Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i ka kthyer përgjigje kryeministrit Rama për batutat e përdorura prej tij në takimin e sotëm në Berat, i cili ironizoi shenjtorët e besimit bektashian. Gjatë fjalës së saj në takimin me strukturat e LSI në Kamëz, Kryemadhi i bëri thirrje Ramës duke deklaruar: “Prandaj i bëj thirrje Edi Ramës, kudo shkoftë në vende të krishtera apo mysliman, apo edhe bektashi, mos ironizo dhe mos përmend emrat e të shenjtëve mbi të cilët shqiptarët kanë ngritur besimin në atdhedashuri, sepse mallkimi i tyre do të bjerë mbi kokën e tij dhe ai nuk do ta shpaguajë dot, jo në këtë jetë, por as në jetën tjetër. Prandaj, larg gojën tënde të ndyrë nga Zoti që mbron shqiptarët nga ky mallkim që i ke hedhur ti Shqipërisë”.
Kryemadhi tha se Rama nuk duhet të guxojë të fyejë Zotin që i mbron shqiptarët nga mallkimi që Rama i ka hedhur Shqipërisë. “Do të lutem në Zot, dyfish dhe trefish, për të ngritur besimin tek njerëzit, sepse vetëm besimi në zot do të na kthejë paqen dhe begatinë. Do të lutem në Zot që ti kthehen pronat kishave, xhamiave, teqeve dhe çdo besimi fetar, që të mos vazhdojë më Edi Rama të grabisi pronat e Zotit, sepse kurrë nuk do të gjejnë paqe shqiptarët dhe kushdo tjetër nëse do të ndërtojmë besimin jo mbi grabitjen e pronës, por duhet ta ndërtojmë besimin vërtet te vlerat, tek morali, tek familja dhe tek atdhedashuria. Do të lutemi në Zot, që të fali mëkatet e brezave të kaluar, që shkatërruan institucionin e besimit në Zot dhe ndërtuan institucionin e krimit dhe drogës në Shqipëri. Do të lutemi në Zot që të na shpëtojë fëmijët nga trafiku i drogës, do të lutemi në Zot që të na shpëtojë fëmijët nga krimi, nga varfëria, nga injoranca dhe nga intimidimi i grupeve kriminale. Do të lutemi në Zot për një Shqipëri të lirë dhe për një Shqipëri të begatë”.
Kryemadhi më pas tha se situata në vend është e rëndë, për shkak se drejtohet nga kriminelët. “Rilindja ka dështuar. Në krye të vendit është një qeveri e lidhur me grupe kriminale. Situata në vend është tepër e rëndë. Vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Shohim sesi rinia ikën dhe vërejmë papunësinë që shtohet përditë e më shumë. Mirëpo, ne nuk do ta lejojmë këtë të keqe që të kaplojë Shqipërinë.
Ne do ta largojmë Edi Ramën, pasi ai është një i marrë që po e shkatërron vendin. Nesër është dita vendimtare për të treguar se ne jemi shumë”, u shpreh ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




