Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, në një dalje për mediat deklaroi se 85% e shqiptarëve refuzuan dje Edi Ramën dhe rikthimin e shtetit monist.
Pas votimeve të djeshme, Kryemadhi shprehet se tashmë janë rritur përgjegjësitë dhe sfidat e opozitës.
“KQZ ka shkelur kodin zgjedhor për votime të paligjshme, që kryhen me urdhër të tyre, votohet me urdhër të tyre, numërohet me urdhër të tyre. Dita e djeshme ishte dhunim i hapur i Kushtetutës, por dhe një tentativë e dështuar e krijimit të një shteti monist.
Refuzimi total nga shqiptarët është një sinjal madhor, por dhe një përgjegjësi e madhe për opozitën. Sot sfidat tona janë shumë më të mëdha”, u shpreh ndër të tjera Kryemadhi.
Sipas saj, shqiptarët pasi refuzuan Ramën, tani i kanë kthyer sytë nga opozita për një shtet të së drejtës.
“Opozita e bashkuar duhet të marrë përsipër zgjidhjen e krizës. Sot shqiptarët presin nga opozita një Shqipëri që iu ofron atyre një shtet të së drejtës, që iu garanton të ardhmen, lirin e votës, t’iu japin fund maktheve. Për ne nuk mjafton që shqiptarët refuzuan Ramën, por duhet të punojmë fort për të fituar besimin e tyre.
Në këtë vend ka pasur zhvillim, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave, por asnjëra nuk lidhet me pushtetin e Ramës”, u shpreh Kryemadhi.
Ajo u shpreh se tashmë fillon beteja përballë zhdukjes së grupeve kriminale dhe krimit të organizuar dhe shtoi se në këtë betejë aleatë janë mbi 85% e shqiptarëve.
“Tashmë fillon beteja, beteja përballë zhdukjes njëherë e përgjithmonë të grupeve kriminale dhe krimit të organizuar. Aleatë të kësaj beteje tashmë nuk janë vetëm partitë politike, por aleatë janë mbi 85% të shqiptarëve që refuzuan monizmin që kërkon të instalojë Edi Rama me krimin e organizuar”, përfundoi Kryemadhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




