Kosova

Kryeministër ku je? Opozita në Kosovë kritika Kurtit për mungesën në samit: Kthjellohu, mos mbaj ligjërata boshe në Irlandë!

Nga Gazeta ‘Si’- Opozita në Kosovë ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesën në samitin BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt sot në Tiranë.

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi me anë të një statusi në Facebook i drejtohet Kurtit me pyetjen “Kryeministër ku je”, ndërsa shtoi se Kurti ka zgjedhur ta kalojë javën në Irlandën e Veriut duke mbajtur “ligjërata boshe”.

Ai e konsideroi mungesën e Kurtit si një sjellje të papërgjegjshme dhe iu referua atij si një ‘kryeministër idhnak’.

“Kjo papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet e tij parësore si Kryeministër është e pabesueshme. Sot, Kryeministri i Kosovës vendin e ka pasur në Tiranë, në mesin e liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor e të Bashkimit Evropian.

Një gjë është e qartë: me këtë qasje të Kryeministrit Kurti, Kosova jo që nuk do të përfitojë investime të reja, mirëpo as sanksionet aktuale të vendosura nga BE ndaj shtetit tonë, nuk do të hiqen.

Një Kryeministër idhnak, i papërgjegjshëm e që vuan nga kompleksi i inferioritetit, fatkeqësisht për Kosovën, nuk do të arrijë të thelloj as raportet mbarë-shqiptare, e lëre më ato rajonale dhe evropiane.

Kryeministër, kthjellu!”, shkruan Krasniqi në statusin e tij.

Të njëjtat kritika Kurti ka marrë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se mungesa e Kosovës në këtë samit nuk arsyetohet dhe se Kurti nuk duhet të kishte agjendë më të rëndësishme se ky samit.

“Nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Tiranë në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Nuk ka agjendë më të rëndësishme për Qeverinë se ky samit, përveç ndonjë emergjence kombëtare. Jam i sigurt se ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim.

Samiti në Tiranë është vendi për të prezantuar nevojat dhe projektet, si dhe për të bërë konsultimet e nevojshme me partnerë. Aty është vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës.

Sipas Komisionierit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, plani i BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor është konceptuar në Tiranë. Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti”, shkroi ai.

Kurti mori pjesë vetëm online përmes një video-mesazhi në samitin që u mbajt sot në Tiranë për shkak të angazhimeve të tij në Irlandën Veriore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë