Ka ndodhur

Kurora e pishave në Krujë prej 4 ditësh në flakë. Zjarr edhe në kodrat e Peshtanit në Fier

Gazeta Si – Për të katërtën ditë radhazi, kurora e pishave në zonën e quajtur Krastë në Krujë ndodhet nën pushtetin e zjarrit.

Fillimisht vatra e zjarrit është shfaqur në ish repartin ushtarak në thellësi të kurorës së pishave të Krujës.

Më pas është shfaqur një tjetër vatër në zonën e fabrikës se çimentos në Fushë Krujë. Paraprakisht, dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm, edhe pe policia ka niur hetimet.

Flakët janë përhapur në sipërfaqe të konsiderueshme në pjesën e Krastës dhe në malin e fshatit Borizanë. Zjarrfikësit dhe forcat e ushtrisë po vijojnë të përballen me  zjarrin që përhapet me shpejtësi.

Dëmi në pyllin me pisha është i konsiderueshëm, ndërkohë që dje në mbrëmje në ndihmë të zjarrfikësve lokalë kanë mbërritur dhe forca të ushtrisë nga Burreli dhe Tirana.

Autoritetet lokale kanë kërkuar ndihmë nga Ministria e Mbrojtjes për ndërhyrje nga ajri, por 4 helikopterët ‘Coguar’ të ‘Mbrojtjes’ ishin në remont.

Një ditë më parë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi theksoi se për momentin, vatra më serioze është në Krujë, ku sipas tij kanë shkuar 60 forca nga Forcat e Armatosura.

Kodrat e Peshtanit të Madh në Fier

Ndërkohë, prej disa orësh këtë të enjte, një zjarr përfshiu edhe kodrat e Peshtanit të Madh në Fier.

Zjarri ka rënë në një sipërfaqe toke me ullishte dh pisha dhjetëra vjeçare, ndërkohë që aty pranë janë varrezat e vjetra të fshatit.

Zjarri rrezikoi edhe antenat televizive dhe celulare që ndodhen në kodrën e Likovunit në Peshtan të Madh. Në vendngjarje ka mbërritur policia dhe zjarrfikësit, ndërkohë që zjarri po ndihmohet nga era e fortë.

Punonjësit zjarrfikës po luftojnë me mjete rrethanore, sepse terreni shumë i thyer, ndërsa në ndihmë u kanë ardhur banorë të zonës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë