Futboll

Ksavi njofton largimin pas humbjes fatale: Më 30 qershor i jap lamtumirën Barcelonës

Gazeta Si – Pas Jurgen Klop dhe Liverpulit, një tjetër skuadër big në Europë do të ndërrojë trajner në fund të sezonit. Ksavi Hernandez ka pohuar se do të largohet nga Barcelona më 30 qershor.

“Kam folur me Laportan, ua kam thënë si klubit, ashtu edhe skuadrës, se duhet një shkundje. Mendoj se me largimin tim klubi dhe lojtarët do të jenë më të qetë. Është një vendim me bonsens dhe i pakthyeshëm. Do të jap gjithçka gjatë këtyre katër muajve”, – ka thënë Ksavi. Kontratra e tij skadon më 30 qershor. Ai e bëri të ditur publikisht vendimin pas humbjes së rëndë me Vilarrealin, 3-5.

Si një nga ish-lojtarët flamur të katalanasve, Ksavi u bë trajner i Barcelonës në verën e 2021-shit. Viti i parë nuk ishte aq pozitiv, me eliminimin nga grupet e Championsit, por viti i dytë ishte fitues: titulli në kampionat dhe trofeu i Superkupës së Spanjës.

Megjithatë, sërish eliminim nga grupet e Championsit. Këtë vit Barcelona zuri vendin e parë në grup dhe në 1/8-at sfidon Napolin. Në kampionat ecuria është e dobët, ku pas 21 javësh katalanasit janë 10 pikë pas Real Madridit.

“Kam mendimin se është vendimi më i drejtë, ndihem më i lirë tani që e kam komunikuar. Nuk është çështje energjish, kam ende plot energji, por duhet një ndryshim, është i nevojshëm për skuadrën. Janë edhe 4 muaj dhe jam i sigurt se jemi në lojë për titullin. Ndjenja ime më thotë se Barcelona do të përmirësohet pas lamtumirës sime”, – shtoi më tej Ksavi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë