Mjedis

Kur moti nxehet mjaftueshëm për të vrarë në masë/ A po bëhet vala e të nxehtit më e rrezikshme se përmbytjet dhe ciklonet?

Nga Azia Jugore në SHBA, nga Afrika në Europë, nxehtësia e madhe po e shtyn trupin e njeriut përtej kufijve të tolerancës fiziologjike.

Në një ditë prilli të vitit 1905, shkencëtari J.S. Haldane zbriti qindra metra në një minierë në Cornish për të zbuluar nëse mund ti rezistonte të nxehtit atje.

Studiuesit e dinin prej kohësh se njerëzit kanë një aftësi të jashtëzakonshme për t'i bërë ballë nxehtësisë kur ka mungesë të lagështirës. Një shkencëtar i shekullit të 18 zbuloi se ai mund të toleronte temperatura deri në 115 gradë Celsius, mjaftueshëm nxehtë për të gatuar biftekë. Por ajri i lagësht në minierë dukej se i ndryshonte gjërat. Megjithëse temperatura nuk u ngrit kurrë mbi 31.5 gradë Celsius, temperatura e trupit dhe pulsi i Haldane rriteshin me çdo minutë, duke arritur nivelet e etheve përpara se të ngjitej pas tre orësh. “Për njerëzit e zakonshëm bëhet e pamundur të qëndrojnë për periudha të gjata kur temperatura e lagësht rritet mbi 31 gradë Celsius”, shkroi ai.

Ky zbulim nuk ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve që atëherë, por atmosfera jonë ka ndryshuar. Ndërsa klima ngrohet, kushtet që dikur përjetoheshin vetëm në sauna dhe gropa të thella të minave po bëhen me shpejtësi realiteti në ajër të hapur për qindra miliona njerëz. Pas disa orësh me nxehtësi të lagësht mbi 35 gradë Celsius, edhe njerëzit e shëndetshëm në hije dhe ujë të pakufizuar do të vdisnin nga goditja e nxehtësisë. Për ata që kryejnë punë fizike është akoma më e rëndë.

Brajabandhu Sahu i njeh shumë mirë shenjat fizike. Një shitës ambulant që shet ushqime në cep të dy rrugëve të ngarkuara në Bhubaneswar, kryeqyteti i shtetit lindor indian të Odisha, është i rrethuar ndonjëherë nga një mur zjarri nga i cili nuk mund të shpëtojë. Kur dita është më e nxehtë, i dhemb koka, rrahjet e zemrës shtohen dhe valët e të përzierave janë të vazhdueshme. Erërat e ngarkuara me lagështi që fryjnë nga Gjiri i Bengalit i vënë qytetarët në këtë rajon në rrezik të veçantë.

Mjekja Suman Pradhan thotë se njerëzit nuk janë akoma të vetëdijshëm për rrezikun.

“Ata nuk e kuptojnë rrezikun e nxehtësisë. Mund të arrijnë në një fazë vërtetë kritike ku trupi nuk përgjigjet dhe temperatura e trupit vetëm sa rritet”, thotë Pradhan.

India nuk është i vetmi vend me valë të nxehti. Një valë e nxehtë u përhap nga Afrika e Veriut nëpër Europë këtë verë, duke i shtyrë temperaturat në disa pjesë të Spanjës dhe Francës më shumë se 10°C më të larta se mesatarja sezonale dhe duke thyer shumë rekorde mujore.

Ndërsa klima ngrohet, çdo vit na afron më shumë në pikën e kthesës ku zona të mëdha të planetit janë të ekspozuara ndaj temperaturave të rrezikshme të lagështisë së nxehtësisë. Problemi është se ne kemi shumë pak informacion se sa afër po afrohemi, për shkak të cilësisë së dobët dhe disponueshmërisë së të dhënave.

Deri vonë, shkencëtarët ishin në ‘errësirë’ se sa shpejt po rriteshin rreziqet. Skenarët ku valët e nxehtësisë së lagësht mund të shkaktojnë vdekje masive ishin një temë për parashikime të kujdesshme, të menduara nga ekspertët.

Ekziston një "tavan i dukshëm" në nxehtësinë e lagësht, sipas një studimi të vitit 2010, sepse kur nivelet rriten shumë, ato shkaktojnë stuhi, duke ftohur përsëri atmosferën.

Tre vjet më parë, Colin Raymond, atëherë student në Universitetin Columbia, vuri re një problem. Studimet e tij treguan se tashmë ne kishim arritur të kalojmë çdo parashikim moti dhe pragu prej 31 gradë mesatarja e motit ishte kaluar me kohë, në të gjithë botën.

Disa kolegë refuzuan të besonin rezultatet e Raymond.

"Nuk ka asnjë shans që këto vlera të jenë të sakta", tha Radley Horton, profesor. Megjithatë, pas raundeve të shumta të rishikimit, studimi u botua në maj 2020 në revistën Science Advances.

Modelet kompjuterike kanë vështirësi në marrjen e ekstremeve të nxehtësisë për shkak të rezolucionit të tyre të ulët. Nëse keni një zonë të vogël me nxehtësi të jashtëzakonshme në mes të një rajoni disi më të freskët, si një qytet i rrethuar nga toka bujqësore ose pranë oqeanit një model kompjuteri me rezolucion të ulët do të humbasë kushtet që përjetojnë njerëzit që po punojnë jashtë. Janë edhe më pak në gjendje të kuptojnë se si janë gjërat brenda ndërtesave. Teoritë se si sillet atmosfera në valët e të nxehtit bazohen gjithashtu në parime të përgjithshme dhe vëzhgime historike, të cilat mund të mos pasqyrojnë kushtet lokale në zona specifike, veçanërisht kur vetë klima ndryshon. Duke parë vetëm grupet e të dhënave më të hetueshme, shkencëtarët kishin humbur atë që po ndodhte jashtë në botë.

Valët e të nxehtit të Indisë kanë qenë ekstreme ku vendi përjetoi marsin më të nxehtë që nga fillimi i mbajtjes së rekordeve atje 122 vjet më parë. Nju Delhi regjistroi një temperaturë maksimale prej 42 gradë e lart në të paktën 26 ditë këtë sezon veror, duke arritur në 49 gradë në disa pjesë të kryeqytetit. Temperaturat janë rritur shumë mbi normale në të gjithë vendin. Në Himalaje, bora u shkri herët, ndërsa prodhimi i grurit u dogj.

Në vitin 1905, Haldane shkroi se kishte "një mungesë të madhe informacioni" në lidhje me temperaturat. Situata vazhdon edhe sot e kësaj dite. Ky është një boshllëk informacioni kritik, sepse është shumë e rëndësishme të dihet temperatura reale për të kuptuar aftësinë e trupave tanë për t'i bërë ballë valëve të të nxehtit.

Në gjendje për të mbytur shoqëri të tëra, valët e të nxehtit mund të bëhen një fenomen shumë më i dëmshëm në shekullin e 21-të sesa ciklonet dhe përmbytjet.

"Nxehtësia është një fatkeqësi e heshtur", thotë Chandni Singh, studiues i klimës.

Një valë e madhe e të nxehtit, vetëm disa gradë më e lartë se ajo e parë në Indi gjatë dy muajve të fundit, jo vetëm që mund të vrasë dhjetëra, madje qindra mijëra por ajo gjithashtu mund të mbingarkojë rrjetet elektrike, të shkaktojë mbylljen e termocentraleve, të shkatërrojë të korrat dhe të pengojë rritjen ekonomike të vendeve.

"Shumë nga këto ngjarje ekstreme nuk kanë ndodhur kurrë në të kaluarën, kështu që ato janë me të vërtetë jashtë kufijve të përvojës", thotë Ethan Coffel, profesor.

Më shqetësuese sesa fakti i thjeshtë i temperaturave është vendi ku ato po ndodhin. Shumë nga zonat më të prekura janë në Azinë Jugore, ku jetojnë mbi një miliard njerëz dhe më pak se 10% kanë akses në ajër të kondicionuar që mund të jetë shpëtimtar në një valë të rëndë të të nxehtit. Shumë prej tyre punojnë në bujqësi ose në punë joformale ku nuk ka strehë nga nxehtësia ekstreme e ditës.

Aktualisht, rreth 89,000 njerëz vlerësohet të vdesin çdo vit në Indi nga temperaturat e nxehta dhe me ngrohjen globale, vdekjet nga nxehtësia do të rriten në 1.5 milion në vit.

Burimi: Bloomberg. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë