Katar 2022

Kroacia kalon mes drithërimash, Belgjika në shtëpi. Kualifikohet dhe Maroku

Gazeta Si – Kroacia dhe Maroku janë dy skuadrat e radhës që kalojnë në fazën e 1/8-ve të Katar 2022. Djemtë e Zllatko Daliç fituan ‘betejën’ e nervave ndaj belgëve, të cilët duhet të kthehen në shtëpi, sepse Botërori i tyre ka përfunduar.

Belgjika nuk shkoi më shumë se 0-0 në sfidën me Kroacinë në Grupin F, kështu që është eliminuar. Në një ndeshje të ekuilibruar dhe të mbushur me raste, shanset më të mëdha i pati sulmuesi Romelu Lukaku, i futur në fushë në pjesën e dytë.

Lojtari i Interit goditi shtyllën në një rast, kur porta ishte e boshatisur, më pas ‘hëngri’ edhe dy gola të tjerë dhe ndeshja mbeti e pazhbllokuar. Kroacia u mbrojt mirë, por pati edhe fatin në anën e saj në disa momente. Nënkampionët e botës e mbyllin grupin në vend të dytë me 5 pikë dhe vazhdojnë më tej, kurse ‘Djajtë e kuq’ i japin lamtumirën Katarit.

Ashtu siç pohoi edhe Kevin De Bryjne, kjo skuadër duket vërtet shumë e plakur, ndërsa problemet e brendshme janë një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë zhgënjim.

Maroku është kualifikuar, madje si kryesues i Grupit F. Afrikano-veriorët mundën 1-2 Kanadanë dhe zunë vendin e parë, me 7 pikë në 3 ndeshje. Ziesh shfrytëzoi një gafë në prapavijën kanadeze dhe gjeti golin menjëherë. Më pas dyfishoi En Nesyri, ndërsa autogoli i Aguerd rihapi ndeshjen, por rezultati nuk ndryshoi deri në fund.

Kanadaja ishte eliminuar që pas dy ndeshjeve të para. Ajo e mbylli këtë Botëror me 0 pikë, me 2 gola të shënuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë