Gjatë përurimit të hapjes së segmentit të dytë të Bulevardit të ri të Tiranës, tërthorazi Kryeministri Rama ka konfirmuar se do ta mbështesë Erion Veliajn për një mandat tjetër në bashki. Në fjalën e tij kreu i qeverisë theksoi se në mandatin e ri qeverisës, me Veliajn do të bëjnë më shumë projekte për Tiranën se në këto tri vite të tij në krye të Bashkisë së Tiranës.
Kryeministri i ktheu përgjigje edhe kritikëve të planit francez në Tiranë, duke e cilësuar si “debat idiot për ndërtimet ikonike” dhe në të njëjtën kohë njoftoi se do të fillojnë të jepen leje ndërtimi për të gjithë bllokun e ri në Bulevardin e ri dhe ndërtimin e kullave të reja në atë zonë.
Kreu i qeverisë i bëri ftesë direkte përfaqësuesve të Fondit të Abu Dhabit që të ndihmojnë në financimin për rehabilitimin e bulevardit “Zogu i Parë”.
Kryeministri nuk nguroi të kritikojë edhe paraardhësin e Veliajt në Bashkinë e Tiranës, kreun aktual të opozitës, Lulzim Basha, “Sikur ky bulevard të ndërtohej me ritmet që përcaktuan ecurinë e tij katër vitet përpara zgjedhjes së Erionit në krye të Bashkisë, do të duhej 60 vjet për të arritur këtu dhe mbase edhe 30 vite për të shkuar aty ku faktikisht do të shkojmë në fund të vitit të ardhshëm”- tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.