Bashkitë e Djathta të drejtuara nga PD kanë caktuar ditën e sotme si afat të fundit për lirimin e ambienteve zgjedhore ose përndryshe do t’i asgjësojnë.
Në një deklaratë për mediat, PD në Shkodër shprehet se ka mësuar përmes mediave se drejt Qarkut të Shkodrës është nisur nga KQZ-ja bazë materiale.
Në deklaratë shprehet se siç kanë informuar edhe më herët KQZ-në, në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës, Kodit Zgjedhor, ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, nuk ka funksionuar asnjëherë dhe aq më shumë pas datës 10 qershor 2019, asnjë e ashtuquajtur KZAZ në territorin e Bashkisë së Shkodrës.
Bashkia thotë se në asetet pronë dhe në menaxhim të Bashkisë së Shkodrës, me urdhër-pune, janë punonjës të administratës vendore që po vijojnë dhe do të vazhdojnë punën për administrimin dhe menaxhimin e godinave.
“Ndërkohë, në detyrë funksionale, punonjësit janë pajisur me urdhrin e punës dhe me shkresën dërguar më herët KQZ-së ku bëhet me dije se godina e Pallatit të Sportit dhe të tjera asete të Bashkisë Shkodër, nuk janë vënë në dispozicion nga qeverisja vendore për funksione të tjera. Në këto kushte, këto godina nuk janë në dispozicion për depozitim të materialeve të kujtdo institucioni qofshin”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Bashkia e Shkodrës i kërkon Policisë së Shtetit dhe zyrtarëve të KQZ-së, për çdo kërkesë që mund të kenë, t’i drejtohen me shkresë institucionit të Bashkisë Shkodër.
Bashkia e Shkodrës nxit të gjithë individët dhe institucionet të zbatojnë rigorozisht Kushtetutën, Dekretin në fuqi të Presidentit të Republikës, Kodin Zgjedhor, ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, Kartën Europiane për Autonominë Vendore.
Ndërkohë, Partia Demokratike në Shkodër ka ftuar qytetarët shkodranë në protestë në orën 20:00 te KZAZ nr. 2 në Shkodër, që ndodhet te Pallati i Sportit.
Protesta do të mbahet për të ndaluar vendosjen e materialeve zgjedhore që KQZ ka nisur drejt KZAZ në Shkodër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




