Kultivuesit e duhanit në zonën e Dumresë kundërshtojnë një projektligj të hartuar nga ana e Ministrisë së Bujqësisë dhe të dorëzuar për miratim në Kuvend, duke e cilësuar atë si formal dhe shfrytëzues të fermerëve.
Petrit Paja, kreu i Shoqatës së Kultivuesve të Duhanit ‘Dumrea’ thotë për Gazetën “Si” se ligji në fjalë nuk mbron fermerin nga kompanitë abuzuese dhe sjell si shembull rastin e kompanisë Mika Korça, e cila në 2015-2016 deklaroi falimentimin me një detyrim të pashlyer prej 1.4 mld lek të vjetra për rreth 1100 fermerë.
“Drafti final nuk eliminon e zgjidh përfundimisht problematikat tepër të debatueshme midis prodhuesit e grumbulluesit që kanë sjellë skema përleshjesh, anomali, protesta përpara pikave të grumbulluesve dhe në fund vjedhje e mosdhënie parash për djerësn 1-vjeçare të fermerëve. Shembull, kompania Mika Korça sh.a., që nga viti 2015 – 2016 u detyrohet mbi 1100 fermerëve rreth 1.4 miliard lekë të vjetra”, thotë Paja.
Sipas Pajës, projektligji ka probleme të theksuara dhe pabarazi në trajtimin juridik mes prodhuesit nga njëra anë dhe grumbulluesit dhe përpunuesit nga ana tjetër, duke favorizuar këta të fundit.
“Nuk janë trajtuar në veçanti kapitulli i kontratave, i cili duhet të përmbajë elementët e domosdoshëm ligjorë e llogjikë për t’u paraprirë mosmarrëveshjeve mes palëve. Lënia fakultative në dorë të palëve, apo me VKM është e papranueshme. Kapitulli i vlerësimit, mënyra e klasifikimit, kriteret, standardet mungojnë totalisht. Fermeri mbetet i pambrojtur përballë vlerësuesit të cilësisë dhe çmimit. Prandaj lind nevoja e përfaqësimit në pikat e grumbullimit të vlerësuesve të ligjëruar në krah të fermerëve”, vijon Paja.
Kreu i Shoqatës “Dumrea” sjell si shembull kuadret ligjore të vendeve fqinje. Ai thotë se ato mund të shërbejnë si shembull për ligjvënësit shqiptarë për të përmbushur domodoshmërinë e rregullimit ligjor të industrisë së duhanit, që nga kultivimi, e deri tek grumbullimi dhe përpunimi i tij.
Kultivuesit kundërshtojnë edhe parashikimin ligjor sipas të cilit në rastet e mosmarrëveshjeve mbrojtja e fermerit të garantohet vetëm nga institucionet shtetërore dhe jo nga avokatët privatë.
“Është e papranueshme nga prodhuesit e duhanit që për mosmarrëveshjet me grumbulluesit avokatine për mënyrën e vlerësimit ta kryejnë vetëm specialistët e institucioneve shtetërore kur dihet se organet e drejtësisë njohin edhe avokatinë e licencuar private përkrah asaj shtetërore. Përse të kufizohet e ngushtohet e drejta e përfaqësimit dhe e mbrojtjes”, thotë Paja.
Në relacionin shoqërues, Ministria e Bujqësisë thotë se me këtë projektligj synon që të zgjidhë edhe fenomenin e informalitetit në këtë sektor. Por, kultivuesit e duhanit thonë se drafti nuk e adreson as këtë shqetësim dhe as parashikon të drejtën për kultivim vetjak të duhanit.
“Projektligji lejon hapësira për lulëzimin e tregut të zi, ku mbi 40 për qind e prodhimit është pre e këtij fenomeni. Mendojmë se përkufizimi e trajtimi nuk është i plotë. Mungon e drejta e çdo prodhuesi të kultivojë në sasi të kufizuar të duhanit për nevoja vetiake, në sasi që ka qenë deri në 200 metra/katrorë”, thotë Paja.
Shoqata e Kultivuesve të Duhanit thotë se do ta kundërshtojë projektligjin gjatë shqyrtimeve në Komisionet Parlamentare. Drafti është përfshirë në procedurat parlamentare, por diskutimet në komisione për të pritet që të fillojnë pas 25 prillit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.