Kinema

Kujtimet fantastike, por të vërteta të Piro Milkanit

Jo vetëm për kinemanë. Kësaj here Piro Milkani ka vendosur të flasë për të gjithë jetën e tij, ndërsa i afrohet tetëdhjetë vjetorit të lindjes. E ka bërë përmes librit autobiografik, titulluar “E pabesueshme, por e vërtetë”, i promovuar më 8 dhjetor, në një ceremoni të vogël mes miqsh. Për poetin Petrit Ruka, i cili ka shkruar edhe parathënien, ky libër veç kujtimeve ka edhe sharm artistik, ndërsa botuesja Irena Toçi është shprehur se mbart mesazhe të mëdha. Me miqtë ndau kujtime nga xhirimet e filmit të tij të parë, më 1967-ën, “Ngadhënjim mbi vdekjen, mbi jetën e dy të rënave gjatë Luftës së Dytë Botërore, Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima.


Dy vjet më vonë ai do të ekranizonte romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë, nën titullin “Përse bie kjo daulle”. Historia e Katrinës dhe Xhavitit dy të rinjve vullnetarë që bien në dashuri gjatë ndërtimit të një hekurudhe dhe vendosin të martohen do të ngjallte emocione në Shqipërinë e asaj periudhe. Me një përzgjedhje të kujdesshme të historive që ekranizonte Pirro Milkani do të krijonte individualitetin artistik.“Piktori Ksenofon Dilo, një mik i Kadaresë, merr guximin ta kthejë në skenar filmi, romanin “Dasma” duke e titulluar atë “Përse bie kjo daulle” dhe unë vendos ta ekranizoj”, do të shprehej dikur regjisori, ndërsa e cilëson thuajse filmin e tij të parë si regjisor, pasi në “Ngadhënjim mbi vdekjen”, ishte bashkëregjisor me Gëzim Erebarën. “E filloj me Kadarenë, por nuk e mbyll me kaq”. Një nga kujtimet e lidhura me atë film ishin kritikat e ashpra që gëluan pas shfaqjes në kinema.


Në një mbledhje me punëtorët e Kombinatit te Autotraktorëve me “rebelin e çartur” të Spanjës Mehmet Shehu, tashmë kryeministër i vendit prej gati një çerek shekulli, një punëtor vigjilent, anëtar i të ashtuquajturave Kontrolle punëtore, informon publikisht kryeministrin se në një film të Kinostudios po ka disa shfaqje të huaja. Në skenën e dasmës që bën në kantier malësorja Katrinë me punëtorin e dalluar Xhavit ata, kineastët, i kanë vënë asaj Katrinës një vello të bardhë. Një vello të bardhë?….. Po ky është skandal!
“Nuk kishte faj Kadareja. Kur e pyetëm, së bashku me Ksenofonin se çfarë mendonte për filmin, na tha: Është filmi më i çuditshëm i Botës së tretë. Kishte simpati dhe ironi të ndërthurura së bashku.” Asokohe Mao Ce Duni kishte hedhur në treg Teorinë e tri Botëve. Bota e parë ishin vendet e NATO-s, Bota e dytë vendet e Traktatit të Varshavës dhe Bota e tretë Kina dhe gjithë të tjerët përfshi këtu edhe Indinë po edhe Shqipërinë. “Po përgatitej një mbledhje ku do të propozohej që Ksenofoni dhe unë të shkonim për riedukim pa afat në një vepër të pesëvjeçarit. Takoheshim çdo ditë me Kadarenë për t’i dhënë lajmet e fundit. I vinte keq për ne po në fund e mbyllte me këto fjalë: Nuk e kanë fare me ju. E kanë me mua.Besoj se kishte të drejtë.” Mbledhja befas u anulua…


“Shtigje lufte” më 1974-trën një ngjarje që e rikthen sërish regjisorin në Luftën e Dytë Botërore, do ta bënte emër të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare. Ndërsa në fillim të viteve 80-të, filmi bazuar në skenarin e Ruzhdi Pulahës, “Shoqja nga fshati” e më pas “Zonja nga qyteti” do ta bënte kinemanë e Milkanit më të dashurën e më të komunikueshme me shikuesin.“Pranvera nuk erdhi vetë” është një tjetër film që ka mbetur në kujtesën e shikuesit. Historia e Irenës një fizikane e re e cila bashkë me dy kolegë ndërmerr një studim të rëndësishëm, larg shtëpisë. Ajo shkon për një kontroll shëndetësor në spitalin e qytetit dhe mëson se vuan nga leuçemia. Pasi e merr veten nga depresioni shpirtëror ajo fillon të pajtohet me realitetin, duke çmuar çdo sekondë të jetës dhe dashurisë së saj të cilën përpiqet ta shmangë.

Nën interpretimin e Anisa Markajan, ky është një ndër rolet e dashura të kinemasë shqiptare. Me një karrierë të gjatë në kinemanë shqiptare, historia e këtij rrugëtimi artistik është në një farë mënyre dhe historia e kinemasë shqiptare. Pas viteve 90-të Milkani do të realizonte një nga filmat më të bukur të kinemasë sonë të dekadave të fundit “Trishtimi i zonjës Shnajder”, një film gati autobiografik i jetës së tij studentore një Çeki.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë