Art dhe Kulture

Kur këndonte Franco Battiato: Radio Tirana nuk transmeton më muzikë ballkanike

“Franco Battiato lindi nga hiri i poezisë. Ai ishte një Dadaist (Dadaizmi, që ka marrë emrin sipas shprehjes da-da, që në fakt paraqet belbëzimin e parë të fëmijës, është rrymë ekstreme artistike dhe letrare nga fillimi i shekullit XX (1918-1924). Me mënyrën e shprehjes, dadaizmi tentonte të kthehej në fillimet e para të të menduarit dhe në format e para të komunikimit, duke u mbështetur në tendencat e ekspresionizmit).

Ai ishte një surrealist. Ishte i tillë në vitet ’70, në një mënyrë ekstreme, eksperimentale, me koston e kryerjes së koncerteve para një publiku me tre persona. Me ironinë që e karakterizonte, ai shpërtheu dhe krijoi një brez të tërë që besonte se rryma e tij ishte pop, dhe më vonë u zbulua se bëhej fjalë në të vërtetë për një univers të gjerë informacioni dhe botësh brenda “.

Me këto fjalë, shtypi italian përshkruan Franco Battiato-n, i cili u nda nga jeta në shtëpinë e tij në Milo, në provincën e Catania, ku doli në pension në vitin 2019. Nuk mund të ketë sintezë më të saktë për të për të përshkruar një prej pjesëve më të famshme nga Battiato, “Voglio vederti danzare”.

Kjo këngë është pjesë e albumit “Arka e Noes”, publikuar më 1982, duke rezultuar një sukses i vërtetë: me më shumë se 500,000 kopje të shitura, u rendit në krye të klasifikimeve për shumë muaj. Shumë nga brezi i sotëm e njohin këngën nga versioni i Prezioso në 2003.

Kjo këngë është shprehja perfekte e asaj ” ironie therëse” me të cilën Battiato fshehu një ‘univers të pafund informacioni dhe botësh’, duke mos u kujdesur që mund të ishte e paarritshme për shumicën e njerëzve.

Kënga përshkruan një udhëtim mijëra kilometrash drejt Lindjes, për të zbuluar grupe të ndryshme etnike, traditat e lashta të kulturave dhe popujve të largët dhe të afërt. Një udhëtim që ka si temë kryesore vallëzimin. Vallëzimi si gjuhë e trupit dhe e shpirtit, ritual dashamirës.

Dua të të shoh duke kërcyer

Si ciganët e shkretëtirës

Me shandanë në kokë

Ose si balinezet në pushime

Dua të të shoh duke kërcyer

Si dervishët fluturues

Ose nën tingujt e kërcimit Katakali

Pikënisja e udhëtimit është Milano, qytetin ku u regjistrua albumi që përmban “Voglio vederti danzare”. Nga kryeqyteti Lombard ne udhëtojmë në jug për në Egjipt, ku takojmë “ciganët e shkretëtirës me shandanë në kokë”. Këtu Battiato i referohet Raqs Shamadan , një vallëzim i përsëritur në dasmat egjiptiane, gjatë së cilës kortezhi i dasmës shoqërohet nga një valltar i cili vendos një shandanë të madhe në kokën e nuses, duke simbolizuar fat.

Më vonë takojmë “Balinezët në pushime”, të cilët me kostume shumëngjyrëshe dhe lëvizje hipnotike kërcejnë për perënditë e tyre, të shoqëruar nga valltarë dhe fyelli i bambusë. Nga Indonezia lëvizim në Kapadokia, ku takojmë figurat më kurioze të këtij udhëtimi: “dervishët flutures”. Këta dervishë rrotullohen përreth vetvetes në drejtimin e kundër të orës, fillimisht ngadalë dhe pastaj gjithnjë e më shpejtë deri sa mbërrijnë në 30 rrotullime në minutë.

Qëndrojmë në atmosferën orientale, por lëvizim në Indi. Fryma krenare e këtij populli ndihet në mënyrë të përsosur kur ata kryejnë kërcimin kathakali. Kjo është një dramë kërcimi, e sofistikuar dhe e rreptë në të njëjtën kohë. Sipas legjendës, ajo tashmë është më shumë se një mijë e gjysmë vjeç. Vetëm se të merr frymën nga këto shfaqje, kur kupton se një performancë e tillë dikur mund të ishte shikuar nga vetë Buda.

Dhe Radio Tirana transmeton

muzikë ballkanike ndërsa

valltarët bullgarë

ecin këmbëzbathur në tapetin e zjarrtë

Në Irlandën e Veriut

Në sallat e vallëzimit veror

Çiftet e moshuar që vallëzojnë nën

ritmin e shtatë të tetave (kërcim vendas)

Refreni na dërgon në Shqipëri, ku Battiato sinkronizohet për një moment në “Radio Tirana që transmeton muzikë ballkanike” dhe hyjmë në botën cigane të përbërë nga ritme të ndryshme, violina, fizarmonikë dhe tradita të tjera.

Largohemi nga emocionet ballkanike për të shkuar dhe për të ndjekur ritualin antik të Anastenaria, “valltarët bullgarë ecin këmbëzbathur në tapetin e zjarrtë”. Këtu Battiato përmend një rit antik nga një rajon i Bullgarisë lindore, i cili është rezultat i një përzierje të besimeve antike pagane, traditave të Kishës Ortodokse dhe meditimit. Në fakt, vetëm pasi meditojnë për minuta të gjata dhe hyjnë në një dimension të shkëputur nga trupi, valltarët janë gati të përballen me zjarrin, zbathur.

Ndalesa tjetër na çon në Irlandën e Veriut, ku “çiftet e moshuara vallëzojnë në ritmin e shtatë të tetave”. Megjithëse nuk kemi referenca të sakta për ritmin e përmendur në këngë, mund të imagjinojmë një vallëzim shoqëror me një logjikë grupore, në të cilën çiftet lëvizin mjeshtërisht, duke u bashkuar herë pas here në një rreth që zgjerohet dhe tkurret me muzikën.

Udhëtimi është gati të mbarojë dhe ndërsa kthehemi në Itali nga Belfast, na kujtohen “ritmet obsesive, ritualet fisnore, mbretëritë shaman dhe lojtarët ciganë rebelë” që hasëm gjatë rrugës.  Battiato na çon në udhëtime të mahnitshme, duke na zbuluar botë të ndryshme, na flet për gjërat reale në një mënyrë dhe me një gjuhë që është surrealiste, ashtu siç ishte rryma që përqafoi.

Karriera e tij e gjatë prej pothuajse 5 dekadash e ka bërë rrugën e Battiato-t vërtetë unike në panoramën italiane. Një mendimtar i lirë ironik, Franco ka praktikuar artin e provokimit dhe ka pasur gjithashtu një përvojë të shkurtër (të papaguar) si këshilltar për Rajonin e Siçilisë në Crocetta, e cila zgjati nga nëntori 2013 deri në mars 2014 dhe përfundoi në një mënyrë të stuhishme. Megjithëse ka qenë gjithmonë larg qëndrimeve luftarake, ai kurrë nuk e ka fshehur simpatinë e tij për të Majtën dhe me “Povera patria” ai ka nënshkruar një nga portretet më intensive të degradimit të Italisë.

Më ndarjen e tij nga jeta në moshën 76-vjeçare, muzika humbi një artist të madh, që me ironinë e tij mjeshtërore dhe sensin e tij proverbial dhe të sofistikuar të humorit i dha shumë artit italian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë