Sociale

Kryeministri britanik shtrohet në spital

Kryeministri britanik, Boris Johnson është shtruar në spital, pas atyre që në njoftimin zyrtar të dhënë nga autoritetet britanike cilësohen si “simptoma të vazhdueshme” të koronavirusit.

Johnson rezultoi pozitiv në testin e kryer disa ditë më parë. Njoftimi thotë se shtrimi i Kryeministrit në spital është një “masë parandaluese”, që Johnson e ndërmori me këshillën e mjekut të tij personal.

“Me këshillën e doktorit të tij, Kryeministri u shtrua sonte në spital për testime më të thelluara. Bëhet fjalë për një vendim përkujdesës, ndërkohë që Kryeministri ka ende simptomat e vazhdueshme të koronavirusit, pasi u testua pozitiv 10 ditë më parë”, deklaroi një zëdhënëse e Downing Street.

Zëdhënësja qetësoi britanikët duke theksuar në më shumë se një rast se bëhej fjalë për teste “rutinë”. BBC thotë se Johnson do të qëndrojë në krye të Qeverisë, por mbledhjen e kësaj të henë në lidhje me pandeminë e koronavirusit pritet që ta drejtojë ministri i Jashtëm, Dominic Raab.

Mesazhin e parë inkurajues, Johnson e mori nga Presidenti amerikan, Donald Trump. Ai i uroi shërim të shpejtë.

“Të gjithë amerikanët luten për të. Ai është një mik i imi, një zotëri i vërtetë dhe një udhëheqës i madh. Jam i sigurtë se do të shkojë gjithçka mirë, sepse ai është një njeri i fortë”, tha Trump.

Shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë në detyrë i uroi edhe udhëheqësi laburist, Keir Starmer.

Sistemi britanik e vendos Boris Johnson së bashku me mbretëreshën në krye të përgjigjes ndaj pandemisë. Zyrtarët në “Downing Street” për momentin as që e vënë në dyshim se Boris Johnson do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e tij, duke deklaruar se ai është në kontakt të vazhdueshëm me ministrat dhe stafin e ngushtë për masat që do të ndërmerren në vazhdim për t’iu përgjigjur pandemisë.

Megjithatë, BBC thotë se në këtë periudhë anormale nuk mund të bëhet asnjë parashikim normal. “Koronavirusi ka provuar vazhdimisht aftësinë për të shndërruar në realitet edhe më të paimagjinueshmen”, thotë korrespondenti politik i BBC, Chris Mason.

Mason i referohet faktit se disa javë më parë as në Mbretërinë e Bashkuar as që çoheshin nëpër mend masat kufizuese të lëvizjes, madje as ndërprerja e futbollit dhe aktiviteteve të tjera sportive. Por kjo ndodhi dhe tani me shtimin e rasteve të të infektuarve dhe të të vdekurve diskutimi tjetër i fortë është vendosje e karantinës.

Dalja e fundit publike e Boris Johnson ishte ditën e enjte, kur u filmua i vetëm në Downing Street duke duartrokitur shërbimet mjekësore, pasi kishte drejtuar një mbledhje online të Qeverisë për koronavirusin. Të premten, ai postoi në Twitter një video ku deklaronte se kishte ende simptoma të lehta të virusit, përfshirë këtu edhe temperaturën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë