Ishte 8 gushtit i vitit 1991 kur anija “Vlora” hyri në portin e Barit. Pikërisht atëherë “Italia e kuptoi që ishte bërë një vend i imigracionit dhe jo më vetëm i emigracionit”.
29 vjet pas atij që njihet si eksodi i shqiptarëve, shoqata “Shqiptarët e Italisë” dhe shoqata “Volare” e kujtojnë këtë moment online për shkak të pandemisë.
“29 vjet nga anija Vlora, flasim për integrimin dhe sfidat ende të hapura.”,- shprehen organizatorët e këtij aktiviteti.
“Shqiptarët e Italisë”- 29 vjet nga anija “Vlora” vjen nën organizimin e Tomasso Nannicini, Geri Ballo, Marco Locarra, Eva Meksi e Nicola Montano.
“Këtë vit dua të jem i pari që kujtoj anijen Vlora, e cila solli një pjesë të mirë të njerëzimit të quajtur ‘pushtuesit’ në Bari, 29 vjet më parë. Pushtues që mbështetën Italinë dhe shprehën lumturinë se kishin arritur lirinë, sipas tyre.
I drejtoj një kujtim të veçantë komandantit Halim Milaqi, një zotëri i njerëzimit dhe me një kompetencë të madhe në lundrim.”, shprehet Nicola Montano, një ish inspektor policie në atë periudhë të eksodit, ndërsa bën publike edhe disa foto të mbërritjes së shqiptarëve në Itali, të realizuara nga një oficer i Marinës Italiane.
“Fotografitë që postoj janë realizuar nga një oficer i Marinës Italiane nga anija “Euro”, që shoqëronte anijen “Vlora” nga brigjet e Brindisit për në Bari, me detyrën për të parandaluar hyrjen në portet italiane me manovra lëvizjeje. Dikush (Borghezio) tha se duhet të qëllonim me armë. Unë, që isha inspektor policie, nuk do të kisha qëlluar kurrë kundër njerëzve të paarmatosur dhe të respektoja betimin që kisha bërë në emër të Kushtetutës së Republikës Italiane”, – vijon Montano.
Ndërsa kapiteni i anijes Vlora, Halim Milaqi e kujton me emocione eksodin e gushtit 1991. Anija e drejtuar prej tij u mbush tej kapaciteteve dhe arriti me shumë mundim në Itali.
“Patëm shumë probleme. Në bord kanë qenë rreth 20 mijë veta. Përfundoi uji i pijshëm. Anija ishte me motorr të hapur për riparim. Nga ekuipazhi anijes e sidomos nga sektori i makinerisë është bërë e pamundura që të riparohet ose të vihet motorri në eficencë për të shkuar drejt portit Italian,” sjell ndërmend Milaqi.
Robert Budina është një prej atyre që ka qenë pjesë e anijes Vlora me shumë të rinj të tjerë në gushtin e vitit 1991.
Sipas tij, udhëtimi me anijen “Vlora” është “një nga historitë më prekëse dhe më të veçanta të emigracionit botëror, një udhëtim drejt lirisë, që duhet të përkujtohet”.
Por, është për t’u theksuar sipas tij, se edhe sot, pas gati tre dekadash “shqiptarët janë sërish me valixhe në duar” dhe duhet që vetë njerëzit të ndërgjegjësohen të luftojnë për lirinë e tyre, “që të mos përsëritet më e kaluara e hidhur”.
HAJDUTËT E YJEVE…
Në librin “Hajdutët e yjeve, historitë e emigrantëve dhe të tjera”, Nicola Montano rrëfen se pasi telefonoi sallën operative në transmetuesin e radios, dëgjoi komandantin e Kapitenerisë, duke biseduar me komandantin e Vlorës, Halim Milaqi.
“Komandant, qeveria italiane ka vendosur të mohojë zbarkimin e anijes në portin e Barit. Duhet të ktheheni në Shqipëri.”
H.M: “Ju nuk mund ta mohoni zbritjen në Bari. Duhet të dini se këtu ka njerëz që janë duke vdekur nga etja dhe uria. Ka fëmijë, gra shtatzëna dhe njerëz të moshuar, që kanë nevojë për ndihmë. Nëse këta njerëz nuk pinë, ata do të fillojnë të vdesin për disa orë. Në bord ka një person të dëmtuar, i cili ka nevojë për kujdes urgjent. Ai po rrjedh gjak për vdekje”.
“Komandant, e përsëris që nuk mund të hyni në Itali. Duhet të ndryshojë kursin. Duhet të kthehet në Shqipëri.”
H.M: “Nuk mund të kthehem në Shqipëri në këto kushte. Ka probleme me motorët. Nuk mund ta përballojmë të zhvendosemi. Ekuipazhi është i rraskapitur, motorët kanë nevojë për mirëmbajtje. Këtu është një njeri i plagosur rëndë. Njerëzit janë të etur dhe të uritur. Ka fëmijë dhe gra shtatzëna që absolutisht kanë nevojë për kujdes.”
“Atëherë mund të ankoroni në det të hapur. Do t’ju ofrojmë ujë dhe ushqim dhe do të ndihmojmë të plagosurit”.
