Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro, tha se “këtë vit do të rritet niveli i sigurisë në bregdet lidhur me aktivitetin zbavitës bregdetar” por theksoi se ka mungesë të burimeve njerëzore.
“Kemi prodhuar aktet nënligjore. Janë përcaktuar 98 vende të mundshme për të ndërtuar stacionet e ankorimit për jetski, skafe etj. Operatorët që do të aplikojnë duhet të plotësojnë të gjitha kushtet pasi nuk do lejohen nëse nuk kalojnë të gjithë filtrat.
Të gjithë kontratat që kemi nënshkruar në vitin 2022, mbi 1200 të tilla, nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit kanë pasur të bashkëngjitur marrëveshjen për prezencën e rojeve bregdetare.
Këtë vit ka mungesë të burimeve njerëzore. Kështuqë jemi në kontakt jo vetëm me Federatën Shqiptare të Vrojtuesve por edhe me Universitetin e Sportit. Kriteret këtë vit do të jenë shumë strikte”, tha ajo ndërsa theksoi se këtë vit Shqipëria u vizitua nga 7.5mln turistë të huaj.
“Kishim 1.9 milionë turistë më shumë se në vitin 2021 dhe 18% më shumë se në vitin 2019 që konsiderohej si viti më i mirë i turizmit me tendenca të reja nga Hollanda, Spanja, vendet skandinave, Gjermania etj.
Të ardhurat neto për 9 muajt e parë ishin 842 mln euro, 23.5% më shumë se në vitin 2021”, shtoi më tej ajo gjatë prezantimit të objektivave për 2023-shin.
Kumbaro gjithashtu theksoi se këtë vit të gjithë bashkitë që derdhen në lumin e Vjosës do të pajisen me impiante të trajtimit të ujrave të ndotura.
“Për lumin e Vjosës kemi një plan shumë të madh që e kemi përgatitur gjatë vitit 2022. Pajisja e të gjitha bashkive që derdhen në lumin e Vjosës me impiante të trajtimit të ujërave të ndotura, është revolucion sepse janë 7 bashki që do pajisen. S’flasim dot për Vjosën si mbretëreshën e lumenjve të Europës ndërkohë që sot derdhen 7 bashki në të si mungesë e këtij investimi”, citoi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



