Njerez

Kur depresioni post-partum të “vjedh” burrin

Nga Briana Randall* - Tre ditë pasi kuptuam se unë isha shtatzënë, burri im Robi u mërzit shumë dhe vendosi të pinte gjithë natën. Gjatë kësaj kohe, çdo gjë ndryshoi në marrëdhënien tonë, ndërsa fëmija ynë rritej brenda barkut tim, ashtu rritej edhe nënvlerësimi i bashkëshortit tim. Prej tre muajsh ai ishte kthyer në një njeri i cili bërtiste nëpër shtëpi, ishte jashtëzakonisht i shqetësuar dhe shpeshherë mendonte t’i jepte fund jetës.

Kur ishim të rinj, kishim menduar t’i vendosnim fëmijës tonë të parë emrin Tyler, nëse do ishte djalë. Një mëngjes e gjej burrin tim, të shtrirë në tokë pasi kishte konsumuar një grusht medikamentesh qetësuese me alkool dhe nxitova ta ndihmoja, teksa dëgjoj të më thotë: “Thuaj Tyler-it se nuk ishte faji i tij”. Në ato momente, nxitova të merrja ambulancën dhe mjekët menduan se isha unë ajo që do të kisha komplikacione të shtatzënisë, por ishte im shoq ai që donte të vriste veten dhe ata e shpëtuan në kohë fatmirësisht.
Pak kohë përpara se të lindte fëmija, i cili ishte djalë, Robi filloi të vuante edhe nga pagjumësia dhe shpesh herë ndjente ankth. Asnjëri nga ne nuk kishte pasur përvoja të mëparshme nga sëmundjet mendore dhe unë nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte. Burri im ishte gjithnjë i dashur, ai këndonte nëpër shtëpi dhe gjithnjë kthehej nga puna me një dhuratë të vogël për mua, por ishte krejtësisht ndryshe pas lajmit të shtatzënisë. Robi u vizitua te mjekë të ndryshëm. Mori shumë medikamente, ndoqi shumë këshilla që i jepnin mjekët për të rregulluar humorin e tij, por asgjë nuk bëri efekt. Unë kisha shpresa se gjithçka do të bëhej më mirë pasi të lindja, se duke parë fytyrën e djalit do ta kalonte menjëherë këtë situatë të keqe, por përkundrazi, ai u bë më keq dhe nuk e shikonte fëmijën e tij asnjëherë, edhe pse jetonim në një shtëpi.

Megjithëse Robi përfundimisht u diagnostikua me një çrregullim të përgjithshëm të ankthit dhe depresion të rëndë, psikiatri nuk i lidhi kurrë simptomat me ndryshimet që dikush pëson në momentin që kupton se bëhet baba. Ndërkohë që unë mendoja se vetëm gratë pësonin gjendje të vështirë mendore të lidhura me lindjen e fëmijëve. Por teksa u takova një ditë me disa të afërmit tanë, mësova se Robi nuk ishte i vetmi që kishte kaluar në një situatë të tillë. Kishte pasur edhe burra të tjerë, përreth nesh që kishin vuajtur nga ankthi apo depresioni gjatë kohës që partnerja e tyre kishte qenë shtatzënë. Kur nisa kërkimet për këtë fenomen, mësova se kishte një studim në SHBA për depresionin prenatal të burrave dhe mendova se pse kjo gjë kishte ngelur në hije, e shumë pak njerëz dinin diçka për të.
“Ka një ide të gabuar përgjithësisht, për stresin para dhe pas lindjes. Të gjithë mendojnë se kjo gjë mund të prekë vetëm gratë, por gabohen,” më shpjegoi Wendy Davis, drejtoresha ekzekutive e organizatës jofitimprurëse “Postpartum Support International”, e cila ndihmon familjet të kalojnë stresin dhe shqetësimet e tjera mendore, gjatë fazave të ardhjes në jetë të një fëmije dhe pas lindjes.
Will Courtenay, një ekspert për problemet e shëndetit mendor të meshkujve dhe themelues i organizatës "PostpartumMen", shprehet se “ ideja që depresioni pas lindjes u ndodh vetëm grave është thjesht një mit”.
Ai më tregoi se fakti që mendojmë se burrat janë emocionalisht të fortë, shpjegon pse ne nuk dimë shumë raste të meshkujve që diagnostikohen me ankth ose depresion. Një tjetër arsye se pse depresioni i meshkujve pas lindjes ndodh, është sepse shfaqet më ndryshe se tek gratë. Baballarët në depresion, janë më të zemëruar dhe të irrituar, gjithashtu ka dhe një sërë sjelljesh të tjera si: ankesa për dhimbje kur nuk kanë, konsumojnë më shumë alkool, kanë gjasa më shumë për të tradhtuar dhe konsumuar drogë, gjatë periudhës së ardhjes në jetë të një fëmije.

Ashtu si për gratë, ndryshimet e hormoneve mund të luajnë një rol të madh në gjendjen shpirtërore edhe të meshkujve. Studimet e fundit tregojnë se niveli i hormonit të burrave, luhatet kur mësojnë se do të bëhen me fëmijë. Në përgjithësi, burrat që vuajnë nga depresioni para dhe pas lindjes së foshnjës, kanë nivele të ulëta të testosteronit dhe nivele të larta të estrogjenit. Por, nëse ndryshimi hormonal bëhet i vazhdueshëm, kjo mund të bëjë që baballarët të jenë të stresuar, bien në depresion, ose bëhen shumë agresivë. Unë mësova që burrat mund të vuajnë nga stresi para dhe pas lindjes së fëmijëve vetëm në momentin që përjetova këtë situatë me tim shoq. Robi bënte luftë çdo ditë kundër një monologu të brendshëm që i thoshte se "ai ishte i padobishëm si prind dhe si partner" dhe se vetëvrasja ishte zgjidhja e duhur. Papritur, një pasdite, ai bëri tatuazh në njërin krah emrin tim dhe në krahun tjetër emrin e djalin tonë, për të kujtuar shpeshherë që ia vlen të luftosh për një betejë në dukje të pafund. Bashkë me të luftova edhe unë shumë, pasi mësova të kujdesëm për një foshnjë të pafuqishme dhe një burrë po aq të pafuqishëm. Gjithnjë do të qante dikush në shtëpinë tonë, ose do të qanim të gjithë njëherësh. Ne kemi marrë shumë trajtime mjekësore. Pas një vale të gjatë vuajtjesh, teksa unë dhe Robi po qëndronim në ballkonin e shtëpisë, ai më tha se gjithçka do të ndryshonte.

Daniel Singley, psikolog dhe themelues i qendrës "PadreCadre.com", e cila merret me trajtimin e meshkujve në depresion, ka studiuar atë që ai e quan “tranzicioni nga djalë te baba” për gati një dekadë dhe thotë se komunikimi me bashkëshorten, është thelbësor për të kaluar në fazat e këtij tanzicioni.
“Hapi i parë është të keni më shumë biseda, në lidhje me faktin se jo vetëm gratë vuajnë nga gjendjet e ndryshme mendore. Hapi i dytë është t’i ofroni burrit një mjedis ku ata të ndjehen të sigurtë dhe të aftë për të rritur një fëmijë,” tha Singley.
Robi nisi të angazhohej me punët e shtëpisë, të pastronte kopshtin, të gatuante dhe dalëngadalë, ai u kthye me ne. Dalëngadalë, djali ynë mësoi se babai i tij mund të qeshë. E ndërsa plagët filluan të shëroheshin, ne filluam të mendonim se si mund të ndihmonim të tjerët për situata të tilla. /The Washington Post/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë