Kryevepra e Pablo Picassos e vitit 1932, Femme a la Montre (Gruaja me orë), është shitur për 139 milionë dollarë, sipas shtëpisë së ankandeve Sotheby.
Kjo është vepra e dytë më e shtrenjtë që është shitur nga ky artist spanjoll.
Por, Femme a la Montre është bërë vepra e shitur më shtrenjtë në ankand këtë vit.
Në të artisti e ka portretizuar Marie-Therese Walter, modelen franceze me të cilin ka pasur lidhje dashurie dhe e ka pasur frymëzim edhe për piktura tjera.
Fillimisht piktura është vlerësuar 120 milionë dollarë, para se të vendosej në shitje.
Kjo pikturë e artistit spanjoll ka qenë më parë në pronësi të koleksionistes së artit Emily Fisher Landau, e cila e ka blerë atë më 1968.
Vepra tani është blerë prej një blerësi anonim.
Femme a la Montre, është portret i Walterit, e ulur në një karrige që ngjan me fron mbretëror dhe e ka një prapavijë të kaltër.
E njohur si “muza e artë” e Picassos, Walter ka qenë 17-vjeçare, kur është takuar me Piccason 45-vjeçar në Paris, dhe kanë nisur një lidhje sekrete, pasi ai ka qenë ende i martuar me Olga Khokhlovan, balerinë ukrainase.
Piktura që është shitur më shtrenjt në autorësi të Piccasos është Gratë e Algjerit, në vlerë të 179.3 milionë dollarëve, më 2015.
I lindur në Mallaga më 1881 dhe i rritur në Barcelonë, Picasso është zhvendosur në Paris më 1904, dhe është bërë një prej artistëve më të rëndësishëm të shekullit 20.
Ai ka pasur katër fëmijë dhe ka vdekur në jug të Francës më 1973, në moshën 92-vjeçare.
Ndonëse trashëgimia e tij kreative nuk është vënë kurrë në dyshim, në vitet e fundit janë rritur dilemat për sjelljen e tij.
Ai është akuzuar për qasje mizore dhe shtrënguese./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.