Njerez

Ku e lamë e ku na mbeti… Revolta e Robert Aliajt

U rrita me premtimet e prindërve të mi, se ky vend do të bëhej, se do të vinte një ditë më e bukur, por unë nuk e përjetova atë ditë. Kështu do t’u drejtohej Robert Aliaj studentëve, që kishin dalë të protestonin mbi uljen e tarifave dhe kushteve më të mira, në rrugët kryesore të kryeqytetit, paraditen e 7 dhjetorit. Vetëm një natë më parë, ai ishte ngjitur në skenën e Pallatit të Kongreseve, në edicionin e 20-të të festivalit “Kënga Magjike”, me këngën “Ah ku më hodhi Zoti”. Duke ringjallur vajtimin e Fan Stilian Nolit, në fund të viteve ’20, artisti i cili provoi emigrimin pas ndërrimit të sistemit politik në Shqipëri, vajton thuajse me të njëjtin kumt – vetëm kohët kanë ndryshuar – mjerimin e shqiptarëve të keqqeverisur. Pa kursyer politikanët, sistemin e drejtësisë, ekonominë dhe, pashmangshëm, arsimin.

https://www.youtube.com/watch?v=dolBC9Kmd7w


Pranë dijes, i panxënë, jehonte dikur revolta e Nolit. Me fëmijë që shkollën lënë, plotëson Aliaj, duke përshkruar thekshëm realitetin e sotëm, ndërsa në një stil recitativ, këndon shoqëruar nga një fizarmonikë. “Unë dua që vajza ime ta shohë këtë ditë të bukur dhe, i kam dhënë fjalën”, u drejtohet ai studentëve, me megafon, i shoqëruar nga e bija, Gala. Nuk harroi t’u bënte ftesë të gjithë prindërve, të mbajnë fjalën e dhënë fëmijëve, për kohë më të mira. Për të mos përsëritur të njëjtat gabime në histori.


Pak kohë më parë, në një prej serive të spektaklit “Dance with me”, ku Robert Aliaj prej vitesh, është pjesë e jurisë, një prej konkurrentëve, Seldi Qalliu, iu kthye artistit, duke i thënë “Mos jeto në Belgjikë, nëse e do aq shumë Shqipërinë”. Aliaj shpesh është bërë pjesë e titujve, në mediet online, ku nuk kursen kritikat për shijet e këqija muzikore në muzikën shqiptare dhe himnizon simbolet kombëtare. Shpesh pjesë e gardërobës së tij ka qenë fustanella e toskëve.

Robert Aliaj dhe e bija, Gala


Lakuriq dhe i dregosur, Mes Brukselit, sakatosur, këndon Aliaj. Kënga e tij, konkurrente në festivalin “Kënga Magjike”, e cila mbrëmjen e 8 dhjetorit kurëzon fituesin e këtij viti, nuk mundi të mbërrijë deri në finale dhe, Aliaj nuk e ka fshehur indinjatën për këtë shkualifikim, duke u shprehur në emisionin “Zonë e Lirë, se është sfiduar nga ajo që ai e cilëosn si “mbretëria e tallavasë”.

“Kjo këngë ishte mënyra më e bukur për të konfirmuar gjithë angazhimin tim. Ne jemi fajtorë që të gjithë për këtë kaos që është ndërtuar sot”, është shprehur Aliaj, i cili iu kthye skenës muzikore, pas 26 vitesh. Hera e fundit, kur mori pjesë në një konkurrim festivali ishte viti 1992 me këngët “Valsi i panjohur” dhe “Ca fjalë qiellit”.

Në protestën e 7 dhjetorit pranë Ministrisë së Arsimit. 


Korrupsionin, Aliaj e sheh se i ka përhapur tentakulat deri tek artistët, që sipas tij “janë të korruptuar so, për shumë pak.”I janë dashur tre vite për ta realizuar këtë këngë , ka zbuluar ai. “Unë nuk jam artisti i Instagramit. U bëj thirrje artistëvetë që lexojnë pak, të bëhen më të mençur, sepse kjo muzika tallava po bën një popull tallava dhe po eklipson këtë këngë kapitale, gjithë kjo armatë xhihadistësh të tallavasë kanë kontribuar për ta mposhtur këtë muzikë”. Ëndërroj pa fund, pa shpresë, Në Dragot të shkoj, të vdes, këndon Aliaj, duke evokuar rrënjët e origjinës së tij.
Aliaj, ka dhënë mendimin e tij edhe për protestën në zonën e Unazës së Re.
Ai është halli i disa njerëzve që kanë zaptuar pronën publike, nuk është një hall i përbashkët”, ka thënë , ndërsa ka shprehur se, nuk ka pse paguan taksa për një pronë që është zaptuar nga të tjerë. “Jam me banorët, por duhet të gjejnë një zgjidhje. Ata kanë marrë një risk kur zaptuan hapësirën publike”. Mendimi i tij për shqiponjën në rrethrrotullimin e doganës? “Ishte një shëmti ku simboli ishte krijuar për t’i mposhtur fare shqiptarët”.

Kënga e tij nuk ka vetëm nota vajtimi. Ngrehuni ashtu si bota, Dhe i mbuloni me vota/ Katundar' e punëtorë, Që nga Shkodra gjer në Vlorë! Ky ilaç e ky kushtrim, më bën djal' e më bën trim/ Që të vij plot me shpresë, Pranë Filatit, pranë Dumresë.  Ndaj kur pa një protestë, që vinte nga ai brez, nga i cili priten ndryshimet, ata që do t’i japin formë së ardhmes së një vendi, që po mbyll dekadën e tretë të tranzicionit, pa ditur se ku do të ndalemi pas këtij rrugëtimi të gjatë, në atë vendmbërritje që do të kënaqë ëndrrat e atij brezi, që 28 vjet më parë, thirrën “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa! ” “Po bëhem 60 vjeç me shpresën për tu bërë ky vend, dhe nuk u bë”, do t’u thoshte Aliaj, të rinjve. Si ai, shumë nga studentët e dikurshëm, sot prindër të studentëve që dalin në rrugë për të protestuar të drejtat e tyre, me të njëjtat thirrje “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa!” Me gjithë përpjekjet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, me gjithë marrëveshjet e stabilizim-asociimit, rrekjen për të përmbushur kushtet e vendosur nga të mëdhenjtë e kontinentit të vjetër, kërkesa mbetet e njëjta; që ky vend europian, të mos jetë i tillë vetëm gjeografikisht.


“Ngelësat që i kërkon Gjermania”, shkruanin pankartat e studentëve të fakulteteve të Mjekësisë e Infermierisë, ndërsa në kangjellat e Ministrisë së Arsimit vareshin bluzat e bardha. Shpresa për një të ardhme më të mirë shihet vetëm aq, larg, drejt Gjermanisë.


Si një emigrant, vetë, Aliaj këndon Mes Brukselit ziliqar/ O sa mirë me ken’ shqiptar!“Jeni pjesa më brilante e së keqes së kombit shqiptar” u jep zemër të rinjve. “E në rast se Shqipëria nuk e kupton këtë moment e nuk i bashkohet ndërgjegjes së vet”, mendon Aliaj, do të bëjmë gabimet që i përsëritim në çdo epokë historike.

Zgjidhja për artistin, që vajton mjerimin në festival kënge dhe u bashkohet të rinjve me protestë është që, shqiptarët të bashkohen me veten dhe të dalin në rrugë. Është ndoshta një moment që do të përkufizojë të ardhmen… Aty ku na hodhi Zoti…Në të ëmblën Shqipëri, ku kupton se je njeri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë