Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka akuzuar diplomatët e huaj që punojnë në Shqipëri se po mbështesin kriminelët.
Kryemadhi iu referua direkt rastit të zv.ambasadorit të OSBE-s në Tiranë, Wilton, duke publikuar edhe një foto të tij, teksa ai zgjidh një fjalëkryq në një gazetë.
“Ky është përfaqësuesi i OSBE-së që zgjidh fjalëkryqe në Shqipëri kur bëhen protesta apo zhvillohen zgjedhjet. Fjalëkryqet nuk zgjidhen me kostum, – tha Kryemadhi gjatë emisionit “Tempora”. – Ky është ai që thotë se blerja e votës nuk ndikon në rezultat. Këta kanë certifikuar shitblerjen e votës. OSBE-ja në Tiranë dhe kushdo tjetër që kërkon t’i shërbejë me devotshmëri të madhe këtyre veprimeve kriminale dhe e dyta mbulimit të gjurmëve të blerjes së votës nga krimi i organizuar, do të jenë edhe këta pjesë dhe do ta kërkojë opozita në të ardhmen në një sistem drejtësie të pa kapur, në mënyrë indirekte të elementëve të caktuar që kanë ardhur si diplomatë për të favorizuar kriminelë, trafik influence. Diplomatë që mbyllin sytë dhe fshehin provat dhe faktet që tregojnë haptas blerjen e votës. Kanë mbyllur sytë kur vijnë raporte”.
Në lidhje me përdorimin e gazit lotsjellës gjatë protestës së sotme para Parlamentit, Kryemadhi tha se opozita do të dërgojë analizat jashtë vendit për të verifikuar se çfarë lënde kimime ka lëshuar policia ndaj manifestuesve.
Kryemadhi shtoi se negociatat me këtë qeveri nuk mund të hapen: “Nuk ka hapje negociatash pa ndarjen e politikës nga krimi. Kush do e ndajë nga krimi? Edi Rama me Avdylajt? Me çfarë e kërcënon Saimir Tahiri Edi Ramën pas 3 javësh se tani është nëpër Shqipëri. Me çfarë e kërcënon Vangjush Dako Edi Ramën? Pse e shkarkoi Fatmir Xhafajn? Pse i kaloi vettingun Donika Prelës? Të gjitha këto të çojnë në një pikë që negociata me këta nuk ka. Ke deklaratën e Ministrisë së Jashtme gjermane”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




