Analize

Krizat Kosovë-Serbi që rindezën trazirat në 2023-shin dhe alarmi për sulme të reja si ai i Banjskës

Nga Gazeta ‘Si- 2023-shi lëkundi jo pak ekuilibrat e gjeopolitikës duke shënjuar vitin i cili rindezi ashpër trazirat Kosovë-Serbi.

Ndonëse në muajt e parë të vitit situata qe e qetë, retorika nisi të ashpërsohej në zgjedhjet e 23 prillit kur popullsia serbe në veri të Kosovës bojkotoi procesin. Vetëm 3% e qytetarëve votuan ndërsa kryetarë të komunave u zgjodhën katër shqiptarët: Erden Atiç, Izmir Zeqiri, Ilir Peci dhe Lulzim Hetemi.

Zgjedhjet u njohën nga ndërkombëtarët, ndërsa përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, dhe ata në Beograd, deklaruan se nuk do i njihnin kryetarët e rinj dhe se komunat me shumicë serbe nuk mund të drejtoheshin nga shqiptarët.

Erden Atiç, bëri betimin dhe nisi ushtrimin e mandatit në ndërtesën komunale të Mitrovicës së Veriut. Ndërtesa e kësaj komune, është e vetmja në veri, që gjendet në një objekt të ndarë nga komunat paralele, që funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Në Komunën e Mitrovicës së Veriut kur u vendos flamuri i Kosovës, 19 maj 2023

Më 25 maj, tre kryetarët e tjerë të rinj të veriut bënë betimin në ndërtesa të tjera publike, për shkaqe sigurie.

Por kur një ditë më pas, nën shoqërimin e Policisë së Kosovës ata shkuan drejt zyrës, nisën përplasjet e para të serbëve lokalë me policinë. 5 punonjës policie u plagosën asokohe dhe disa automjete u dogjën.

Konflikti u përshkallëzua më tej të hënën e 29 majit kur në Zveçan u plagosën me molotov 30 ushtarë të KFOR-it, mes të cilëve 11 italianë.

Pas paralajmërimeve të serbëve për protesta, para godinave të komunave në veri të Kosovës, KFOR shtoi prezencën, për të mbajtur nën kontroll situatën bashkë me policinë e Kosovës.

Edhe pse bashkësia ndërkombëtare i njohu zgjedhjet e 23 prillit, ata reaguan ashpër duke e cilësuar  si “hyrje me forcë” shoqërimin e kryetarëve nga policia dhe i kërkuan Qeverisë së Kosovës që të mos e tensionojë më tej situatën.

Tre nga porositë e BE për uljen e tensioneve ishin: pezullimi i operacioneve policore pranë komunave, zhvendosja e 4 kryetarëve për të ushtruar detyrën në ndërtesa alternative dhe shpallja e zgjedhjeve të reja në veri, ku të garantohej dhe pjesëmarrja e serbëve në to. Në rast të kundërt, Kosova do të sanksionohej. Dhe kështu ndodhi më 28 qershor.

Atëbotë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti u vu në qendër të kritikave nga BE-ja, SHBA-ja por edhe nga politika shqiptare matanë kufirit për moskoordinim me partnerët ndërkombëtarë.

Ndonëse qeveria e Kosovës njoftoi mandej se përgjysmoi praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe ra dakord për zgjedhjet e reja, sanksionet ndaj saj vijojnë ende të jenë në fuqi (në prag të vitit 2024).

BE-ja është mjaftuar duke i konsideruar këto hapa si të rëndësishëm në drejtim të shtensionimit të situatës në veri porse ka theksuar se nevojiten hapa të tjerë për të zbutur krizën.

Takimet shterpë në Bruksel

Takimi i 14 shtatorit që do të zhvillohej në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç konsiderohej asokohe si një pikë kthese nga i dërguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.

Që prej tensioneve të fundmajit, Lajçak u orvat jo pak herë që me ecejake diplomatike t’u kujtonte dy liderëve nevojën për zbatimin e të gjithë pikave të marrëveshjes.

Por takimi bilateral nuk rezultoi ashtu siç ai donte. Madje, në një konferencë për shtyp ku ndau detaje, Kurti akuzoi Lajçakun duke theksuar se ai është “pozicionuar” kundër Kosovës.

Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel

“Pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes (drejt normalizimit të raporteve) në veçanti. Kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe Lajçakut për krijimin e një skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”, deklaroi Kurti.

Në atë konferencë ai hodhi poshtë deklaratat e Brukselit se kishte refuzuar një plan për sekuencimin e Marrëveshjes Bazë, duke thënë se ai në takim kishte dorëzuar një plan të tij për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Por vetëm 10 ditë më vonë, ndonëse tragjikisht, topi ‘kaloi në anën e Kosovës’…

Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë

Ai u përshkrua si një nga incidentet më të rënda ndër vite. Tre sulmues serbë të vrarë dhe gjashtë persona të arrestuar. 

Ky ishte bilanci i operacionit në Banjskë i cili nisi pas vrasjes së efektivit Afrim Bunjaku në veri të Kosovës, në orët e para të mëngjesit të dielës së 24 shtatorit.

Pas marrjes së informacionit se në urën e fshatit ishin vendosur dy kamionë pa targa, policia e Kosovës u nis drejt vendngjarjes ku u sulmuan me armë zjarri.

Banjskë, fshati ku u rindezën trazirat

Njësitë policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar duke krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

Serbët u fshehën në manastirin e fshatit Banjskë

Anëtarët serbë të grupit të armatosur u fshehën me orë të tëra në manastirin e fshatit Banjskë.  Nga brenda manastirit ata sulmuan me arsenal armësh dhe granata dore policinë e Kosovës. 

Zyrtarët kosovarë i quajtën sulmuesit “terroristë” dhe thanë se u organizuan nga udhëheqja e shtetit serb.

“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tani vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe, kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë”, shkroi Kurti në Facebook më 23 tetor duke e akuzuar Vuçiç si “capo-di-tutti-capi”.

Gjatë një muaji hetime dhe bastisjesh në veri ato konfiskuan sasi të mëdha armatimi – nga granatahedhësit deri tek eksplozivët.

Çka u tha në Serbi?

Vuçiç tha se sulmin në Banjskë e kreu një grup i “serbëve të dëshpëruar lokalë” dhe akuzoi Kurtin për, siç u shpreh, “terrorizimin” e serbëve në veri të Kosovës, duke mohuar se Serbia ka gisht në ngjarjen e Banjskës.

Ai paralajmëroi, po ashtu, se shteti serb do të ngrejë aktakuzë kundër Millan Radoiçiçit – politikan dhe biznesmen nga Kosova – i cili pranoi përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur në Banjskë, por mohoi se ka marrë ndonjë ndihmë nga Beogradi.

Si reagoi komuniteti ndërkombëtar?

Pas sulmit në Banjskë, Serbia grumbulloi trupa ushtarake në kufi me Kosovën – gjë që u dënua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat e cilësuan si “veprim shumë destabilizues”.

“I bëjmë thirrje Serbisë që t’i tërheqë ato forca nga kufiri”, tha zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Vuçiç, në anën tjetër, bëri përpjekje për të siguruar Perëndimin se nuk do të urdhëronte forcat ushtarake të kalojnë kufirin. Dhe, pak ditë më vonë, Shtëpia e Bardhë tha se Serbia ka nisur tërheqjen e trupave të saj nga kufiri me Kosovën.

Si përgjigje të këtyre zhvillimeve, NATO-ja rriti praninë e forcave të saj në kuadër të misionit KFOR në Kosovë.

Si nga BE-ja, ashtu edhe nga SHBA-ja deklarojnë se tani janë në pritje të rezultatit të hetimeve të sulmit në Banjskë.

Çfarë parashikon viti 2024?

Ndonëse nuk mund të themi mesiguri se cili do të jetë sfondi i ri i zhvillimeve gjeopolitike për vitin që po vjen, deklaratat e fundit të liderëve të Kosovës kanë ngjallur sërish shqetësim.

Më 23 dhjetor, në një konferencë për media Kurti ngriti alarmin se Serbia po planifikon sulme të reja ndaj Kosovës.

Ai tha se dyshohet se një arsenal armatimi po fshihet në një hotel në Novi Pazar, rreth 25 kiliometra larg pikës kufitare në Jarinjë.

“Aty ka të fshehur armatim të ngjashëm që është përdorur në sulmin terrorist në Banjskë”, tha Kurti ndërsa shtoi se Radoiçiç po paguan terroristët për shkak se ka në plan sulme të tjera.

“Radoiçiç po vazhdon përgatitjet për sulme të reja ndaj Kosovës, po mban takime sekrete në BIA. Pjesëtarë terroristë po paguhen nga dy mijë euro, ata po strehohen në objektet e tij. Planet për sulme tentojnë destabilizimin e vendit tonë. Në vend se të dorëzojë terroristët, Serbia po i shfrytëzon ata për sulme të reja.Tashmë është e qartë që asnjë sulm nuk mund të kryhet pa urdhrin e krerëve të Serbisë”, deklaroi ai.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga Brukseli teksa po merrte pjesë në takimin e samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor deklaroi se ka informata që Serbia po planifikon sulme të reja.

“Këto janë alarme të cilat të gjithë ne së bashku duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si preventivë, në mënyrë që Serbia të mos lejohet më ta destabilizojë rajonin”, deklaroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë