Nga Gazeta Si - ‘Sokrati’ shqiptar, aktori brilant, Mirush Kabashi mbylli sytë përgjithmonë në moshën 75-vjeçare në orët e para të mëngjesit të 5 dhjetorit.
Mirush Kabashi ishte një nga personalitetet më të fortë të kulturës shqiptare në këtë gjysmë shekulli dhe ndonëse do të mungojë fizikisht, puna dhe veprat e tij do mbeten një thesar në kulturën e kombit shqiptar.
Aktorja Margarita Xhepa, e cila ka punuar në disa filma me të, thotë për Gazetasi.al se ikja e tij është trishtim jo vetëm për aktorët, për ata që kanë pasur fatin të punojnë me të, por edhe për të gjithë artdashësit, për vlerat e tij.
“Ishte një aktor që e donte artin, që punonte me një përkushtim të jashtëzakonshëm, duke krijuar kështu personalitetin e tij artistik, të veçantën e tij. E them i veçantë sepse ai dallohej në filma dhe në teatër për rolet dhe karakteret nga më të bukurat dhe më të veçantat. Sigurisht pa harruar rolin e madh dhe të bukur në ‘Apologjia e Sokratit’ me të cilin duartrokitjet i mori me meritë, duke ngritur sallën në këmbë me atë rol, por dhe aty ishte një aktor tepër i veçantë në trajtimin e Sokratit. Do ta quaja një karakter të jashtëzakonshëm”, shprehet aktorja Margarita Xhepa për Gazetasi.al.
Si një aktore që ka pasur fatin të punojë në dy-tre filma me Mirush Kabashin, Xhepa veçon bashkëpunimin në filmin “Koncert në vitin 36’, duke theksuar edhe karakterin miqësor të tij.
“Kemi punuar bashkë me regjisor Saimir Kumbaron në Libohovë. Marrëdhëniet ishin të mrekullueshme, u krijua një atmosferë e jashtëzakonshme, duke ndihmuar dhe duke sugjeruar njëri-tjetrin. Mirushi ishte një aktor i dashur, një aktor që dinte të të respektonte, me buzëqeshjen dhe me humorin e tij elegant. Aty krijoi një personazh ai që i mbahej goja, saqë kur filluam interpretimin, menduam dhe filluam të qeshnim se mos me të vërtetë Mirushit i mbahej goja. Dmth e bëri rolin aq të vërtetë, sikur ishte tamam një me rolin, ishte një aktor shumë serioz, kishte një merak të jashtëzakonshëm”, vijon më tej aktorja Xhepa.
Regjisori Saimir Kumbaro thotë për Gazetasi.al se Mirushi ka qenë aktor shumë komunikues dhe e dëgjonte shumë regjisorin. Sipas tij nuk ishte nga ata “aktorët e llastuar”.
“Nuk ishte nga ato lloj aktorësh, ne i themi aktorë të llastuar. Me Mirushin jam njohur në filmin “Koncert në vitin 1936”. Kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë. Për filmin vetëm unë e di se ç’kam heq për ta marrë, nuk ma jepnin për arsye se Mirushi kishte biografi të keqe. Dhe unë i thashë sekretarit të partisë, ‘unë për rol negative e dua’. Mirush Kabashi dhe Robert Ndrenika ishin një çift fantastik. Kemi kaluar shumë mirë në Libohovë. Mirush Kabashin e kam pasur dhe në tre filma të tjerë, po gjithnjë ka qenë në këto rolet negative, për mua ato janë më të bukura dhe më të vështira si role”, kujton regjisori kontributin e Kabashit.
Regjisori Kumbaro shton ndër të tjera se “Te Mirushi kam gjetur atë që s’e kishte çdo lloj aktori. Mirushi për mua ishte një tel bakri, që kthehet nga të duash ti. Nuk ishte aktor që të bezdiste”.
Akorja Margarita Xhepa teksa veçon edhe xhirimet në filmin “Ne dhe Lenini” me Mirush Kabashin në Kavajë, thotë se ishte një aktor që punonte me aritmetikë.
“Dhe aty kam kujtimet më të bukura për Mirushin e paharruar. Dhe aty krijoi një karakter tepër të veçantë, llogariste çdo gjë, ishte një aktor që gati punonte me një aritmetikë”.
Për Margarita Xhepën, Mirush Kabashi nuk do të harrohet, pasi ishte aktor i dy planeve, sa dramatik, aq edhe komik.
“Është një aktor që nuk do të harrohet. Ai krijoi emrin e vet dhe la vlera të jashtëzakonshme, si në film edhe në teatër. Do të mbetet i gjallë për atë karakter të veçantë që kishte në artin shqiptar. Krijonte marrëdhënie miqësore, në xhirime ishte shumë i qeshur. Njeri i mrekullueshëm”.
Edhe për skenaristin Ruzhdi Pulaha, Mirush Kabashi ishte mjeshtër i interpretimit me diapazon shumë të gjerë, që nga komedia deri te tragjedia.
“E kam dashur gjithmonë bashkëpunimin me të. Ai ka qenë një model i punës. Kishte një dashuri të madhe për teatrin. Ai ishte një mik i jashtëzakonshëm që impononte dëshirën për punë. Në çdo bisedë ai fliste vetëm për teatrin dhe për filmin, për rolet që kishte dëshirë të luante, është një fatkeqësi që iku shpejt. Ai kishte akoma mundësi për të dhënë vlera të tjera”.
Përpos roleve në teatër dhe filma, Mirush Kabashi te publiku mbahet mend edhe për interpretimet artistike të poezive të ndryshme. Sipas aktores Margarita Xhepa, kjo aftësi për të interpretuar në mënyrë brilante e veçonte nga të gjithë aktorët e tjerë.
“Do të theksoja një gjë shumë të madhe dhe të bukur që nuk e ka çdo aktor. Ai e deshi shumë poezinë dhe unë kisha shumë respekt për ata që e donin poezinë, sepse poezinë dhe unë e kam dashur gjithë jetën. Ai punonte dhe i zgjidhte materialet nga poetët tanë të mrekullueshëm, dhe u jepte një interpretim brilant sidomos temave të patriotizmit. Faqe pa mbarim i mësonte përmendsh dhe jo poezi, por poema të gjata. Me një fjalë artist shumë dimensional”, përfundon aktorja Margarita Xhepa për Gazetasi.al.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.