Nga Pablo Bejerano-Në vitin 1971 në Havana u themelua një grup imagjinar i quajtur Concubanas, i cili solli në skenë një bashkim unik të muzikës kubaneze dhe kongoleze. Ose kështu na tregon albumi i tyre Rumba Congo (1973), i cili sot numëron mbi 1.3 milion shikime në YouTube.
Por, në fund të përshkrimit të videos, një shënim zbulon të vërtetën e hidhur: ky grup nuk ka ekzistuar kurrë. Muzika në album është krijuar nga inteligjenca artificiale (AI), duke sfiduar idenë tradicionale të krijimit artistik.
Rumba Congo është vetëm një shembull i asaj që po ndodh sot në muzikë. Falë platformave të ndryshme si Suno, Boomy dhe Udio, AI është në gjendje të krijojë kompozime të komplekse, që shkojnë përtej muzikës ambientale apo relaksuese. Sot mund të dëgjosh gjëra nga salsa, rumba, jazz, deri tek rock-u, të gjitha të krijuara me ndihmën e algoritmeve. Një studim i organizatës ndërkombëtare CISAC nga Franca parashikon që deri në vitin 2028, 20% e të ardhurave nga platformat e streaming-ut do të vijnë nga këngë të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, me një rritje të jashtëzakonshme nga 100 milionë dollarë në 2023 në rreth 4 miliardë dollarë pesë vjet më vonë.
Megjithatë, sfida më e madhe me këtë zhvillim është mungesa e transparencës. Shumë prej këtyre krijimeve muzikore nuk tregojnë qartë se janë të gjeneruara , gjë që ngre pyetje serioze.
Profesoresha María Teresa Llano nga Universiteti i Sussex, e cila studion kryqëzimin mes krijimtarisë, artit dhe AI-së, thekson rëndësinë e sinjalizimit të qartë: “Nuk ka mënyrë për t’u siguruar njerëzve nëse diçka është e krijuar nga AI apo jo. Kjo është një përgjegjësi e madhe, për t’i bërë të qarta këto ndryshime për publikun.”

Në forume si Reddit dhe në komunitetin e përdoruesve të Spotify, tashmë ka debate të ndezura për ndikimin dhe praninë e këtyre këngëve të reja. Ka peticione që kërkojnë etiketime të qarta për muzikën e gjeneruar nga AI dhe opsione për të bllokuar këto përmbajtje nga playlistat personale. Një pjesë e dëgjuesve i sheh këto krijime si mashtrim, një ndjenjë tradhtie artistike, ndërsa të tjerë janë të fashinuar nga potenciali i teknologjisë.
Për shembull, Llano nga Kolumbiae cila është rritur me tingujt e salsës, thotë se kur dëgjoi Rumba Congo mendoi se ishte një album i mirë, por kur mësoi se ishte i gjeneruar nga AI, iu duk e mahnitshme, edhe pse i mungonte njerëzorja.
Kjo sfidë nuk prek vetëm muzikën, por edhe mënyrën si përjetojmë artin. Llano e përshkruan kështu: “Me artin tradicional krijohet një lidhje me artistin, ku mësojmë për jetën dhe ndikimet e tij. Me inteligjencën artificiale, kjo lidhje humbet.”
Kanali YouTube Zaruret, i cili promovon banda si Concubanas dhe Phantasia një tjetër grup imagjinar me tinguj jazz progresiv japonez është ilustrim i kësaj epoke të re. Ai publikon video muzikore me imazhe fikse, muzikë të krijuar nga AI dhe përshkrime të gjata, gjithashtu të gjeneruara nga AI. Kanali ka mbi 37,600 abonentë dhe miliona shikime, dhe përfshin njoftime për përmbajtje të “ndryshuar ose sintetike” në fund të secilës video.
Në përshkrimin e kanalit lexojmë: “Nuk do t’i besoni veshëve tuaj! Gjithçka këtu është trillim. Por çfarë është e vërteta? M**i, thjesht dëgjoni!” Një mesazh nihilist që sfidon kuptimin tradicional të artit dhe krijimtarisë.
Në një botë ku kufijtë mes të vërtetës dhe trillimit muzikor janë zbehur, dëgjuesi përballet me pyetjen e re: A mund të lidhesh me muzikën kur nuk e di nëse është krijuar nga njeriu apo nga makina? Dhe mbi të gjitha, çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e artit?
Burimi: El Pais
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.