H.M: “Jo, nuk mundem. Jam i detyruar të hyj në port”.
Montano tregon se u kthye në skelën e jashtme dhe pa manovrimin e Vlorës për të hyrë në port ngadalë, por me siguri.
Ftesat nga komandanti i kapitenit kishin rënë në vesh të shurdhër, ndërsa manovrat e anijes “Euro”, që synonin të pengonin hyrjen e anijes “Vlora” në portin e Barit ishin të kota. Kapiteni i anijes “Euro” nuk mund të bënte asgjë, nuk mund të mendonte dhe me të drejtë nuk e goditi anijen “Vlora”, duke shmangur që një nga fatkeqësitë më të mëdha të ndodhura ndonjëherë në det. Ndërsa, për fat të mirë, kushtet e motit detar ishin më shumë se të mira.
“Fati apo Zoti i përkrahu mijëra njerëz që u ngjitën kudo në anije. “Vlora” kishte fituar hyrjen në port. Isha disa dhjetëra metra larg, pashë gjithçka. Shqiptarët po festonin. Ata kishin arritur qëllimin e tyre. Bërtitjet e gëzimit ishin të panumërta, pashë ata njerëz që qeshnin për lumturinë, lumturinë e arritjes në Itali, tokës së lirisë dhe mirëqenies. Për ta, Italia ishte Amerikë. Ata e njihnin mirë Italinë e Raffaella Carrà, Pippo Baudo, Heater Parisi, Mike Buongiorno, Michele Placido, të Milanit të Berlusconit, Juventusin e Agnellit. Ata e njihnin mirë komisar Cattanin.
Ata e njihnin mirë “pasurinë” e spoteve publicitare: të detergjentëve, sapunëve, pastave të dhëmbëve, kremrave anti-rrudhë…
Ata e dinin sa lehtë fitoheshin para në emisione televizive. E gjithë kjo kishte hyrë në njohuritë e tyre në një mënyrë “të paligjshme”, “kontrabandë”, sepse Enver Hoxha nuk donte që ata ta shikonin RAI-n. Por ata mund edhe të kuptonin duke gabuar, sa e lehtë ishte në Itali t’i kushtoheshe bërjes së televizionit. Për shqiptarët Silvio Berluskoni ishte një mit.”- komenton Montano.
“Vlora” me ngadalë, edhe pse u pengua nga anija “Euro”, arriti të kapërcejë hyrjen e portit. Megjithatë, ajo u detyrua të përballej me një manovër. Kishte përfunduar në bazenin e madh të portit dhe nuk mund të shkonte më tej, duke pasur parasysh manovrat e anijes “Euro” dhe thellësinë e vogël të ujërave të portit pranë Qendrës Universitare Sportive.
“Një shqiptar i ri, i cili ndoshta i kishte kuptuar të gjitha, u zhyt në ujërat e portit dhe pas disa çastesh, shembullin e tij e ndoqën shumë të tjerë. Kështu filloi përpjekja e shqiptarëve për të ‘pushtuar” Barin. Nga moli unë ndiqja atë shfaqje të pabesueshme.
Halim Milaqi ishte detyruar me kërcënime të armatosura nga bashkatdhetarët e tij që të kapërcente bllokadën dhe të mos iu bindej urdhrave të Kapitenit të Barit.”*
*Pjesë nga libri “Hajdutët e yjeve, historitë e emigrantëve dhe të tjera”
NJË HISTORIK I SHKURTËR
Ky eksod i shqiptarëve ishte i treti në rradhë pas dy eksodeve historike, atyre të ambasadave të korrikut `90 dhe anijeve të marsit 1991.
8 gushti i vitit 1991 njihet ndryshe si eksodi i shqiptarëve, të cilët ‘të ngarkuar’ mbi një anije mallrash lundruan drejt tokës së ëndërruar, Italisë. Anija ‘Vlora’ mbërriti në portin e Barit, ndërsa mbante sipër saj mbi 20 mijë shqiptarë, të etur për liri. Kjo e shtunë shënon 29 vjetorin nga data e eksodit të madh.
Emigrantët shqiptarë, të cilët udhëtuan për një të ardhme më të mirë, u mbyllën fillimisht në stadiumin e vjetër ‘Della Vittoria’, ndërsa më pas u riatdhesuan për në Shqipëri. Megjithatë, jo të gjithë u kthyen. Emigrantëve ushqimi u dërgohej me helikopter, ndërsa nuk mungonin rastet kur shqiptarët përlesheshin me policinë, pasi tentonin të dilnin prej aty.
Anija ishte e tejmbushur, ndërsa njerëzit vareshin ku të mundeshin, deri tek shtiza e flamurit.
Brenda dy javësh, ata u dërguan përsëri në Shqipëri me anije dhe aeroplanë. Sipas shifrave të asaj kohe, në vendin tonë u riatdhesuan 17 mijë e 400 persona, ndërsa në Itali mbetën 1.500 vetë, që kishin paraqitur kërkese për strehim politik.
Blerina Goce
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.