Gazeta Si – Në analizën vjetore të Drejtorisë së Policisë Rrugore, kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda nuk ka kërkuar sasi në vendosjen e gjobve ndaj makinave për shkelje, por të ndëshkohen individët e rrezikshëm.
Kryepolici i vendit theksoi se ata policë që shkelin këtë porosi, do të lëvizen nga detyra. Proda kërkon reagim të menjëhershëm, angazhim dhe përkushtim më të madh, për të parandaluar ngjarjet rrugore dhe për të ndërhyrë në ato akse ku ka më shumë ngarkesë.
“Nuk dua sasi masash administrative dhe cilido nga ju që do t’i masë treguesit e punës me sasinë e masave administrative, automatikisht do ta lëviz nga detyra, – tha ai para efektivëve. – Dua cilësi në punë dhe të ndëshkoni ata që vërtet janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore, ata që xhirojnë gomat dhe shkaktojnë ndotje akustike duke u kthyer në shqetësim për qytetarët. Ata drejtues automjetesh që parkojnë mbi trotuare, duke penguar lëvizjen e këmbësorëve dhe të nënave me karroca me fëmijë, si dhe ata që parkojnë në rrugë, duke penguar lëvizjen e lirë të automjeteve”.
Sipas tij, në fokus të shërbimeve të Policisë Rrugore duhet të jetë evidentimi dhe ndëshkimi i atyre drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, që arrijnë deri në tri herë mbi normën e lejuar, atyre që kryejnë parakalime të gabuara, përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe të atyre që drejtojnë automjetet, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Proda tha se pret më shumë përmirësim të parametrave të sigurisë rrugore, shërbim sa më cilësor, që ta ndiejnë ndryshimin përdoruesit e rrugës dhe kjo nënkupton etikë në komunikim,”ndjekje me përparësi të procedurave të aksidenteve, monitorim më të mirë të qarkullimit dhe sidomos të akseve rrugore që janë pranë shkollave”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.