Njerez

Kryeministri Rishi Sunak dhe agjërimi me ndërprerje, nuk ha për 36 orë një herë në javë

Kryeministri britanik është i fiksuar pas shëndetit: ai është vegjetarian dhe jo konsumues i verës apo pijeve alkoolike dhe dëshiron të qëndrojë në formë, por ndoshta edhe trashëgimia e tij hindu ka të bëjë me të. Një gjë që rrezikon të përforcojë perceptimin se është i shkëputur nga jeta reale e një vendi që lulëzon me një "ushqim të pavlerë"

Gazeta Si – Një besimtar hindu në Downing Street? Jo në të vërtetë, por megjithatë është zbuluar se kryeministri britanik Rishi Sunak praktikon një formë agjërimi që mund të konsiderohet ekstreme.

Kreu i qeverisë së Londrës, në fakt, i nënshtrohet një disipline sipas së cilës çdo javë ai nuk ha ushqim për 36 orë, për të qenë të saktë nga ora 17:00 e së dielës, deri në 5 të mëngjesit të së martës.

Kjo do të thotë se ai agjëron gjithë të hënën dhe qëndron vetëm me çaj e kafe, pavarësisht se shpesh është një ditë e ngarkuar e përbërë nga takime dhe angazhime zyrtare.

Sunak i nënshtrohet këtij regjimi, sepse ai është një fanatik i shëndetit dhe dëshiron ta mbajë vetën formë (është gjithashtu një i pasionuar për Peloton-in): është një formë radikale e agjërimit me ndërprerje që konsiderohet veçanërisht e dobishme për trupin.

Por ndoshta edhe origjina e tij si hindu i zjarrtë ka të bëjë me të, që do të thotë se kryeministri është gjithashtu vegjetarian dhe “teetotaler”: person që nuk konsumon verë apo pije të tjera alkoolike.

Në fakt dihet se sa i rëndësishëm është agjërimi në kulturën indiane. Dieta e veçantë e kryeministrit ka tërhequr vëmendjen dhe kuriozitetin ditët e fundit: kur u pyet për këtë nga BBC, Sunak u përgjigj se, “nuk jam i sigurt nëse njerëzit janë të interesuar për dietën time, por përpiqem të mbaj pak agjërim në fillimin e çdo jave si pjesë e një stili jetese të ekuilibruar: por të gjithë e bëjnë atë ndryshe”.

Dhe shtoi se, “për mua është një disiplinë e rëndësishme”. Burime pranë kryeministrit, kanë nënvizuar se si kjo dietë është një dëshmi e vërtetë e “përqendrimit dhe vendosmërisë që ai tregon në të gjitha aspektet e jetës dhe punës së tij”.

Por nuk mund të mos ketë përshtypjen se këto zbulime mund të forcojnë perceptimin në publikun e gjerë se Sunak është një personazh i shkëputur nga ndjenjat e përbashkëta, i cili jeton në planetin e tij të pasurisë dhe zakoneve të çuditshme.

Sepse nga ana tjetër, Britania e Madhe është një vend që lulëzon me ushqime të pavlera: shkalla e obezitetit është një nga më të lartat në Evropë dhe në supermarkete, oferta e ushqimeve të gatshme tejkalon atë të ushqimeve të freskëta (për të mos përmendur zakonin e konsumimit të patatinave dhe llojeve të tjera gjatë gjithë orëve).

Gjëja qesharake është se, si reagim, anglezët janë të fiksuar pas fitnesit (të paktën me fjalë): në gazeta praktikisht çdo ditë ka faqe se si të mbash në formë trupin, çfarë diete të ndjekësh, si t’i rezistosh plakjes etj.

Sunak gjithashtu ndan disa nga ato dobësi: ai është praktikisht i varur nga Coca-Cola, veçanërisht versioni meksikan i bazuar në kallam sheqeri (që i ka shkaktuar edhe mjaft probleme me dhëmbët) dhe ai vetë ka rrëfyer se një nga arsyet se pse praktikon atë formë të agjërimit, është në mënyrë që “që të mund të djegë të gjitha ato kënaqësi që i jep sheqeri dhe që i shijon aq shumë për pjesën tjetër të javës”.

Të paktën kjo do ta afrojë atë me njerëzit normalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë