Art dhe Kulture

Shembja e paralajmëruar dhe lotët (jo) skenikë të aktorëve

Artistë dhe qytetarë në lot, pas miratimit të projektligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Artistë dhe qytetarë në lot, pas miratimit të projektligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Ka njëzet vjet plot, qysh prej vitit 1998 kur Edi Rama, asokohe ministër i Kulturës ia kish vënë syrin shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar – nuk dihet në po për  të njëjtat arsye të një godine sipas tij të atrofizuar e të dalë jashtë funksionit apo për shije estetike  prej artisti –ndërsa dje duket se ngulmimi prej dy dekadash ka mbërritur në stacionin e fundit, një hap drejt finalizimit, pasi deputetët kanë miratuar në seancën parlamentare të së enjtes me 75 vota pro, projektligjin për shembjen e godinës së teatrit.

Artistët dhe qytetarët që e vijuan protestën deri në orët e vona të mbrëmjes, me një fije shprese se fjalët e tyre do të kishin prekur deputetët për të mos e votuar projektligjin , nuk mundën veçse të bindnin njërin syresh, Pandeli Majkon, ministrin e Diasporës.  I vetmi nga kabineti Rama që nuk mori pjesë në votimin, i cili i jep dritën jeshile negociatave me kompaninë “Fusha shpk” që do të ndërtojë edhe teatrin e ri. Pas një debati në tone të larta me kryeministrin, i cili iu drejtua Majkos me fjalët “Nëse s’do votosh, ik në shtëpi. Mua mos më bëj numra!”. Këtë dialog mes tyre e zbardhi një nga organizatorët e protestës së aktorëve, Kastriot Çipi. Majko e braktisi sallën e parlamentit pak çaste para votimit. Një qëndrim që u duartrokit dhe falënderua nga qytetarët dhe komuniteti i artistëve, por që nuk ndryshoi gjë në atmosferën e trishtë që i mbërtheu protestuesit , të cilët iu dorëzuan lotëve. Tashmë frika e tyre mori vulën drejt shndërrimit në fakt.

Edhe pse shumë prej tyre u shprehën se ky nuk është fundi, por vetëm fillimi i betejës së tyre, që do i shohë çdo ditë në oborrin e Teatrit Kombëtar e deri te ngujimi e greva e urisë, trishtimi në fytyrat e tyre të lodhura prej ditësh protestë tregonte se ishin të vetëdijshëm se kjo do të ndodhte herët a vonë.

Politika në Teatër

Qëndrimi i Majkos është përshëndetur nga komuniteti i artistëve, ku regjisori Kastriot Çipi ka shkruar në faqen e tij të facebook-ut “Faleminderit Pandeli Majko! Të paktën ti nuk u bëre viç për lëkurë! Të presim në sheshin e Teatrit, në sheshin Demokracia!”.

Po ashtu edhe aktori Neritan Liçaj ka bërë një postim të ngjashëm në profilin e tij, duke shprehur mirënjohjen për gjestin e Majkos, të cilin e ka quajtur “Shembull për t’u ndjekur”.

Por kjo nuk ka kaluar pa u komentuar nga qytetarët, të cilët kanë shprehur mendimin se aktorët po përdoren nga opozita. Si mund të protestoni me politikanë në krah?

Ai aty nuk ishte si qytetar i lirë, por si kryetar i PD-së. Ishte katër vjet kryetar, pse nuk e bëri? “ i është dretjuar një qytetare Liçajt në koment, duke iu referuar episodit të dy ditëve më parë, kur kreu i Opozitës, Lulzim Basha iu bashkua protestës në oborrin e Teatrit Kombëtar duke firmosur edhe peticionin kundër shembjes së godinës së teatrit. Por gjesti i Bashës nuk është mirëpritur nga të gjithë protestuesit, të cilët i kanë kujtuar këtij të fundit se ka bërë të njëjtën gjë duke e mbushur Tiranën me kulla e leje ndërtimi gjatë mandatit të tij 4 –vjeçar si kryetar i Bashkisë. Pas kësaj Basha është larguar nga oborri i teatrit.

Nga protesta e mbrëmshme përpara Parlamentit. Pas miratimit të projektligjit, oborri është rrethuar nga forcat e policisë.  

Po ashtu, Paneli Majko i është përgjigjur akuzës së Bashës për mosreagim të tij, duke shkruar në Twitter “ Për Teatrin Kombëtar pranoj komente vetëm nga ata politikanë që kanë bërë për të, “një gisht” më shumë se unë! Në vend që të merren me komente, i ftoj të shohin dramën “Vizita e damës plakë” e 1991-shit. Të tjerat janë fjalë.” –ka thënë ai.

Gjesti i Majkos është përshëndetur edhe nga deputeti i PD, Florion Mima, i cili ka kujtuar se Majko ka qenë kundër shembjes së Teatrit edhe në vitin 2002, në detyrën e kryeministrit, ku Rama deklaronte ineficiencën e teatrit, me batutën e famshme “Epo ruajini dhe brekët e Violeta Manushit si monument kulture”.

Debatet e djeshme në sallën e Parlamentit mund t’u ngjanin fare mirë pjesëve teatrale ku secili që merrte fjalën gjente rastin të ironizonte ngulmimin 20 –vjeçar të kryeminstrit Rama për shembjen e godinës së teatrit. Ka pasur nga ata si deputeti Edmond Spaho që kanë popozuar edhe shemben e Teatrit të Kukullave, godinë fare pranë selisë së Partisë Socialiste, për të ndërtuar edhe aty disa kulla.

Aktorja Anila Bisha, në lot.

Ajo që sot artistët dhe qytetarët dinë është se nuk është më kauzë që duhet mbrojtur vetëm nga një komunitet i vogël, por është pjesë e politikës së ditës si edhe e një përfshirjeje më të gjerë të shoqërisë. Protestat, është lajmëruar se, do të vazhdojnë. Deri kur dhe sesi do të rrjedhë dinamika e ngjarjeve, mbetet për t’u parë. Fakt është që projektligji tashmë është firmosur dhe teatri mund të jetë në duart e Presidentit të Republikës, nëse vendos apo jo për shembjen e godinës, themelet e së cilës u hodhën në atë truall në vitin 1940.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë