Gusht 2015, një sallë gjyqi, në Rostov-on-Don. Një burrë sheh përtej hekurave të qelisë, sytë zbulojnë se nervat po i sosen. Sot do të dalë vendimi, të cilin duhet ta pranojë: 20 vjet burgim në Siberi, për terrorizëm. Burri është Oleg Sentsov, regjisor dhe aktivist maidan, i lindur në Simferopol të Ukrainës. Ai akuzohet se ka udhëhequr lëvizjen terroriste anti-ruse dhe ka planifikuar sulme në ura, linjat elektrike dhe në një monument të Leninit.Sentsov mbron veten, me kurajë, pa u tundur. Ai i përgjigjet verdiktit me mohim ngulmues ndaj krimeve, për të cilat akuzohet dhe akuzon vetë akuzuesit...
Është ky dokumentari i regjisorit Askold Kurov, mik i Oleg Sentsov, i cili mbylli edhe edicionin e 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut.I pranishëm në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi, ku u ekranizua filmi “Gjyqi – Shteti i Rusisë kundër Oleg Stentsovit”, ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, si edhe regjisori Askold Kurov.
Oleg Sentsov është një regjisor dhe producent filmash në Ukrainë. Ai u vu në qendër të vëmendjes pas aneksimit të Krimesë nga rusët në vitin 2014. Ishte një kundërshtar aktiv i pushtimit derisa në maj të 2014 u arrestua nga rusët me akuzën e terrorizmit. Sentsov u kthye në simbolin e qëndresës së Krimesë dhe qëndresa artistike për rastin e regjisorit kulmoi me filmin-dokumentar “Gjyqi” të Kurov.
Në dokumentarin e tij, Askold Kurov heton të vërtetën pas spektaklit politik gjyqësor. A ishin vënë nën kërcënim dëshmitarët e akuzës? Çfarë pasoje pati ndalimi dhe gjyqi tek i akuzuari dhe familja e tij? Filmi gjithashtu dokumenton solidaritetin që i treguan Sentsov-it kolegët kineastë si Agnieszka Holland, Ken Loach, Pedro Almodóvar dhe Akademia e Filmit Europian, që nisi 30 vjetorin e saj me ekranizimin e këtij filmi, për të bërë fushatë edhe njëherë për lirimin e Sentsov-it.
Hetimi i Kurov zbulon gradualisht një histori absurde dhe të frikshme kafkjane rreth asaj se si dikush mund të bëhet viktimë e një makine shtetërore të pamëshirshme.Në një intervistë dhënë vitin e kaluar për Oliver Johnston Askold Kurov, ka folur rreth shqetësimeve ndërsa bënte dokumentarin dhe se përse njerëzit besojnë ende në propagandë.
Ai vetë madje ka thënë se ka pasur frikë se mos qeveria do i kthente sytë edhe ndaj tij. “Kisha pak paranojë,” ka thënë ai, “sepse situata është shumë e vështirë në Rusi dhe askush nuk e di se çfarë do të ndodhë. Nuk ka rregulla se kujt i kushtojnë apo jo vëmendje. Për mua ishte e sigurt që po, sepse e dija që subjektet e mi po vëzhgoheshin nga shërbimet sekrete.”
Përgjegjësia ka thënë regjisori bie mbi të kur ka të bëjë me rrëfime delikate të personazheve të tij. “Ndonjëherë të rrëfejnë gjëra që nuk duhen dëgjuar.” Por, Kurov ka thënë se qeveria nuk ka burgosur. “Kemi shumë të burgosur politikë dhe aktivistë. Nuk di ndonjë rast tjetër kur autoritetet kanë burgosur ndonjë regjisor, artist apo shkrimtar.”
Kurov mendon se Stenstov është një i burgosur që qeveria ruse mund ta këmbejë në ndonjë marrëveshje me qeverinë ukrainase. “Mendoj se për autoritetet ruse Olegu është thjesht një i burgosur që ata mund ta këmbejnë me diçka a dikë. Ka personel ushtarak rus në burgjet e Ukrainës, për shembull, dhe kështu mund të këmbehet me ta, ose në përgjigje të ndonjë lloj sanksioni.”
Për regjisorin vetë Stensov beson se kjo qeveri do të bjerë përpara se ai të kryejë të gjithë dënimin, prej 20 vitesh “Sistemi është thyer. Nuk mund të ekzistojë për gjatë. Nuk ka mprehtësi dhe po bëhet gjithnjë e më keq.”Filmi i kushton vëmendje të veçantë propagandës, shumë të përhapur në Rusi.
“Si fëmijë, mbaj mend gënjeshtrat dhe që i dëgjoja të gjithë këtë propagandë televizive dhe askush nuk i besonte. Por tani kanë të njëjtën propagandë dhe përdorin të njëjtat mjete, megjithëse teknologjia është përmirësuar. E megjithatë, përdorin të njëjtën retorikë dhe njerëzit u besojnë. Ose ndoshta thjesht duan t’i besojnë, sepse të mos besojnë do të thotë se qeveria të ka gënjyer dhe se vërtet e pushtuan Ukrainën dhe se është e vërtetë që i torturojnë njerëzit dhe se është më e lehtë t’i besosh asaj që sheh në televizor.”
I lindur në Uzbekistan më 1974-ën, Askold Kurov jeton në Rusi prej vitit 1991. Pasi studioi filologji, teatër dhe teologji, nisi studimet në kinematografi dokumentare në Shkollën e Filmit Marina Razbezhkina, në Moskë. Më 2012-ën ishte një nga regjisorët që u vlerësua me çmim për dokumentarin “Dimër, ik tutje!” filmat e tij të tjerë “Leninland” dhe “Fëmijët 404”, gjithashtu kanë marrë vlerësime nga kritika dhe janë ekranizuar në një sërë festivalesh. Puna e tij fokusohet në çështjet e të drejtave të njeriut dhe konfliktet sociale në Rusinë bashkëkohore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.