Lajme

Kur Olta Daku flet me murin …dhe e dëgjojnë të gjithë

Një shtëpiake 42-vjeçare, e mërzitur me jetën e përkufizuar nga banaliteti i përditshmërisë kaluar mes qeseve të pazarit dhe lavamanit të kuzhinës, vendos të kapë  trenin e fundit të mundësisë për t’ia rinisur, e lirë, në një ishull të Greqisë…Tingëllon si një nga ato temat klishe të komedive romantike të kinemasë e megjithatë Olta Daku nën përparësen e gatimit di të jetë bindëse.

Bindëse sikur atë histori palumturie gruaje – fajësofsh për këtë sistemin a patriarkatin -, ta zbuloje për herë të parë e po aq sa ta ndieje sikur ishte jeta jote.Ajo është Shirli, që diku në atë shtëpi ku jeton prej 20 vitesh -e shndërruar në një orendi a pajisje të automatizuar që kryen një funksion si stufa apo larësja e rrobave- i ka humbur Valentina, që përtej mbiemrit të vajzërisë është  jeta që nuk ndodhi të ishte ajo e ëndërruara.

Shirli janë edhe të gjitha ato gra, të ulura në ndenjëset e amfiteatrit të Liqenit Artificial, që lëshojnë të qeshura me zë në çdo batutë , që lidhen me një bashkëshort gërnjar i transformuar nga vitet e larg prej atij që u dashuruan apo me pakënaqësinë seksuale ku klitori i ngjan një toke të pazbuluar…

Por Shirli i Olta Dakut dhe Driada Dervishit -, regjisorja me të cilën ka bashkëpunuar së paku  në gjashtë produksione teatrale -, nuk është ajo që ulet përpara një gote vere e bisedon me murin, për të tingëlluar patetike.

E lënë vetëm në angaritë e shtëpisë dhe thuajse e braktisur nga dy fëmijët e rritur, Shirli Valentina ka gjetur të vetmin bashkëbisedues – e ndoshta dëgjuesin më të mirë – murin e kuzhinës së shtëpisë.Por një shtëpiake si ajo e krijuar nga Willy Russell në vitet ’80 në periferitë e Liverpulit, ka humor të mprehtë edhe pse të zymtë, ndërsa regjisorja me mjeshtëri ka ditur t’i heqë çdo element që e lidhin me Britaninë, duke e aktualizuar në të sotmen dhe lokalen.

Sa shumë e gjejnë veten kur Olta, me zërin e Shirlit, thotë se burrat janë njësoj “sillen ëmbël derisa marrin atë gjënë…”Por Shirli nuk fajëson bashkëshortin, as burrat në përgjithësi, për jetën e pajetuar edhe pse ironizon robërinë e rutinës me të “enjtet e biftekut” të bashkëshortit apo  “20 vitet e të kremtuarit në të njëjtin restorant”.

Shirli Valentina shfaq nota të vogla rebelizmi- edhe pse kërkon të bindë veten përmes audiencës se bota e saj rrotullohet brenda asaj shtëpie dhe ajo është ingranazhi kryesor -, kur vendos të ushqejë me biftekun e bashkëshortit qenin e fqinjëve veganë (një tjetër thumbim i dramaturgut për botën postmoderne ), por ajo nuk është feministe.

Të paktën jo ajo agresivja si mikesha  e saj, Xhulia, që i urren burrat pasi bashkëshorti e tradhtoi pikërisht me një burrë apo si e bija, Sindi, e cila ka përqafuar idetë politike të majta dhe është shndërruar në luftëtare të thekur të të drejtave të grave.

Por dramaturgu britanik përmes Shirlit thumbon dhe ironizon feministet, të cilat për punët e rëndomta të përditshmërisë sërish mbështeten tek roli i grave. Atyre u takon mbretëria e lavamanit! Atyre që në jetë zgjodhën të bëheshin shtëpiake.

Por jeta nuk është ajo që vizatojmë dhe as ajo që shohim të vizatuar tek të tjerët. Takimi me shoqen e vjetër të shkollës, më e dalluara e klasës, e cila i zbulon  se punon si eskortë dhe i rrëfen se ka zili jetën e saj, bëjnë që gjërat të ngacmohen brenda Shirlit.Por është bileta e dhuruar nga Xhulia, për pushime në Greqi, që do t’ia trazojë botën e brendshme, do ta konfliktojë me detyrat dhe të drejtën për të jetuar, për ta çliruar në fund.

Komedia është monolog, por aftësia aktoriale e Olta Dakut nuk e lë të bjerë në monotoni. Përkundrazi. Ajo dhuron të qeshura pa u sforcuar dhe jo vetëm tek audienca e grave në moshë të mesme ( publiku është një përzierje interesante moshash dhe djem fare të rinj, në vitet e adoleshencës qeshin duke përsëritur me zë batutat e aktores) . As nuk i duhet ndonjë plastikë e veçantë për të ravijëzuar personazhet  dhe zërat e tyre; nga i shoqi, tek e bija, shoqja e ngushtë, fqinja ziliqare dhe i biri, përmes të cilit qesëndis atë brez artistësh modernë. “Kaloji ato kodra të kaltra mam!”, thotë ajo me zërin e të birit, që e mban veten poet instalacionesh dhe, për të qenë i tillë, i duhet të jetojë për snobizëm në një shtëpi gjysmë të rrënuar.

Oltës nuk i duhet të transformohet për të bindur se është shtëpiakja Shirli, apo një këngëtare kabareje tek “Sonte do të luajmë pa tekst” , motra e madhe tek “Kujtesa e ujit” , Nëna  te  “Allegreto Albania”,  Antonia  tek  “Çifti i shqyer” , “Dorina tek “Tartufi”, piktorja  rebele ndaj pushtetit, në Venecian së shekullit 16,  tek “Galaksia” , rol i vënë në skenë së fundi, Sonja tek “Vanja, Sonja Masha e të tjerë” – që i dha edhe çmimin “Kult si aktorja e vitit më 2015 – e as Afroviti i Karnavaleve të Korçës, roli i saj i parë në teatër më 2003-shin. As nuk e reklamoi veten si një aktore që guxon me tabutë, në shfaqjen “Monologët e Vaginës”, së autores Eve Ensler ku përmes sinonimesh të organit femëror, synohej të denoncohej dhuna seksuale ndaj gruas.

Sepse Oltës i parapëlqen të flasë vetëm në skenë, përmes roleve që vesh. E ja ku është për të tretin vit me Shirli Valentinën, pasi ka bërë xhiron e teatrove nëpër të gjithë vendin,  ka marrë pjesë në festivalin e komedisë “Koko Fest” në Korçë, ku ajo u vlerësua me çmimin e aktores më të mirë, duke e sjellë më të freskët se kurrë.

Me përvojën e izolimit të madh, gjatë pandemisë Covid-19, edhe ato të cilave jeta nuk i ngjan asfare me të Shirlit, ndihen më pranë saj se kurrë pasi provuan në lëkurë të sillesh brenda mureve të shtëpisë e nëse nuk folën me to,  gjetën të shfryjnë në të tjerë mure, të botës virtuale…

Për nga prania, me thuajse çdo vend të mbushur të shkallëve të Amfiteatrit të Liqenit – këto ditë si i vetmi tempull i sigurt për shfaqje e ngjarje kulturore, publiku dukej i etur për atë emocion që dhuron teatri – për t’u përhumbur në ato dy orë nga realiteti e pse jo ndonjëra syresh të bënte katarsisin e madh…

“Nëse do të bëja atë që bën Shirli, do të isha femra më trime në botë. Dhe atë duhet të bëj. Atë duhet të bëjnë të gjitha”, thoshte vite më parë Olta Daku për personazhin e saj.Shirli ia del. Greqia nuk është destinacioni i pushimeve,  por rrugëtimi brenda vetes, Amerika e zbulimit të jetës (Edhe të ndonjë Kristofor Kolombi me emrin Kostas, që gjatë një aventure i zbulon atë, tokën e panjohur: klitorin).

Në një vend kur gratë ende në 2020-n  vriten për motivet më absurde, ku vajzat e vogla përdhunohen nga perversë të moshuar, ku të tjera duan të bëhen të pasura duke shitur trupin e të tjera trajtohen nga familjet si mall këmbimi, të jesh Shirli kërkon guxim. Jo më kot, Shirli i Olta Dakut u vlerësua si mono-komedia e vitit, për 2019-n.

“Pse e kemi të gjithë këtë jetë kur nuk e jetojmë, për çfarë i kemi ëndrrat  kur nuk i realizojmë?”, thotë Shirli, e cila edhe në Greqi gjen një mik për të biseduar; muri është zëvendësuar me shkëmbin, por ajo është më e fortë, me më shumë vetëbesim, e gatshme të hidhet pa frikë nga çatia për të kapur ëndrrat.

https://www.facebook.com/110389340663130/videos/1283060445399866

“Çfarë gruaje është ajo që braktis familjen,  tradhton bashkëshortin dhe i arratiset një jete shtëpiakeje prej 20 vitesh?”, do të gjykonin moralistet, nga ato që i dëgjojmë shpesh saherë që u vihen mikrofonat pas ndonjë ngjarjeje makabër që përfundon me vrasjen apo përdhunimin e një gruaje. “Publiku më shoqërizon me rolet komike e mendojnë se jam aktore e prerë për komedi. Nuk e kam aspak problem pse kanë këtë përshtypje” – tregonte  Olta, në një prej të paktave intervista të saj,  ndërsa vetë preferon rolet  tragjikomikë. “Siç është edhe vetë jeta. Çdo ditë e jona shoqërohet nga episode ku ndërthuren humori e drama e madje dhe tragjedia” .

Shirli përfundon e dashuruar me veten dhe Olta Daku përmes personazhit të saj kërkon t’i bindë ato gra, ato pa zë, të njëjtësuara me mobiliet apo pajisjet shtëpiake, të  nënshtruara rolit prej amvise dhe nëne në burgun e padurueshëm të përditshmërisë ku jeta të rrëshqet pa mundur të mbërthesh asnjë çast kuptimplotë e të paharrueshëm prej saj se ato munden.

Suksesi i këtyre shfaqjeve të etiketuara si “drama e lavamanit të kuzhinës”, mbase erdhi pikërisht sepse publiku i gjerë shihte veten tek personazhi në skenë. Të arratisesh drejt ishujve ekzotikë e të jetosh çdo ditë si një aventurë me të pasigurtën e të panjohurën për të qenë edhe njëherë Shirli Valentina, ajo vajzë me ëndrra apo thjesht për të pasur guximin ta shohësh jetën ndryshe, edhe kur numrat në moshë apo zëri i bashkëshortit, fëmijëve, fqinjëve, komunitetit  ngulmojnë të të thonë se koha jote ka ikur. Le të jetë përvoja jote, edhe kur tingëllon klishe. /S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë