Katar 2022

Kroacia i falet portierit Livakoviç, penalltitë nxjerrin jashtë Japoninë

Gazeta Si – U deshën penalltitë për të përcaktuaqr skuadrën që do të kalonte më tej në sfidën Kroaci-Japoni. Në fund fati u buzëqeshi kroatëve, të cilët duhet t’i falen portierit Livakoviç, i cili priti 3 nga 4 penalltitë që gjuajtën japonezët, sepse koha e rregullt dhe shtesa përfunduar në barazim, 1-1.

Kroacia e trajnerit Zllatko Daliç kishte kontrollin e lojës, por u godit nga një gol aksidental i japonezëve. Pas një rrëmuje në zonë, topi shkoi te këmbët e Maeda, që e dërgoi në rrjetë. Ballkanasit reaguan sapo nisi pjesa e dytë dhe barazuan me Perisiç.

Lojtari i Totenhemit goditi saktë me kokë, pas një krosi nga e djathta. Më pas loja ishte shumë e luftuar, ndërkohë që dy skuadrat u kujdesën që të mos pësonin. Trajneri Daliç hoqi nga fusha ekspertët e mesfushës, Modriç dhe Kovaçiç, pasi u konsumuan fizikisht. Ai ndërroi më pas edhe sulmuesit për t’i dhënë freski skuadrës.

Megjithatë, goli nuk do të vinte as në kohën e rregullt dhe as në shtesën 30-minutëshe. Fati do të vendosej nga ruleta e penalltive, ku Livakoviç hipnotizoi ajponezët me tri pritje. Për kroatët shënuan Vllasiç, Brozoviç dhe Pasaliç. Gaboi vetëm Livaja, që goditi shtyllën.

Në çerekfinale Kroacia do të përballet me fituesin e çiftit Brazil-Kore e Jugut, ku gjasat më të mëdha janë që të kalojnë 5 herë kampionët e botës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë