetësinë afatshkurtër” dhe të matin performacën e vet me mbështetjen pasive të siguruara nga Investimet e Huaja dhe Direkte? Apo duhet të fillojë të mendojë seriozisht se Investimet e Huaja edhe pse ndikojnë në rritjen ekonomike afatshkurtër, nuk tentojnë të rrisin aftësitë produktive të një ekonomie aq të domosdoshme për zhvillimin e saj afatgjatë?
Nëse këtë pyetje do t’ia bëja një qytetari të thjeshtë përgjigjja do të ishte dekurajuese “ky objektiv duket i madh për shtegun e ngushtë të politikëbërjes shqiptare”.


Copyright © Gazeta “Si”