Jete & Stil

Ku qëndron ajo vija e hollë midis terrorit dhe kënaqësisë?

Është unike, midis shumë gjërave të çuditshme për qeniet njerëzore, tërheqja jonë ndaj rrezikut të sporteve ekstreme dhe gatishmëria jonë për të paguar para për të parë filma horror apo gjëra të tjera të frikshme.
Pse e trembim veten me vetëdije?
Kjo është një sjellje adaptive që na përgatit për t’u marrë me kërcënimet e mundshme në të ardhmen. Teksa shohim filma me vrasës serialë, ne e pregatisim veten mendërisht për situata që mund të gjendemi në jetën e përditshme.
Me filma të tillë, nuk është aspak e pazakontë të dëgjosh të bërtitura nga publiku ndërsa një personazh fillon të hap derën në atë dhomë ose të fshihet në një vend shumë të papërshtatshëm. Dhe kështu, ne mund të ndihemi më mirë të përgatitur për takime rrënqethëse, sepse kemi parë se çfarë ndodh me të tjerët në rrethana të tilla.
Në mënyrë të ngjashme, ecja nëpër një shtëpi të përhumbur mund të japë reagime përkatëse për veten tonë. Mund të jetë e dobishme të dimë se cilat lloje të gjërave janë të frikshme për ne dhe cilat jo dhe shqyrtimi i reagimeve tona emocionale ndaj përvojave shqetësuese mund të na ndihmojë të vlerësojmë nivelin tonë të gatishmërisë për “të trajtuar takime paranormale”. Kjo, nga ana tjetër, mund të na tregojë se cilat strategji mund të funksionojnë më mirë për ne nëse një takim i tillë i frikshëm në jetën reale do të ndodhte ndonjëherë.
Joshja misterioze e frikës dhe tmerrit u hulumtua në një studim nga një ekip studiuesish të udhëhequr nga Marc Malmdorf Andersen nga Universiteti Aarhus në Danimarkë. Këta studiues përdorën konceptin e “Frika Rekreative” për të përshkruar se si njerëzit mund ta përjetojnë frikën si të këndshme. Ata përshkruajnë frikën rekreative si një formë loje që ndërthur një përzierje perfekte të frikës, kënaqësisë dhe befasisë. Përjetimi i dozës së duhur të secilës prej këtyre emocioneve duket se është pothuajse i varur nga shumë njerëz.
Andersen dhe kolegët e tij studiuan marrëdhëniet midis frikës dhe kënaqësisë në një studim të kryer në Dystopia Haunted House, një atraksion i njohur danez për trembje. Ata pajisën 110 vizitorë në shtëpinë e përhumbur me pajisje që matnin rrahjet e zemrës. Këta vullnetarë të guximshëm plotësuan pyetësorë para dhe pas përvojës së tyre për të vlerësuar motivet për të kaluar nëpër shtëpi, si dhe pritshmëritë e tyre dhe përvojën aktuale të gëzimit, befasisë dhe frikës. Ata gjithashtu u regjistruan me video në tre lokacione kryesore brenda shtëpisë së përhumbur për të monitoruar përgjigjet e tyre emocionale verbale dhe joverbale.

Në mënyrë të veçantë, studiuesit regjistruan reagimet e tyre kur ndiqeshin nga një njeri shumë i madh me një përparëse kasapi të përgjakur dhe një maskë derri grotesk ose duke u tronditur nga zombie që fshiheshin. Pjesëmarrësit në këtë studim raportuan nivele të larta të kënaqësisë dhe frikës, megjithëse gratë në përgjithësi shprehën nivele më të larta frike dhe nivele më të ulëta kënaqësie sesa burrat.
Kishte një marrëdhënie të qartë midis nivelit të frikës së një individi dhe nivelit të kënaqësisë së tij ose të saj. Rritja e sasisë së frikës gjithashtu rriti sasinë e kënaqësisë deri në një pikë të caktuar, përtej së cilës kënaqësia ra, ndërsa frika bëhej më e fortë. Me fjalë të tjera, ekzistonte një “vend i ëmbël” që siguronte përvojën optimale të frikës rekreative.
Me pak fjalë, koncepti i “frikës rekreative” është një fillim i mirë për të kuptuar pse ne trembim veten dhe kënaqemi në të njejtën kojë kur jemi pjesë e horrorit.
Burimi: Psychology Today. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë