Katar 2022

Kroacia ndalet nga Maroku, ballkanasit e nisin me barazim Botërorin

Gazeta Si – Grupi F i Kupës së Botës 2022 në Katar, është hapur me një barazim pa gola (0-0) mes Marokut dhe Kroacisë.

Një ndeshje e ekuilibruar u zhvillua në stadiumin “Al-Bayt” në Al Khor: nënkampionët e botës kishin mundësinë të kalonin në epërsi me sulmuesin  Vlasiç dhe me kapitenin 36-vjeçar Modriç, por portieri Bounou ka qenë vendimtar me pritjet e tij. Nga ana tjetër, skuadra e Regraguit ka përfituar nga shpejtësia e Hakimit, duke rrezikuar portën kroate.

Në fakt, skuadra nga Ballkani ishte favorite në letër për këtë ndeshje, por Maroku ka mundur t’i bëj ballë Modriçit dhe shokëve të tij.

Pjesa e parë nuk ishte shumë intensive, ku të dyja ekipet tentuan nga 4 herë secila për të gjetur golin, por pa rezultat.

Pjesa e dytë ishte një dominim total nga kroatët, ku edhe përqindja e mbajtjes së topit ishte dukshëm në favorin e tyre. Shumë tentativa për të krijuar raste, por asnjë nuk rezultoi efektive.

Megjithatë, si sfidë debutuese, për të dyja ekipet një pikë ka qenë e mjaftueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë