Rend dhe Ligj

Kryekomisari gjobëvënës, u arrestua para 3 vjetësh për kultivim kanabisi dhe më pas u ngrit në detyrë! Ministri Hoxha: Ndëshkim për policët-padronë

Gazeta Si - Kryekomisari Gazmir Preçi, i arrestuar mbrëmjen e të enjtes në Durrës për gjobvënie ndaj pronarit të një lokali, e kishte marrë gradën së fundmi.

Por, ky nuk është rasti i parë që ai përballet me akuza të rënda, pasi në vitin 2021, kur ky oficer policie shërbente në Policinë e Fierit, u arrestua për "shpërdorim detyre" dhe kultivim bimësh narkotike në një zonë të Mallaksatrës.

Në 2021-in, Preçi i cili atëherë mbante postin e shefit të Krimieve në Policinë e Mallakastrës u arrestua së bashku me 4 zyrtarë të tjerë të Policisë së Fierit në kuadër të një hetimi për lejimin e kultivimit të kanabisit në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës.

Çështja u mbyll dhe ai u promovua në detyrë duke u sjellë në Durrës si shef sektori për narkotikët, ku kreu veprën e paligjshme të gjobvënies dhe përballet tashmë dy akuza të reja të "shpërdorimit të detyrës" dhe "korrupsionit pasiv".

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha

SPAK përveç rastit të fundit, po heton edhe në lidhje me këtë rast të vitit 2021, si u mbyll çështja dhe pse u promovua Preçi në detyrë. Me marrjen e gradës kryekomisar, pritej një tjetër promovim ndaj këtij oficeri policie.

Preçi duke shfrytëzuar funksionin e tij, i ka kërkuar 20 mijë euro dhe marrë shumën prej 10 mijë eurosh në fazën e parë, nëpërmjet shantazhit për bllokimin e aktivitetit në biznes, një personi i cili zotëron një lokal në qytetin e Durrësit.

Policia bën me dije se në përfundim të veprimeve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale vlera monetare prej 10 mijë euro, dokumenta që lidhen me ngjarjen dhe dy aparate telefonikë celularë.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka inkurajuar dhe mbështetur agjencitë ligjzbatuese në vend pas arrestimit të shefit të antidrogës në Durrës, Gazmir Preçi.

Në një postim në rrjetet sociale, Hoxha shkruan se ku operacion tregon se mesazhi është i qartë, policët që hiqen si padronë të qytetarëve dhe bizneseve do marrin ndëshkimin më të ashpër ligjor,

"Operacioni i AMP-së, në bashkëpunim me SPAK, është mesazh i qartë për ata punonjës policie të cilitdo niveli qofshin, që do të tentojnë të cenojnë besimin e qytetarëve tek Policia, duke u hequr si padronë të qytetarëve dhe bizneseve, dhe jo si shërbëtorë të ligjit, do të marrin ndëshkimin më të ashpër ligjor. Mbështes dhe inkurajoj AMP-në dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe nxis dhe garantoj qytetarët dhe bizneset të denoncojnë raste të tilla, sepse vetëm bashkërisht arrijmë të realizojmë objektivin madhor, për të pasur një Polici sa më profesionale dhe me integritet të lartë moral e ligjor!", - thotë Hoxha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë