Mendim

Kufijtë, Thaçi dhe Haradinaj i shpallin luftë njëri-tjetrit!

Lufta ishte shpallur hapur prej kohësh, por as Presidenti Hashim Thaçi dhe as kryeministri Ramush Haradinaj nuk ishin përballur publikisht, të paktën jo deri të hënën e 8 tetorit. Pas kritikave të “mprehta” të Haradinajt për çështjen e ndryshimit të kufijve të Kosovës, Thaçi zgjodhi si rrallëherë t’i përgjigjej një nga një të gjithave akuzave të kryeministrit, nëpërmjet një konference për shtyp. Në një lëvizje të rrallë politike, ai paralajmëroi Haradinajn se nëse nuk korrigjonte deklaratat lidhur me negociatat me Beogradin zyrtar, mund të shkarkohej.

“Kryeministrat dhe presidentët mund të ndërrohen, shkojnë e vijnë të tjerë, siç janë ndërruar edhe më herët. Sidomos mund të ndërrohen shpejt ata në rast se nuk korrigjojnë veten”, tha Thaçi, duke i bërë thirrje kryeministrit të jetë më racional dhe më i përgjegjshëm kur i referohet dialogut me Serbinë.

Por teza për ndryshimet territoriale, duket se është vetëm një nga “mollët e sherrit” mes dy ish-anëtarëve të UÇK-së. Thaçi sulmoi Haradinaj edhe për listat e fryra të veteranëve dhe miqësinë me Milan Radojçiçin. Presidenti nisi konferencën duke deklaruar se Haradinaj po përfiton nga listat e veteranëve, pasi sipas tij të UÇK-ja nuk ka pasur më shumë se 12 mijë anëtarë.

“Keqpërdorimet në listat e veteranëve duhet të hetohen deri në fund. Të gjithë e dimë se nuk kanë qenë më shumë se 12 mijë veteranë”, tha ai. Por kjo ishte vetëm pika e parë e “bombës me sahat” që Thaçi kishte përgatitur për kryeministrin, i cili ka këmbëngulur vazhdimisht se UÇK-ja ka 50-60 mijë veteranë. Duke iu referuar deklaratës së Haradinaj, i cili ngushëlloi me ironi presidentin, duke i thënë se “ideja e ndarjes se Kosovës ka vdekur”, Thaçi i bëri të ditur si kryeministrit, ashtu edhe opinionit publik, se negociatat për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, do të vazhdojnë. Thaçi tha madje kryeministri “është në humor të mirë ose ndihet tepër komod në karrigen e tij”. Ai sulmoi Haradinaj për qëndrimet arbitrare ndaj dialogut me Beogradin, duke deklaruar se priste që kryeministri të jetë “më racional dhe më i përgjegjshëm në deklaratat për qëndrimet e tij”. Thaçi i cilësoi deklaratat e kryeministrit si populiste, elektorale dhe pa përmbajtje, duke paralajmëruar se moskorrigjimi i tyre mund të ketë pasoja.


Presidenti Hashim Thaçi 

“Jam i sigurt se kryeministri ka nevojë të korrigjojë deklaratat dhe qëndrimet e tij lidhur me procesin e dialogut. Pa dialog nuk ka të ardhme euro-atlantike për Kosovën, as në NATO, as BE, dhe as njohje nga Serbia, sepse, tek e fundit, të gjithë e dimë se pozitat tona nuk janë të përhershme”, theksoi ai.  Presidenti shtoi se institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë seriozë dhe të punojnë për harmonizimin e qëndrimeve shtetërore për këtë proces të vështirë.

Që pas hedhjes në tavolinë të “kartës” për ndryshimin e kufijve nga Thaçi dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, si mundësi për zgjedhjen e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve, kryeministri dhe presidenti i Kosovës janë përfshirë në një luftë të ftohtë.

Haradinaj ka kundërshtuar çdo marrëveshje që mund të vërë në rrezik integritetin territorial të Kosovës, duke paralajmëruar se kufijtë në Ballkan ndryshojnë vetëm më pushkë.  “Kufijtë e Kosovës nuk duhet të preken, janë vendosur si rezultat i luftërave. Për popujt e Ballkanit luftërat kanë qenë tragjike. Kufijtë nuk lëvizen me fjalë, por me pushkë”, është shprehur kryeministri i Kosovës. Sipas tij çështja e vetme që mund të diskutohet me Serbinë është njohja reciproke. Haradinaj ka shkuar edhe më tëj, duke akuzuar Presidentin Thaçi se nuk ka asnjë plan për Preshevën dhe se së bashku më Aleksandër Vuçiç të po planifikon t’u japë të drejta ekzekutive komunitetit serb në Kosovë.

Kryeministri Ramush Haradinaj 

Duke folur në një konferencë për shtyp, disa javë më parë, Kryeministri la  të kuptohet se Thaçi nuk i ka seriozisht konferencat për ku flet për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Ai thotë se Presidenti po përmbush kërkesat e palës serbe që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të ketë kompetenca ekzekutive. Haradinaj deklaroi ndër të tjera se të gjithë duhet ta mbrojnë kushtetutën e Kosovës e jo të flasin për kufijtë pa mandat.

Thaçi, nga ana tjetër, u ka bërë thirrje vazhdimsisht të gjitha partive politike i Kosovës që të bashkohen me procesit e dialogut me Serbinë. Thaçi duket i vendosur që të gjejë një zgjidhje për këtë problem të gjatë. Ai madje i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se nëse një marrëveshje ndërkombëtare do të konsiderohej e vlefshme, do ta nënshkruajë atë pa miratimin e Kuvendit të Kosovës.

Kreu i shtetit duket se ka fituar më shumë terren pas marrjes së “bekimit” të presidentit amerikan Donald Trump gjatë takimit të tyre në Nju Jork.  Në një prononcim për mediat në Prishtinë, Thaçi ka konfirmuar frikën më të madhe të kritikëve të tij, duke deklaruar se Trump mbështeste ndryshimin e kufijve si marrëveshjen përfundimtare që mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se SHBA-ja dhe partnerët e saj të Bashkimit Europian, ishin gati të shqyrtonin të gjitha sugjerimet që vinin si nga Beogradi ashtu dhe Prishtinë, duke theksuar se korrigjimi i kufijve nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia dhe bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.


Presidenti Hashim Thaçi dhe  kryeministri Ramush Haradinaj 

Por ndërkohë që Thaçi merrte sigurinë e Presidentit Trump, Haradinaj dha një intervistë me mediat amerikane duke lobuar kundër shkëmbimeve territoriale. Në një prononcim për gazetën ‘Newsweek’, kryeministri tha se territoret dhe kufijtë në Ballkan nuk duhet të vihen kurrë në pikëpyetje. Ish-udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) deklaroi se propozimi i mbështetur nga presidenti Thaçi mund të çonte Kosovën drejt një tragjedie të madhe.  “Unë kam qenë pjesë e përvojave të vështira të luftërave dhe tragjedive, prandaj nuk dua t’i shoh fëmijët tanë tani të përjetojnë atë që kemi përjetuar 20 vjet më parë”, tha Haradinaj.

Për më tepër, gjatë javës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Haradinaj u takua me zyrtarë të lartë ushtarakë të SHBA-së, duke përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes, James Mattis dhe anëtarët e Kongresit, duke kërkuar mbështetjen e tyre për të kundërshtuar ndryshimin e propozuar të territorit. Zyrtarët amerikane raportohet se i kanë thënë Haradinaj se mbështesin dialogun e vazhdueshëm midis Kosovës dhe Serbisë, por ata nuk shprehën mendime të forta për ose kundër një shkëmbimi të territoreve. Ai e ka bërë të qartë se nuk do të mbështesë marrëveshjen kurrë Thaçi- Vuçiç dhe i ka kërkuar Kuvendit të ketë një rol në vendimmarrje.

Por si do të përfundojë “lufta” mes dy ish-luftëtarëve të UÇK-së? Kush do të ketë rolin vendimtar në marrëveshjen me Serbinë, duke lënë kështu gjurmë të forta në historikë e Kosovës?  Një studim i fundit nga Instituti Demokratik i Kosovës tregoi se 44 për qind e të anketuarve duan që të jetë Thaçi ai që do të udhëheqë bisedimet me Serbinë dhe vetëm 25 për qind e shqiptarëve të Kosovës, ia besojnë Haradinaj këtë detyrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë