Lajme

Kur do të pushosh në Shqipëri, por nuk ia del dot…

Dilema e turizmit patriotik i ka përfshirë të gjithë në këto ditë të nxheta në të gjitha kuptimet.

Mes frikës së koronavirusit, kufijëve të mbyllur, pak alternativa pushimesh jashtë dhe luhatje vendimesh për hapje-mbyllje kufijsh sa nga situata e pandemisë, po aq dhe vendimmarrje politike, shqiptarëve do t’u leveridiste, të paktën për këtë vit të pushonin në vend.

Menaxherët apo administratorët e hoteleve, rezorteve, por edhe pronarët e dhomave në bregdet herë  pas herë të kontaktuar nga gazeta “Si”, kanë artikuluar vazhdimisht se kapaciteti i pushuesëve ka rënë me 90% krahasimisht me një vit më parë, veçanërisht ato struktura që janë konceptuar që në krye të herës për tu ushqyer me turistë të huaj.

Situata në këtë kohë krize është e qartë; një pjesë  kanë humbur punës për shkak të mbylljes së aktiviteteve gjatë izolimit, një kategorie tjetër u janë ulur rrogat, kurse një kategori tjetër ka shpenzuar pushimet gjatë karantinës sipas rregullave të brendshme të kompanive.

Agjencitë turistike që më parë krijoinin dhe shisnin paketa turistike për pushime jashtë shtetit, me bllokimin që iu bë turizmit këtë vit nga kriza e pandemisë, kanë nisur të shesin edhe pushime për në vend.

Ofertat për korrikun nisin nga 70 euro nata çifti në Sarandë, 45 euro personi nata në Golem, e mandej vijon me 144 euro personi e duke u rritur më tej duke përfshirë mëngjesin e në hotele të tjera edhe të treja vaktet, por jo paketa all inclusive.

Kurse paketat e ofruara për në Greqi / Korfuz 299 euro 6 netë hotel me 4 yje dhe në pikun e sezonit, në gusht, Malta 85 euro personi, Turqia ka për të gjitha shtresat.

Në faqen e saj të facebook gazetarja e TV Scan Dafina Hysa do të shkruante disa ditë më parë: “Në përpjekje për të gjetur një hotel në bregdet me pishinë(kërkesë e panegociueshme e bijës), m'u desh të merrja në telefon nja 10-12 hotele. Me 3 vakte të përfshira (jo formati all inclusive) për ne të 4-ët, mbi 200 euro një natë. Vetëm me mëngjes çmimi fillon nga 140€. Këto janë çmime të fillimit të korrikut, në gusht me siguri do jenë më të larta. Kur do të pushosh në Shqipêri, por s'ia del dot. Për sqarim: këto çmime gjeta në hotelet që kontaktova, përgjatë vijës bregdetare të Durrësit dhe Kavajës. Skeptikët mund t'i shuajnë dyshimet me vetëm një telefonatë.”

Komentet që vijonin statusin ishin të ndryshëm dhe në antagonizëm me njëri-tjetrin; disa syresh e mbështesnin duke dhënë shembujt e tyre të çmimeve marramendëse dhe të abuzimeve në bregdetet shqiptare, të tjerët ofronin opsionin e bukës me vete dhe çadrës e peshqirit.

Pak ditë më parë IDRApoll.com, komunitiet online i anketimeve nga IDRA Research & Consulting, në një sondazh të fundit gjeti se gati 59% e shqiptarëve shprehen se nuk do të bëjnë pushime këtë vit.

Vetëm 8% e atyre që nuk do të shkojnë me pushime ndalohen nga frika e COVID-19 e cila lidhet ngushtë me shëndetin.

Pjesa më e madhe e tyre që nuk do të shkojnë me pushime argumentojnë se nuk kanë mundësi ekonomike, 29%

Rezultatet tregojnë se pavarësisht situatës ekonomike apo frikës nga infektimi me COVID-19 rreth 36% shqiptarëve deklarojnë se po presin të shkojnë me pushime gjatë muajve korrik-gusht-shtator. Ka edhe nga ata që tashmë i kanë përfunduar pushimet, rreth 2 %.

Mandej, një pjesë e qytetarëve po presin hapjen e kufijve drejt destinacioneve turistike jashtë Shqipërisë për të pushuar jashtë vendit.

Kompania e sondazheve nënvizon se rezultati sipas të cilit gjendja ekonomike ngelet shqetësimi kryesor i shqiptarëve në këto muaj është mbështetur edhe nga anketa të tjera të mëparshme që ka realizuar IDRApoll.com.

Shqipëria është një vend ku 26% e familjeve jetojnë me remitanca, prurjet nga familjarët emigrant. Ku dërgesat nga jashtë përbëjnë 90% të të ardhurave familjare të marrësve.

Nisur nga rrethanat e shkaktuara nga Covid-19, Banka Botërore parashikon që, Shqipëria mbetet një nga ekonomitë ku niveli i varfërisë në skenarin më optimist mund të arrijë në 40% të popullsisë, ndërsa në nivelin më pesimist në 44% të saj.

Në këto kushte si mund të realizohet turizmi patriotik? Patriotizmi mbetet detyrë vetëm e konsumatorëve? Po bizneseve çfarë u mbetet të realizojnë në bashkëveprimin e tyre për turizmin patriotik?

Agjencitë e pyetura në Tiranë nga Gazeta “Si”, të cilat shesin paketa truistike për brenda vendit thonë se çmimet janë rritur deri ne 25% në një masë të madhe, “por ka edhe nga ata që nuk i kanë rritur, por edhe nuk i kanë ulur”.

Ata shprehen se njerëzit pyesin, por nuk rezervojnë.

Kliton Gërxhani nga ATOA (Shoqata Shqiptare  e Tur Operatorëve dhe Agjencive Turistike) thotë për “Si” se “Si konsumator s'më vjen mirë, si biznesmen nuk gjej dot zgjidhje tjetër.”

Gërxhani përmbledh në këtë fjali përpjekjet që ka bërë sektori për ti bërë qeverisë të kuptojë situatën e rëndë që po përjeton rëndë industria dhe indiferencën e treguar prej qeverisë në këtë situatë.

Të njëjtën gjë pohojnë edhe shoqatat e tjera të turizmit në vend, të cilët përpiqen të justifikojnë çmimet e rritura të bizneseve, por që nga ajo që perceptohet, por mbi të gjitha nga ajo që tregojnë sondazhet dhe vetë të dhënat e agjencive turistike, janë të paktë ata shqiptarë që do të kryejnë pushime brenda vendit.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë