Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Rrajcë bashkë me ambasadoren gjermane Susanne Schutz, ambasadorin e Bashkimit Europian, Luigi Soreca si dhe deputetë të qarkut në kuadër të një aktiviteti për furnizimin me ujë.
E nga ky aktivitet, Rama nuk ka ngurruar të thumbojë kryetaren e Bashkisë së Përrenjasit, ku bën pjesë dhe Rrajca, të zgjedhurën e LSI-së, Miranda Rira. Ajo është bërë nënë pak ditë më parë dhe nuk ka marrë pjesë në këtë aktivitet lokal sot. Rama tha se do t’i krijojmë të gjitha mundësitë që pas 30 qershorit të fokusohet te bebja, duke iu referuar zgjedhjeve lokale.
“I keqardhur për mungesën e kreut të bashkisë. I uroj dhe 100 bebes së sapolindur të Mirandës dhe kam besim dhe bindje që do t’i krijojmë të gjitha mundësitë Mirandës që të fokusohet te bebja pas 30 qershorit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se në sajë të fondeve nga Bashkimi Europian do ofrohet mbështetje për investitorët në zonat rurale.
“Kemi ardhur në këtë zonë kohë më parë dhe kemi përsëritur premtime dhe jemi rikthyer këtu për të nisur punën. Modeli i ‘100 fshatrave’ bazohet shumë në nxitjen e agroturizmit dhe ne ofrojmë fonde për këtë jo kredi. Janë fonde të vëna në dispozicion nga BE nëpërmjet programit për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural”, deklaroi Rama.
Po ashtu u shpreh se agroturizmi është një shans i mirë për të dalë nga varfëria, për të gjithë personat që jetojnë në fshat. Ndërsa shtoi se ata që jetojnë në Rrajcë apo në fshatra të Shqipërisë ose që janë në emigracion, mund të investojnë në projekte agroturizmi dhe bujtinash.
“Zhvillimi i agroturizmit bën që shumë prej personave që jetojnë në fshat, të mund të dalin nga varfëria. Edhe ata që jetojnë jashtë, kanë punuar prej kaq kohësh në emigrim, punojnë përditë dhe kanë mbledhur para, mund të investojnë në bujtina, në agroturizëm”, tha Rama.
Ambasadori Soreca në fjalën e tij e quajti investimin një shembull të bashkëpunimit mes BE dhe Shqipërisë. Sipas tij, ky investim do t’u shërbejë edhe brezave të ardhshëm.
“Aktiviteti i sotëm na tregon një shembull shumë të mirë bashkëpunimi mes një vend anëtar BE siç është Gjermania dhe një vendi kandidat si Shqipëria. Ky investim është shembulli se si suporti i BE shkon përtej zonave urbane. Kjo bën që të rinjtë të qëndrojnë në vendin e tyre. Me këtë investim jo vetëm që do t’ju shërbehet juve, por edhe brezave të ardhshëm”, tha Soreca.
Ndërsa, ambasadorja gjermane deklaroi se ky investim e sjell Shqipërinë më pranë Bashkimit Europian.
“Këtu pas një viti nga dita e sotme do të krijohet një infrastrukturë e re ujore. Ky projekt e sjell Shqipërinë më pranë Bashkimit Europian. Gjermania do vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë edhe në të ardhmen bashkë me BE dhe fondin e Ballkanit Perëndimor për Investime”, u shpreh ambasadorja Shütz.
Kryemadhi: Rama poshtëron gratë që nuk i binden presionit të tij
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e ka akuzuar kryeministrin Rama pas thumbimit të kryetares aktuale të Bashkisë Përrenjas, Miranda Rira.
Në një postim në “Facebook”, Kryemadhi thekson se Rama guxoi të poshtërojë gratë që nuk i binden presionit të tij, siç bëri sot me Rirën, që është bërë nënë për herë të dytë.
“Me perversitetin që e karakterizon, me pasionin për të poshtëruar gratë dhe vajzat që nuk i binden dëshirave dhe presionit të tij, Edi Rama ka guxuar paturpësisht të përflasë edhe Kryetaren e Bashkisë Përrenjas, e cila sapo është bërë nënë për herë të dytë.
Miranda Rira ka pak ditë që është bërë nënë, por as në fjalosjet më banale shqiptare, as në kohët më të vështira, si asnjëherë kryeministri ka përfolur një grua që sapo është bërë nënë”, shkruan Kryemadhi.
Sipas Kryemadhit kjo ndodh si pasojë e formimit të kryeministrit.
“E gjithë kjo përbuzje për gratë vjen prej formimit të tij, prej mënyrës si e ka ndërtuar jetën dhe karrierën ku gratë kanë qenë të keqpërdorura prej tij. Duke harruar se vajzat dhe gratë shqiptare nuk janë ato që Edi Rama mendon apo përdor si struktura eskorte, nuk janë ato që presin që jetën dhe karrierën tua ndërtojë ekipi i rilindjes”, vijon më tej Kryemadhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



