Rend dhe Ligj

Kryetarja e KLGJ: Gjykatat në kolaps, për një çështje në Apel, qytetari duhet të presë deri 4 vjet

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Naureda Llagami ka paralajmëruar (gjatë një raportimi në Komisionin e Ligjeve) situatën në kolaps të gjykatave, për shkak të mungesës së gjyqtarëve, një pjesë të shkarkuar ose të pezulluar si pasojë e Vettingut.

“Nuk jemi krenar se është shumë e vështirë, kemi pasur humbje njerëzore për shkak të Vetting, lidhur me Vetting, janë shkarkuar 13 gjyqtarë me vendim të formës së prerë, 25 të tjerë që janë pezulluar duke përfituar 75% e pagës, ose 30 mln lekë, por nuk vazhdojnë dot të gjykojnë çështjet…

Përveç kostove financiare dhe mungesa e gjyqtarëve është dhe hezitimi për të aplikuar në KLGJ. Gjykata e Apelit është shumë problematike, kjo është thembra e Akilit, nga 78 gjyqtarë që duhet të jenë, janë 25 gjyqtarë. Në fund të vitit ishin 27, çdo ditë e më shumë ulet ky numër. Apeli Administrativ ka uljen më të madhe të efektivitetit të çështjeve. Për një çështje që të gjykohet në Apel duhet 2-3 muaj për në rrethe ndërsa një qytetar i Tiranës duhet të presë 4 vjet. Grupimi i Apeleve do mundësonte që gjykimi i çështjeve do ishte i drejtë dhe i barabartë. Gjykatat janë në kolaps”, tha ndër të tjera Llagami.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë