Gazeta Si – E konsideruar si qendra e mafies shqiptare, Belgjika ka rrituar bashkëpunimin me Prokurorinë e Posaçme dhe autoritetet policore në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Jo rastësisht në nëntor 2024, drejtuesja e Prokurorisë Federale Belge, Ann Fransen zhvilloi një vizitë në Tiranë, ku takoi në SPAK me delegacionin që kryesonte, kreun e saj, Altin Dumani.
Bashkëpunimi me partnerët e huaj, është një nga prioritetet e Fransen, e cila mori drejtimin e zyrës së Prokurorisë Federale në prill të vitit të shkuar.
Ajo thotë se bashkëpunimin më të lartë e ka me Shqipërinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Marokun, vende ku kryhen aktivitete të trafikut të drogës dhe personazhe të botës së krimit fshihen prej vitesh si të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
“Ne kemi pasur një traktat ekstradimi që nga viti 2021 me Dubain, por me zyrën e prokurorisë federale tani po fokusohemi më shumë në kontaktet e drejtpërdrejta. – thotë Fransen. – Kjo shpërblehet. Mund të kesh traktate sa të duash, nëse nuk i njeh njerëzit, bëhet më e vështirë”.
Në një intervistë për mediat belge, Fransen thotë se është e fokusuar fuqishëm në sekuestrimin e aseteve kriminale në luftën kundër mafies së kokainës.
“Fitimet nga trafiku i drogës. shpesh zhduken jashtë vendit: në Marok, Shqipëri, Emirate. Çdo vend ka ligje të ndryshme”, – shton.
Ajo ndalet para së gjithash te grupet kriminale shqiptare dhe krimi i organizuar, i cili sipas saj vijon të fitojë terren.
“Me shqiptarët jemi një hap përpara. Krimi i organizuar shqiptar vazhdon të fitojë terren. Kjo u evidentua nga zbërthimi i shërbimit të mesazheve të koduara ‘Sky ECC’, – deklaron kryeprokurorja 55-vjeçare. – Hetuesit hasën në mesazhe tronditëse, të cilat tregonin se bandat nuk i shmangen ekstremeve të dhunës”.
Pasi autoritetet belge kanë ç’koduar rrjetin e aplikacionit “Sky ECC”, Fransen thekson se prokurorët belgë po gjurmojnë destinacionin e parave.
“Tani po shkojmë pas parave. Së bashku me sistemin e drejtësisë shqiptare, ne po krijojmë një kuadër ligjor për konfiskimin efektiv të përfitimeve të aseteve. Ne synojmë që kjo të ndodhë edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ne nuk duhet të sigurojmë vetëm që ata të ekstradojnë personat në kërkim, por edhe që të mund të rikuperojmë pasuritë e tyre të paligjshme. Në Marok, sapo është miratuar një vendim me konfiskimin e aseteve. Ne kemi pasur suksese edhe në Shqipëri”.
Prej dekadash grupet kriminale shqiptare kontrollojnë në Belgjikë në rang drejtuesish trafikun e drogës, që importohet nga vendet e Amerikës Latine dhe më pas shpëndahet në të gjithë Europën.
“Shqiptarët me të vërtetë zënë pozicionet kyçe”, thotë Komisionerja Kombëtare në Luftën Kundër Drogës, Ine Van Wymersch.
Shqipja është – pas anglishtes – një nga gjuhët më të përdorura në rrjetin “Sky ECC” sipas hetuesve belg, të cilët janë të bindur se, “selia e mafies shqiptare, është në Belgjikë”.
Në një gjyq të zhvilluar në dhjetor 2024 kundër gripeve kriminale të drogës, të goditura nga zbërthimi i “Sky ECC”, është dënuar edhe një shqiptar, i identifikuar si Eridan Munoz Guerrero (mban mbiemrin e gruas kolumbiane).
Ai konsiderohet kreu i një rrjeti të gjerë trafiku droge, i cili u dënua me 14 vjet burg në gjyqin që e ka zanafillën nga zbërthimi i rrjetit të këtij aplikacioni, i cili përdorej kryesisht nga trafikantë droge dhe grupe kriminale.
51-vjeçarit shqiptar do t’i konfiskohet një pasuri me vlerë 20 milionë euro, të ardhura nga burime kriminale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.