Lajme

Kryegjyqtari Xhezair Zaganjori del para KPA, seanca e radhës më 10 korrik

Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, doli këtë të martë para Komisionit të Posaçëm të Apelimit, ku edhe do të vendosej edhe fati i tij. Seanca e radhës për të do të zhvillohet më 10 korrik. Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga kryesuesja Albana Shtylla; relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Luan Daci, Natasha Mulaj, Sokol Çomo.

Gjatë seancës, komisioneri Florian Ballhysa theksoi faktin se kryegjyqtari ka probleme në deklarimin e pasurisë.
“Pasi vlerësuam edhe rekomandimin përkatës nga tre vëzhguesit e ONM, ankimuam vendimin e KPK që konfirmonte në detyrë Zaganjorin. Komisioneri Publik arrin në konkluzionin se KPK është mbështetur në arsyetime dhe qëndrime jo të sakta, lidhur me zbatimin e dispozitave kushtetuese dhe ligjeve”, tha Komisioneri Florian Ballhysa.
Ndërkohë, vetë kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, është shprehur se nuk bie dakord me gjetjet e Komisionerit Publik.
“Kam lexuar me vëmendje Apelin e Komisionerit Publik dhe apelin kundërshtues e kam bazuar tek çfarë referon Komisioneri Publik. M’u desh të bëja apelin kundërshtues brenda 3 ditëve. Shumë fakte dhe gjetje konstatoj që janë të reja, jam gati të përgjigjem megjithatë. Jam kundër për të gjitha gjetjet e Komisionerit Publik”, tha ndër të tjera kryegjyqtari Zaganjori.
Në një prononcim për mediat, Zaganjori tha se respekton ligjin dhe se përpiqet të bëjë më të mirën.

Zaganjori e kaloi procesin e vettingut më 24 korrik të 2018-s, por Komisioneri Publik ka kërkuar shkarkimin e tij.
Në gusht të vitit të kaluar, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, një organ që asiston institucionet e vettingut në procesin e rivlerësimit, por që nuk ka fuqi vendimmarrëse u ka rekomanduar Komisionerëve Publikë që të ankimojnë rastin e kreut të Gjykatës së Lartë.
Ndër argumentet e paraqitura nga Komisioneri Publik është shmangia ndër vite e tatimeve nga kreu i Gjykatës së Lartë, pretendim të cilin vetë Zaganjori e ka mohuar.
Gjatë seancës dëgjimore, Xhezair Zaganjorit iu vendosën në pikëpyetje burimet dhe ligjshmëria e të ardhurave të siguruara ndër vite, sidomos të atyre para vitit 2003, vit kur nisi për herë të parë edhe deklarimi i pasurive të zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve.
Kujtojmë që Gjykata e Lartë prej një muaji ka dalë jashtë funksionit, pasi ka mbetur vetëm me dy anëtarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë