Vjeshta ka rikthyer fuqishëm numrin e lartë të vizitave te mjekët alergologë, të sëmurëve kronikë me alergji por edhe të atyre që po i përjetojnë simptomat për herë të parë. Nga rrjedhja e hundëve, sytë e skuqur e deri tek kolla e vazhdueshme janë simptomat që po hasin shpesh tek pacientët. Mjekja alergologe dhe imunologe klinike, Alkerta Ibranji shprehet për Gazeta “Si”, se vjeshta ka shtuar numrin e pacientëve ndërkohë që thotë se banorët që vijnë nga zona si Berati, Gjirokastra apo Kruja, ku ka kala, janë më të ekspozuar ndaj alergjive dhe kjo ka një arsye.
LEXO EDHE:
Alergjitë e vjeshtës janë reale. Dhe ato po përkeqësohen, si t’i luftojmë

“Karafilogjeni, është një barishte, mbi 2 metra e lartë që rritet në muret e vjetra. Kryesisht kur na vijnë pacientë nga Kruja, Berati, Gjirokastra që janë vende kala ne e dyshojmë këtë barishte si shkaktar të alergjive. Një tjetër arsye për riaktivizimin e alergjive në këtë sezon është nisja e periudhës së shirave. Shirat favorizojnë rritjen e llojeve të mykut që ndodhet si jashtë shtëpisë por edhe brenda saj, shkaktarë për alergji të ndryshme”, shprehet mjekja Ibranji për Gazeta “Si”.

Mjekja alergologe thotë se alergjitë në këtë periudhë nuk duhet të ngatërrohen me ftohjet, apo virozat e stinës. Simptomat e alergjisë zgjasin më shumë se 7 ditë dhe mund të riaktivizohen befas sërish. Studimi më i fundit në Shqipëri për alergjitë është bërë në vitin 2014 dhe e rendiste vendin tonë në një ndër vendet me incidencën më të ulët të alergjive respiratore ndërkohë që trendi ka ndryshuar duke sjellë nevojën jo vetëm të një vëzhgimi të ri të popullatës por edhe të edukimit shëndetësor.
Alergjitë ushqimore tek fëmijët në rritje
Shqetësuese për mjekët janë edhe alergjitë ushqimore tek fëmijët. Jemi në një situatë alarmuese dhe duhet të mendojmë për të ardhmen sepse ka shumë fëmijë të vegjël që vuajnë komplikacione nga më të ndryshmet si pasojë e ushqimeve që prindërit u japin çdo ditë. Mjekja Ibrajni thotë se nga numri i vizitave, çdo dy ditë diagnostikon një fëmijë që vuan nga alergjia ushqimore.
“Stili i të ushqyerit, orientimi i fëmijëve drejt fastfood apo ushqimeve të procesuara, janë disa nga arsyet që po shtojnë alergjitë e ushqimeve te fëmijët. Po vë re që kemi gjithnjë e më shumë një rritje të numrit të alergjive nga susami, frutat e detit, gruri, frutat e thata apo kikiriku”, shprehet mjekja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




