Gazeta Si - Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, një ish-polic i zgjedhur pothuajse tre vjet më parë me premtimin për të luftuar krimin, u padit të mërkurën në një hetim federal për korrupsion.
Ai është kryebashkiaku i parë në historinë e Nju Jorkut që akuzohet gjatë kohës që është në detyrë. Detajet e akuzave nuk dihen ende, më shumë informacion priten mëngjesin e kësaj të enjteje në SHBA.
Por hetimet nga FBI dhe prokurorët e Manhatanit, të cilat filluan në vitin 2021 dhe u bënë publike vitin e kaluar, kanë të bëjnë me marrëdhëniet midis fushatës zgjedhore të kryebashkiakut dhe qeverisë turke, me donacione të mundshme të paligjshme të fondeve të huaja.
Në këmbim, Adams dyshohet se i ka bërë presion Departamentit të Zjarrfikësve për të lejuar hapjen e një rrokaqielli për të strehuar konsullatën e re turke, pavarësisht frikës për sigurinë e ndërtesës.
“Jam i pafajshëm dhe do të luftoj me të gjitha forcat”, tha kryebashkiaku njujorkez. Në këtë mënyrë, ai bëhet kryebashkiaku i parë në detyrë në historinë e Nju Jorkut që akuzohet.
Lajmi vjen pasi presioni ndaj Adams është rritur për javë të tëra mes dezertimeve të përsëritura nga administrata e tij dhe hetimeve të ndryshme të nisura në rrethin e tij të ngushtë.
Në orët e fundit, kongresmenia demokrate, Alexandria Ocasio-Cortez, tha se Adams duhet të japë dorëheqjen për të mirën e qytetit.
"Unë nuk shoh se si kryebashkiaku Adams mund të vazhdojë të qeverisë qytetin. Vala e dorëheqjeve dhe hetimet e pafundme do ta bëjnë të pamundur punësimin e stafit të kualifikuar dhe mbajtjen e atyre ekzistues", - shpjegoi Ocasio-Cortez. Deklaratat e kongresmenes pasojnë valën e dezertimeve që ka goditur administratën e Adams.
I fundit që u largua ishte David C. Bank, kreu i shkollave të Nju Jorkut. Adams e zëvendësoi me Melissa Aviles-Romas, e cila do të marrë rolin në janar.
Shefi i policisë dhe Lisa Zornberg, avokatja dhe këshilltarja kryesore ligjore e Adams, u larguan gjithashtu javët e fundit.
Janë katër hetime të vazhdueshme për administratën e Adams, një numër i paprecedentë në historinë moderne të Nju Jorkut. Në fakt, skandali i fundit i madh komunal daton në vitin 1986 nën drejtimin e kryebashkiakut, Ed Kock.
Kryebashkiakët që kanë dhënë dorëheqjen për shkak të skandaleve të korrupsionit, janë Jimmy Ëalker në vitin 1932 dhe Ëilliam O'Dëyer në 1950-ën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.