Art dhe Kulture

Kur teatri nuk duhet të mbesë vetëm “eksperimental”, sfidat e Altin Bashës në kohë pandemie

Kur teatri nuk duhet të mbesë vetëm “eksperimental”, sfidat e Altin Bashës në kohë pandemie

Nga Luljeta Nelallari - Para 3 muajsh regjisori i njohur, Altin Basha, u emërua në krye të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Por, që prej marsit të vitit të kaluar, teatrot nuk i kanë çelur dyert fizikë për të dhënë shfaqje dhe drejtorit të ri të Teatrit Eksperimental i është dashur të rreket në mënyrat e reja të komunikimit me publikun, pra në sferën online.

Në një intervistë për Gazetën “Si”, Basha jep detaje të këtij rrugëtimi të ri. Ai vë theksin te dialogu me publikun, mbështetjen e profileve të reja regjisoriale në teatër dhe hapjen e Teatrit Eksperimental ndaj teatrove avangardë europianë. E ndërsa, pandemia mbetet ende e fortë siç shprehet Basha, Teatri Eksperimental po sheh për mundësinë e shfaqjeve të projekteve verore në ambiente të hapura dhe për marrjen pjesë në dy festivale teatrore jashtë vendit.

Zoti Basha, ju u emëruat në krye të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në momente të vështira për shkak të pandemisë Covid-19, si kanë qenë këto 3 muaj për ju në krye të këtij institucioni? 

Së pari, më është dashur që të njihem me institucionin dhe me specifikat që ka pasur, sigurisht që unë kam pasur një njohje të natyrës së tij, por jo të mënyrës si ka funksionuar, të buxheteve, të mënyrës si janë përdorur buxhetet, të mënyrës se si administrohen marrëdhëniet e aktorëve, të artistëve me teatrin, etj.

Ju keni deklaruar se në fokus të platformës suaj do të jetë publiku, a keni menduar ju ndonjë plan konkret për të ndërtuar një marrëdhënie dialogu mes publikut dhe institucionit?

Një nga pikat e rëndësishme të platformës sime të paraqitur për të drejtuar Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka qenë vendosja e një dialogu me publikun, për të kuptuar më mirë se si publiku e shikon Teatrin, çfarë shfaqjesh do donte të shikonte, mënyrën se si e marrin informacionin, çfarë lloj dramaturgjie pëlqehet në publikun e sotëm, e shumë shumë pyetje të tjera, të cilat ne menjëherë sapo fillova punën i kthyem në një formular online, i cili u shpërnda dhe në njëfarë mënyre kemi filluar të marrim përgjigjet për të kuptuar më mirë shijet e publikut tonë, mënyrën se si ne duhet ta orientojmë repertorin dhe sigurisht ato që mund t’i ofrojmë publikut tonë pa krijuar një lloj ndarje, një lloj hapësire boshe, e cila e bën teatrin ndonjëherë të pakomunikueshëm me publikun. Mendoj se tani kemi një tablo të qartë, kjo ka qenë koha që na është dashur për të bërë këtë gjë dhe nga ana tjetër iu bashkëngjitëm me një partneritet Teatrit Kombëtar për Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit.

Ndër të tjera në platformën tuaj, ju jeni shprehur dhe për një laborator për regjisorët e rinj, dramën shqipe apo edhe përkthimin e veprave të huaja moderne në shqip. Si do të funksionojë dhe a ka nisur?

Sapo ka nisur një workshop online me një kolege tonën, e cila jeton në Francë, e cila ka studiuar Teatrin kontemporan në tërësi. Ai workshop realizohet këto ditë me temën “Molieri në skenën moderne franceze”. Është një workshop, i cili përqendrohet kryesisht në marrjen e Teatrit klasik dhe trajtimin në formë kontemporane të tij, por përveç këtij workshopi, i cili është i rëndësishëm për regjisorët e rinj dhe kemi pasur mjaft pjesëmarrje, ne jemi në rrugën e realizimit të disa workshopeve të tjera me Institutin Italian të Kulturës, që lidhen kryesisht me zanatet teatrore, ose ndryshe profesionet e backstage, siç janë realizimet e kostumeve, realizimi i skenografive, realizimi i rekuizitave, e shumë elementë të tjerë, të cilët ndonëse në Teatrin tonë ka një traditë për fat të keq nuk kemi profesionistë në këtë fushë, kështu që edhe ky është një hap shumë i rëndësishëm, të cilin e konsideroj një ndihmë që u vjen në mbështetje teatrove edhe sidomos prodhimit teatror, jo vetëm në Teatrin Kombëtar Eksperimental, po edhe në teatro të tjera të Shqipërisë.

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit "Moisiu on" (nismë e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental) për herë të parë u zhvillua online. Si ka qenë shikueshmëria dhe a e arriti qëllimin e tij ky festival edhe në këtë format?

Mendoj që ka pasur një shikueshmëri të mirë, sigurisht shikueshmëria e festivalit online nuk mund të krahasohet me shikueshmërinë që ka shfaqja Live, është më e madhe sepse të jep mundësi online, por nga ana tjetër ajo nuk e ka kualitetin e shikimit në sallën e madhe, por unë dëshiroj ta theksoj që është një festival i fituar, në kuptimin nuk është një vit i humbur, është kollaj që ta lejosh të kalojë një vit me pretekstin që do presim momentin e duhur kur të dalin Live, por me sa duket ky moment nuk është në dorën tonë, dhe mënyra më e mirë ishte kjo, pra paraqitja e një panairi teatror i gjithë produktit të teatrove publike, të teatrove jashtë Shqipërisë dhe teatrove private, kështu që jam shumë i kënaqur që u organizua, jam i kënaqur me ndjekshmërinë, madje mund të them që në komunitetin e artistëve dhe të spektatorëve të teatrit ky festival ka ngjallur debat, ka ngjallur diskutime për cilësinë e shfaqjeve, për realitetet dramaturgjike, për realizimet aktoreske dhe mendoj që ka qenë një iniciativë që ia ka vlejtur dhe që do të japë një rezultat.

Çfarë projektesh të afërta ka Teatri Eksperimental që mund t’i ndani me ne?

Neve momentalisht jemi në një diskutim me një festival teatror që zhvillohet në Venecia këtë verë, i cili na ka bërë një ftesë për të marrë pjesë në festival, por diskutimi jonë me ta është që në mënyrë absurde shfaqja teatrore që do të shkojë atje të përfaqësojë Teatrin Kombëtar Eksperimental duhet të jetë e bazuar mbi rregullat e distancimit social, në këtë kuptim jemi duke parë të gjitha mundësitë tona për të realizuar ndoshta një produksion, i cili të marrë pjesë në këtë festival pasi e konsiderojmë një element kyç, i cili gjendet në platformën time që lidhet me hapjen e Teatrit Eksperimental ndaj bashkëpunimeve me të huajt, ndaj pjesëmarrjeve në festivale, ndaj ballafaqimeve të produkteve avangardë. Ndërkohë jemi duke punuar për pjesëmarrjen në një festival teatror në Turqi, në Antalia, në verë, edhe me ta kemi nisur një dialog për të parë se cili do të ishte produksioni i përshtatshëm për t’u përfaqësuar. Ndërkohë po projektojmë dhe po diskutojmë për mundësinë e shfaqjeve të projekteve verore në ambiente të hapura ku mund të na lejohet që të mund të shfaqen produksionet tona.

Prej një viti teatrot qëndrojnë mbyllur, kur mendoni ju se Teatrot do t’i hapin dyert fizikë? 

Sipas meje, teatri do duhej t’i mbante dyert hapur, ndonëse jemi në kushte të jashtëzakonshme, ekzistojnë mundësitë në teatro që nëpërmjet distancimit social, nëpërmjet reduktimit të kapacitetit të teatrove, nëpërmjet projektimit të shfaqjeve me pak aktorë aktiviteti teatror të vazhdonte, por është një gjë përtej kompetencave dhe mundësive tona. Komiteti i Ekspertëve dhe qeveria shqiptare ka vendosur kushte të panegociueshme që lidhen me shfaqjet ne jemi të detyruar të pranojmë vendimet e saj, por nga ana tjetër kemi bërë përpjekjet tona për t’i argumentuar Ministrisë së Kulturës dhe Komitetit domosdoshmërinë e mbajtjes hapur të aktivitetit teatror dhe mundësitë që ekzistojnë që ky aktivitet të mos jetë i dëmshëm për shëndetin e spektatorëve. Deri tani jemi në nivel negociatash, por me sa duket pandemia ende mbetet e fortë.

Cila është sfida më e madhe për ju në këtë eksperiencë të re dhe çfarë do të sillni ndryshe?

Sfida më e madhe është hapja e teatrit ndaj prodhimeve teatrore ndërkombëtare. Unë e konsideroj një element esencial për Teatrin Eksperimental krijimin e një ure të vazhdueshme bashkëpunimi me teatrot në Europë ose rajon. Së dyti, një problem i madh mbetet mbështetja me buxhete të mjaftueshme të shfaqjeve teatrore në mënyrë që ato të mos vuajnë nga mungesa e buxheteve, që në fakt prekin cilësinë e shfaqjeve teatrore. Një prioritet tjetër i madh është krijimi i profileve të reja regjisoriale në teatër. Ndihma për regjisorët e rinj është një ndihmë për të ardhmen e teatrit, sigurisht edhe ndihma për aktorët e rinj, por regjisorët duke qenë tashmë figurat drejtuese të teatrit, liderët e projekteve teatrore, atëherë do duhet që ne ta nisim nga ky element kyç ripërtëritjen e teatrit shqiptar, pasi në fushën e regjisë nuk kemi aq cilësi, kështu që është e domosdoshme që t’u japim një prioritet regjisorëve të rinj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë